A do ta vrasin podkastet dhe audio-librat, radion që ne njohim?
Nga: Charlotte Runcie / The Telegraph
Në vitet 1990, kisha këtë risi të FM-radios që ishte në formën e [karaktereve të serisë së animuar] Wallace dhe Gromit ulur në dhomën e tyre të ndenjjes. Doreza e volumit ishte tasi i qenit Gromit dhe e caktoje stacionin që doje duke përdredhur taburenë me pika të verdha. E kam këtë kujtim të lëvizjes nëpër frekuenca, për zhurmën që ia lëshonte vendin muzikës dhe fjalës, e që më pas zhdukej sërish në eter.
Kur isha fëmijë, radioja ishte diçka që si me magji dilte nga statika. Kishte diçka teknike në dëgjim, sepse përfshinte funksionimin e makinerive për të gjetur kuptimin mes zhurmës – edhe nëse ishe tetë vjeçe. Edhe nëse pajisja ishte në formën e një qeni plastik!
Këto ditë dëgjojmë radio përmes altoparlantëve inteligjentë që përgjigjen, si qeni, ndaj komandave verbale. Thjesht mund të thoni, “Lëshoje Radio 3-shin!” dhe Radio 3 do të fillojë. Ka ende magji, por në një mënyrë tjetër. Ndonjëherë ndihet pak më shumë si kërkim sesa dëgjim. Dhe, për mua është një mrekulli e përditshme që nëpërmjet një radioje në internet ose një altoparlanti me blututh, mund të dëgjoj radion që është kudo në botë, menjëherë dhe në çdo gjuhë. Më bën shpresëdhënëse për të ardhmen me lidhjet më të mëdha ndërnjerëzore, saqë ndonjëherë për këtë edhe emocionohem.
Por, zgjedhja do të thotë konkurrencë dhe kjo gjithashtu nënkupton se disa lloje të radiove që jemi të aftë t’i bëjmë në Britani – domethënë radio të fjalimeve ose emisione të drejtpërdrejta të bisedave dhe me muzikë – duhet të luftojnë për vendin e tyre në zemrat e dëgjuesve. Radioja dikur ka qenë një pajisje specifike në kuzhinë ose në makinë ose pranë shtratit. Por, radioja tani është vetëm një pjesë e një ekosistemi mediatik gjithëpërfshirës të audios. Dëshironi të ndiqni episodin më të fundit të In Our Time në BBC Sounds apo dëshironi të dëgjoni drejtpërdrejt shfaqjen e Chris Evansit në Virgin Radio? Apo dëshironi të dëgjoni 12 episode të atij podkasti investigativ që përmendi kolegu yt? Po romani i ri për të cilin të gjithë po flasin, me audio-librin e lexuar nga një aktor i famshëm?
Veshët tanë kurrë nuk kanë qenë më kërkues. Dhe, nuk kemi pasur kurrë më shumë kohë për të dëgjuar: kemi kaluar nga radiot me valë te kufjet me valë dhe tani mund të dëgjojmë kudo dhe vazhdimisht. Një shoqe e imja kohët e fundit bëri shaka se ka kaluar aq shumë kohë me AirPods-et, saqë ishte e shqetësuar se do të harrojë t’i nxjerr në dasmën e vet. Nuk jemi më të kufizuar në kapjen e programeve gjysmorëshe në udhëtimet me makinë; mund të dëgjojmë qindra episode të një podkasti të preferuar, ose nëntë orë të një audio-libri të pashkurtuar, gjatë gjithë ditës, dhe ende të kërkojmë më shumë.
Tani, sa herë dikush flet për të ardhmen e radios, në të vërtetë flasin për të ardhmen e audios. Duhet të pranojmë se FM-radioja me transmetimet e drejtpërdrejta nuk do të zgjasë përgjithmonë, pasi shkurtimet në ofrimin e radios lokale bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe investimet e sektorit tregtar dhe publik po kalojnë në internet. Gjithnjë e më shumë dëgjojmë atë që duam, kur duam, në vend që hasjen në ndonjë kanal ta cilësojmë si fat.
Nuk ka asgjë të zymtë në lidhje me këtë edhe nëse, e pranoj, jam gjithashtu nostalgjike për të papriturat e radios së dikurshme. Vlen të kujtohet se burimet zyrtare të radiove të debateve spontane, në këtë vend, janë kufizuar te Radio 3 dhe Radio 4 të cilat kanë paguar për licencim për dekada me radhë. Tani, megjithatë, teknologjia e incizimit është më e lirë dhe më e disponueshme dhe modelet e reja të reklamimit të podkasteve nënkuptojnë që krijuesit e audios mund të bëjnë diçka, ta vendosin atë në internet, të arrijnë dëgjuesit dhe të fitojnë para të mjaftueshme për ta mbështetur veten.
Ekziston ende një ndjenjë legjitime për stacionet dhe rrjetet tradicionale të radios, por për sa i përket krijimtarisë dhe inovacionit, kjo është ndoshta koha më emocionuese për audion – qëkur u shpik për herë të parë tingulli i incizuar. Mendoj se kjo është e ardhmja e radios: narrativat e gjata, audio-librat dhe podkastet e pakufizuara, si dhe producentë kreativët radiofonikë që bëjnë vepra kuptimplote dhe personale – drejtpërdrejt për audiencën e tyre besnike dhe të angazhuar.
Radioja e drejtpërdrejtë në stacionet dhe rrjetet konvencionale, shpejt mund të jetë diçka krejt e panjohur. Me më shumë gjëra për të dëgjuar se kurrë më parë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim producentët dhe zërat që këtë po e bëjnë. Disa audio-tendenca tashmë janë në rënie. Do të habitesha nëse podkastet e krimit për gratë e vrara do të ekzistojnë ende, në të njëjtën formë, për shembull në 10 vjetët e ardhshme.
Po kështu, dyshoj se radiostacionet lokale do të mbijetojnë shumë më gjatë në formën e tyre aktuale. Nga ana tjetër, audio-prodhimi i pavarur i projekteve të pasionit, të tilla si podkastet hiper-specifike të paraqitura nga ekspertët, për çdo gjë … mund të dominojë çdo herë e më shumë. /Telegrafi/