A do të jetë Isa Mustafa apo Avdullah Hoti kandidat për kryeministër?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se sikur të kishte vullnet për të qenë kryeministër i vendit, do të kandidonte në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2019.
Në këtë mënyrë, ai ka lënë të kuptohet se nuk ka ambicie për t’u bërë kryeministër, detyrë të cilën e kishte ushtruar gjatë viteve 2014-2017.
“Nuk e kemi diskutuar në struktura të partisë. Do të bëj përpjekje maksimale që të bëhet një zgjidhje që është më e mira për LDK-në. S’e kemi diskutuar fare”.
“Sot s’po them asgjë, së pari duhet ta bisedoj me njerëzit brenda subjektit. Ajo që unë dëshiroj që të kemi një kandidat i cili do të përballojë të gjitha sfidat që do të paraqiten. Sikur do të kisha vullnet, do ta kandidoja veten edhe kur është kandiduar Avdullah Hoti në vitin 2017, edhe në vitin e kaluar kur është kandiduar Vjosa Osmani. Kam parë arsye që të bëjmë disa ndryshime dhe freskime në LDK”, ka thënë Mustafa në një konferencë për medie.