A do të dalë në debat përballë Përparim Ramës? Kështu përgjigjet Arben Vitia
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia nuk është i sigurt nëse do të dalë në debat përballë kundërkandidatit të tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama.
Vitia dhe Rama do të përballen të dielën në garën e balotazhit, por tha se për t’u përballur me kundërkandidatin e tij mund t’i dalë një “problem”.
“Këtu është një problem tjetër, sepse këtu duhet të flasim edhe me shtabin, edhe me zyrën për media në Lëvizjen Vetëvendosje, shtabin e qendrës”, tha Vitia.
Ai tha se është mirë që të ketë debat për t’i ballafaquar edhe programet.
“Nëse nuk është aranzhuar diçka dhe përshtatet, natyrisht se po, sepse mendoj që në këtë situatën që jemi, ku ballafaqohemi vetëm dy kandidatë, qytetarët kanë të drejtë që në ballafaqim të marrin dhe të nxjerrin më të mirën dhe të shkojnë drejt vendimit të tyre se për kë do të votojnë pastaj në bazë të programit dhe ballafaqimit të programeve”, tha Vitia mbrëmë në Debat Plus.