A do të filloj të trokas ora e turizmit në zonat rurale në Kosovë!

20 shkurt 2025 | 17:32

Shkruan: Erzen Gjonbalaj
Përderisa shumë vende të rajonit japin të dhëna për lëvizjet e mysafirëve në idilin e dimrit, të tjerët po përgatiten për sezonin e ardhshëm turistik veror, në Kosovë e njëjta histori që transmetohet vit pas viti nga qeveria në qeveri, as me fjalë e as me fotografi.
Lind pyetja: a do të ndërrojë dikush diçka dhe do të jemi në trend me të tjerët, në rastin e fundit së paku me informacione.
Sot, turizmi është bërë vendimtar për mbijetesën e shumë zonave të kërcënuara ekonomikisht dhe turizmi rural është një mjet i fuqishëm për rigjallërimin e fshatrave të largëta dhe zonave rurale kryesisht të pazhvilluara.
Përveç kësaj, turizmi në zonat rurale është gjithashtu një trend në rritje tek turistët modernë, të cilët janë në kërkim të eksperiencave autentike, vendeve ekzotike, kontakteve të drejtpërdrejta, përvojës intensive të kulturave të ndryshme…
Për vizitorin, d.m.th. për një turist, turizmi rural nënkupton një përvojë të plotë të jetës në fshat, njohjen e historisë, kulturës dhe zakoneve të një vendi (me theks në specifikat), qëndrimin në familje, qëndrimin në natyrë, argëtimin dhe aktivitete sporteve, shijimin dhe/ose përgatitjen e pjatave dhe delikatesave gastronomike lokale dhe të bëra në shtëpi, etj.
Nga ana tjetër, fshatin në turizmi rural përfaqëson një fushë të pafund mundësish për zhvillimin ekonomik e social në hapësirat lokale por edhe më gjerë sepse rritja e kërkesës do të duhej të shoqërohej me rritjen e vëllimit të prodhimit dhe ofertës cilësore. Prandaj, fshati do merrte një mori mundësish për të zhvilluar një histori të qëndrueshme përmes kërkesës tashmë të dukshme dhe ekzistuese për një “produkt rural”.
Ajo histori do bazohet në rrjetëzimin, organizimin dhe shpërndarjen e prodhimit vendor, ofertës dhe informacionit në radhë të parë, e më pas punën në artikujt infrastrukturorë, të cilët janë të rëndësishëm për zhvillim (turizëm). Këto janë punë për menaxhimin e mbetjeve, rehabilitimin e rrugëve, trajnimin e ambienteve të punës etj. Me këtë sekuencë hapen vende të reja pune në fshat, fshati është i pastër, ka punë dhe prodhim në fshat, fshati po zhvillohet. Sepse mjediset rurale zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme vetëm duke vendosur një ekuilibër midis progresit ekonomik, ruajtjes së mjedisit dhe stabilitetit social të komuniteteve rurale.
Mundësitë që ofrojnë fshatrat e të gjitha rajoneve të Kosovës me gjithë trashëgiminë e tyre të prekshme dhe të paprekshme (nekropole steqesh, mite dhe legjenda, arkitekturë sakrale, nekropole të kamareve të vjetra, ndërtime autoktone të objekteve – katundeve, rrugë romake, mbetje të bujqësisë ilire, fortifikimeve të bardhave, gërmadha ,stili i jetesës në bjeshkë…) janë vërtet të pafundme. Në vizionet tona, fshati do të duhet të jetë i tërë dhe i organizuar mire. Fshati ka prodhimet dhe punën e tij fuqinë punëtorë, mbron dhe promovon pasurinë e tij natyrore dhe atë kulturo-historike, ka një audiencë/konsumatorë dhe zhvillohet në aspektin bujqësor, ekonomik ku marketingu edhe pse po ngec do të duhej të zhvillohej në raport me tendencat moderne të qëndrueshme.
Misioni jonë do të duhet të jetë si të krijojmë një model unik për një rritje dhe zhvillim të tillë të qëndrueshëm të fshatrave në rrafshnalta dha në zonat kodrinoro-malore, duke marrë parasysh potencialin ekzistues, duke i kushtuar vëmendje gjithçkaje që është lokale dhe unike, veçanërisht kushteve specifike gjeografike dhe klimatike dhe sigurisht duke mbrojtur dhe ruajtur natyrën dhe duke promovuar metoda të punës sa më natyrale dhe jo invazive në çdo segment të veprimtarisë sonë të shërbimeve turistike.
