A do të bojkotohen marketet edhe në Kosovë?
Iniciativa për bojkotin e marketeve, e cila ka nisur fillimisht në Kroaci me të vazhduar edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovine dhe Serbi paralajmërohet se do të ndodhë edhe në Kosovë.
Ajo ndërlidhet me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale.
Këto vende kanë vendosur ta bojkotojnë blerjet në markete të mëdha, si pasojë e abuzimeve me çmime.
Njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovë kanë vlerësuar se për shkak të shtrenjtimit të madh te artikujve elementarë duhet të reagojë Qeveria dhe institucionet përkatëse për ta parandaluar rritjen e çmimeve enorme.
Selatin Kaçaniku, nga ‘Shoqata e Konsumatorëve’, ka kritikuar Qeverinë për mungesën e reagimit ndaj ngritjes së çmimeve në Kosovë.
Kaçaniku deklaroi se nuk ka asnjë prononcim nga Qeveria, MINT-i apo partitë politike për çmimet, duke shtuar se po sillem sikur jetojmë në një tjetër planet.
“Kosova ka buxhet konsumues, dëshmohet se qytetari si taksapagues është gjenerues kryesor i buxhetit të shtetit. Qeveria varet nga çmimet. Ne nuk kemi asnjë prononcim nga Qeveria as nga MINT, as nga një parti politike për çmimet. Këta po sillën sikur me jetu në hënë”, tha ai.
Ai paralajmëroi se pas datës 9 shkurt, nëse nuk ka reflektim nga autoritetet, qytetarët do të detyrohen të vetëmbrohen.
“Pas 9 shkurtit nëse s’ka reflektim, ne detyrohemi të vetëmbrohemi. Nuk do të prishmi me askënd, por ne do të mbrohemi”, shprehet ai për “Front Online”.
Ekonomisti Arton Muhaxheri ka kritikuar mungesën e mekanizmave efikas për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë, duke e quajtur abuzimin me çmimet rezultat të pasivitetit të qeverisë.
Muhaxheri thotë se pushteti i ka lënë qytetarët në mëshirë të tregut.
“Abuzimi me çmimet në Kosovë është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së mekanizmave efikase të kontrollit dhe mbrojtjes së konsumatorit. Në vend që të ketë politika të qarta për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe çmime të përballueshme, Qeveria po qëndron pasive, duke i lënë qytetarët në mëshirë të tregut”, deklaroi ai.
Ai tha se qytetarët po detyrohen të ndërmarrin hapa ekstreme, si bojkotimi i marketeve, për të ushtruar presion mbi bizneset që po abuzojnë me çmimet.
“Paralajmërimi për bojkotin e marketeve të mëdha edhe në Kosovë është një sinjal i qartë i pakënaqësisë dhe dëshmon se qytetarët janë të detyruar të ndërmarrin iniciativa të tilla për të ushtruar presion mbi bizneset”, shprehet Muhaxhiri.
Ai bëri thirrje për një qasje më serioze ndaj mbrojtjes së konsumatorëve dhe rregullimit të tregut, në mënyrë që të krijohet një ekonomi e drejtë për të gjithë.
“Kur qeveria luan rolin e spektatorit , tregu deformohet dhe krijohet një situatë ku vetëm konsumatori pëson. Kosova ka nevojë për një qasje më serioze ndaj mbrojtjes së konsumatorit dhe rregullimit të tregut, në mënyrë që të shmangen abuzimet dhe të krijohet një ekonomi e drejtë për të gjithë”, tha ai.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa ka folur lidhur me paralajmërimin e bojkotove të marketeve të mëdha si pasojë e ngritjeve të çmimeve.
Bellaqa ka thënë se Kosova duhet të bashkohet me vendet e rajonit për të krijuar një paketë të përbashkët ekonomike.
Bellaqa tha se çmimet e caktuara nga rrjeti i marketeve të mëdha janë si pasojë e monopolizimit të brendshëm nga bizneset.
“Kosova duhet të shkoj në një paketë të përbashkët. Gjitha ekonomitë e rajonit janë të lidhura mes veti. Andaj shit-blerja e qarkullimit është eksport-import, zhvillohet mes këtyre vendeve dhe sigurisht se çmimet nga rrjeti i marketeve të mëdha caktohet nga biznesi për shkak se ka një monopol të brendshëm. Mund që të ekzistoj rritja e tyre dhe kjo ndikon tek qytetarët”, shprehet ai.