Le të mbështetemi një histori…
… Le të imagjinojmë që në një fshat bujqësor ku disa familje do të fillojnë të merren me turizëm rural. Disa grupe të ftuarish do vijnë në fshat dhe janë të kënaqur me shërbimin, si dhe me atë që panë, përjetuan dhe takuan. Grupet e reja po fillojnë të vijnë vazhdimisht. Gradualisht, qëndrimi mesatar rritet nga një natë në 2-3 netë.
Në fshat ka nevojë gjithnjë e më të madhe për akomodim, ndaj po bashkohen edhe 2 familje të tjera. Turistët duan të marrin me vete disa suvenire, duan të blejnë produkte vendase, ushqime vendase, lëngje, raki, verë, mjaltë. Të gjitha veshjet dimërore duan t’i marrin nga fshati, sepse në qytet ato produkte janë më të shtrenjta dhe jo aq cilësore. Kjo u jep mundësi familjeve të tjera të fshatit, të cilat nuk merren me turizëm rural, t’i shesin produktet e tyre turistëve dhe të fitojnë të ardhura shtesë.
Në fshat ka disa njohës të mirë të natyrës përreth. Ata tani tani do angazhohen si guidë për turistët. Për turistët organizohen ekskursione dhe aktivitete të ndryshme, të cilat paguhen shtesë. Taverna lokale në fshat po bëhet një vend më shumëngjyrësh, i cili tashmë frekuentohet nga turistët në mbrëmje, gjë që tërheq njerëz nga fshatrat fqinjë. Dyqanet në fshat po shohin më shumë qarkullim (shitje mallrave), si dhe dyqani i suvenireve të sapo hapur.
Disa familje të tjera po i drejtohen turizmit rural dhe ato që filluan të parët po zgjerojnë kapacitetet e tyre. Po krijohen ambiente të reja për turistët, po ndërtohen objekte të reja. Fshati tani mund të strehojë rreth 50 të ftuar në shtretër të regjistruar. Bashkia fiton të ardhura nga taksat e banimit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Mediat kanë nisur të ndjekin zhvillimin e turizmit rural. Edhe pse kanë pritur një dekadë të tërë për një rrugë të re të asfaltuar, këtë vit komuna ndan mjete në buxhet për këtë qëllim, si dhe për ujësjellësin e ri, si dhe hapen klinikë dhe postë në fshat.
Pritësit e angazhuar në turizmin rural tani krijojnë një shoqatë dhe hyjnë së bashku në treg, si një destinacion, me buxhete të përbashkëta për promovim. Tani fshati mund të presë një ekskursion të vogël. Fëmijët e klasave të ulëta të shkollave fillore vijnë dhe mësojnë për traditën, historinë dhe trashëgiminë, duke qëndruar në një mjedis natyror të pa ndotur. Gjithnjë e më shumë shkolla po bëhen të interesuara për këtë lloj udhëtimi- ekskursioni. Së bashku me studentët (që vijnë gjatë ditëve të javës), në fundjavë vijnë edhe familje nga disa qytete.
Të ardhurat mesatare të familjeve nga turizmi rural tani rriten nga 200 euro në muaj në 440 euro në muaj. Shumë prej këtyre familjeve i reduktojnë aktivitetet e tyre bujqësore në një masë thjesht simbolike, sepse nuk kanë më kohë të merren me bujqësi, kur arrijnë një efekt më të madh financiar nëpërmjet turizmit. Kjo çon në një kërkesë për ushqim, të cilën ata do ta marrin nga fqinjët e tyre. Ata fqinjë nuk duhet t’i çojnë më produktet e tyre çdo mëngjes në tregun e qytetit 10 km larg, por ua shesin prodhimet fqinjëve që merren me turizmin rural.
Produktet mbeten më të freskëta, më cilësore dhe më të lira (sepse çmimi ulet nga vlera e transportit të mallit në treg dhe çmimi i tezgës në treg). Të rinjtë nuk largohen nga fshati, sepse nuk duan të punojnë 14 orë në qytet për një rrogë të mjerueshme. Ata do të qëndrojnë në vatrat e tyre (ku fitojnë shumë më tepër), do të mirëpresin mysafirët dhe do të angazhohen në punë që i bëjnë të kënaqur dhe të lumtur.
Banorët e fshatit fqinj, të tërhequr nga përvoja e fshatit të parë, nisin me të njëjtën histori, edhe më intensivisht. Ata gjithashtu ofrojnë disa përmbajtje të ndryshme për mysafirët e tyre. Ata vendosin të tërheqin të rinjtë, të cilëve gjatë ditës do t’u jepet mundësia të merren me sporte të ndryshme ekstreme në rrethinat e fshatit dhe në mbrëmje do të organizohet një program i larmishëm muzikor. Dy fshatrat tashmë mund të shihen si konkurrentë dhe këtu do të fillojë “gara” e zhvillimit të tyre.
Megjithatë, dy fshatra mund të hyjnë në marrëdhënie partneriteti, të bashkojnë burimet dhe potencialin dhe të formojnë një destinacion rural që do të sillte një dimension krejtësisht të ri në zhvillimin e zonave rurale që është i paimagjinueshëm për ne sot.
Një histori e bukur që mund të barazohet me një përrallë nga këndvështrimi aktual. Megjithatë, kjo histori paraqet një përzierje të disa rasteve të vërteta nga destinacionet rurale të botës dhe rrugët e tyre të zhvillimit.
Turizmi në zonat rurale (turizmi rural) mbështetet kryesisht në kërkesën e brendshme nga zonat urbane, kështu që zhvillimi i tij më intensiv mund të kontribuojë në përhapjen e të ardhurave nga rajonet urbane më të zhvilluara ekonomikisht në zonat rurale të zhvilluara mjaftueshëm (turistët shpenzojnë paratë e tyre në fshat të fituara në qytet). .
Kështu, turizmi rural do të kontribuonte në zhvillimin më të shpejtë ekonomik të zonave rurale, gjë që do të ndikonte në uljen e hendekut ekzistues në shkallën e zhvillimit të zonave rurale dhe atyre urbane.
Një arsye tjetër e mos zhvillimit të turizmit rural në Republikën e Kosovës është se shumica e popullsisë nuk është e vetëdijshme për potencialin tonë dhe për këtë arsye nuk e shfrytëzon atë. Një situatë e ngjashme ka ekzistuar në qytetet bregdetare disa dekada më parë, derisa aty u zhvillua turizmi i notit dhe banjës!!! Banorët e atyre zonave të varfra as që mund të mendonin se dikush do të vinte në atë krasitin e tyre vetëm për t’u larë!
Kosova ka mundësi të mëdha për një jetë më të mirë përmes zhvillimit të turizmit rural! Mirëpo, në mënyrë të ngjashme siç mendonin dikur banorët e bregdetit, sot mendojnë ndoshta shumë banorë të zonave rurale në Kosovë. Disa vështirë e kuptojnë se në fshatrat ku jetojnë ata ka kushte të jashtëzakonshme për një pushim të vërtetë!! Kjo është edhe e logjikshme sepse: fshatarët përkulin kurrizin drejt tokës, i shtyn puna e rëndë e përditshme dhe shumë qytetarë mendojnë vetëm si të mbijetojnë! Kush në atë situatë mund të mendojë edhe për turizmin e ardhshëm!? Atyre nëse dikush do t’u thoshte këtë, ata nuk do ta besonin. Në fund të fundit, mediat tona do të duhej më shpesh të raportojnë për këtë jo vetëm sipërfaqësisht – askush nuk po i qaset kësaj teme në mënyrën e duhur. Askush nuk po u shpjegon banoreve të zonave rurale se :
• Sa dobi do të kishte zhvillimi i turizmit rural, nëse një numër i madh turistësh të huaj do të pushonin në fshatrat tona?
• Pse turistët e huaj do të ishin të lumtur të vinin me pushime në fshatrat tanë, me kusht që ato të rregullohen sipas nevojës?
• Çfarë duhet të bëjmë ne në Kosovë për të tërhequr një numër të madh turistësh të huaj?
• Çfarë do të ishin dobitë e ekonomive familjare që jetojnë në zonat rurale e posaçërisht të ekonomive familjare bujqësore të cilat krahas zhvillimit të veprimtarisë bujqësore do fillonin të ofroni edhe shërbime ushqim dhe fjetje?
• Etj.
Unë kam njëzet vjet që përpiqem t’ua shpjegoj këtë politikaneve të Kosovës kryetareve të disa komunave dhe ministrave të turizmit dhe bujqësisë), por – nuk ia dola. E vetmja mënyrë logjike dhe normale për ta bërë këtë është t’u drejtohemi politikanëve dhe mediave ku mendova të thërras disa tupanxhi në shesh dhe të tërhiqja vëmendjen për këtë çështje, por e refuzova sepse nuk ka kuptim. Megjithatë , nuk ka dobi kryesisht për shkak të interesave egoiste të numrit më të madh politikanëve.
Për gjithë këtë amulli në procesin e zhvillimit të turizmit në zonat rurale, duhet kërkuar një adresë në politikë, ku prej vitesh nuk është bërë asgjë për këtë çështje. Jemi dëshmitarë të fundit ku nuk do të dëgjojmë as një fjalë për zhvillimin e zonave rurale me theks në turizmin rural. Ndoshta nuk jam i informuar mirë, por nuk kam pasur rastin të dëgjoj për këtë fenomen për periudhën e ardhshme.
Vetëm për t’ju kujtuar se si fqinjët “vellazerit“ vepruan shumë kohë më parë: Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqpërsë në krye me ministrin Ylli Pango, inkurajoj zhvillimin e fshatrave në zonat malore të Shqipërisë së Veriut përmes projektit “40 Hanet e Shqipërisë” ku në fshatin më verior të Shqipërisë në Vermosh shtëpitë tradicionale 15 sosh u shndërruan në Bujtina ku i gjithë fshati mori epitetin e një fshati turistik.
I denjë për vëmendje është edhe fshati Vuthaj – një komunitet që dhjetë vjet më parë ishte në prag të vdekjes ekonomike falë një ngjarjeje kulturore – sot është shndërruar në një destinacion tërheqës turistik që po i afrohet numrit prej 1000 shtretërish për pranim të mysafirëve.
Një opsion që po del nga skena politike në Kosovë, për sa i përket menaxhimit të turizmit, nuk mund të vlerësohet sadopak, unë personalisht nuk mbaj mend ndonjë projekt që ia vlen t’i kushtohet vëmendje. Në vend që të organizojnë konferenca shkencore për çështjen e turizmit në zonat rurale apo diçka të ngjashme, disa muaj më parë në takimin lamtumirës të MTIN-it, dëgjuam për arritje të rezultateve astronomike për të cilat u shërbyen më të dhëna të pasakta. Dëgjova një informacion mbresëlënës se veprimtaria e turizmit në Kosovë merr pjesë me 20% në BPK, nëse kjo është e vërtetë qeveria e ardhshme duhet të zgjerojë kabinetin e saj me Ministrinë e Turizmit.
Në këtë çështje, nuk duhet të lëmë në mëshirën pa kritikuar as institucionet e arsimore-shkencore që edukojnë profesionistë të ardhshëm të turizmit dhe hotelerisë që nuk bëjnë hapa drejt zhvillimit të kësaj dukurie – zhvillimit të turizmit në zonat rurale.
Në këtë rast ftoj Universitetin e shkencave të Aplikuara në Ferizaj konkretisht Fakultetin e Turizmit dhe Mjedisit të bëjë një hap shprese dhe të organizojë një konferencë studentore.
Kjo konferencë do të ishte një shembull i shkëlqyer i rrjetëzimit ndërmjet profesorëve dhe studentëve dhe mësimit të dobishëm shoqëror të studentëve nga kursi “Zhvillimi turizmit në zonat rurale”, të cilët do pasurojnë procesin e përvetësimit të njohurive duke punuar në një ekip për të zhvilluar projekte që zgjedhin një problem specifik social e në këtë rast zhvillimin e turizmit në zonat rurale në Republikën e Kosovës.
Autori është turizmolog-hulumtues i turizmit erotik dhe turizmit në zonat rurale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Samsung kryeson tregjet premium dhe ultra të mëdha të televizorëve,…