A do të jetë rasti “Martin Berishaj” – “shpata e Demokleut” mbi kokën e Albin Kurtit?!
Shkruan: Shefik Surdulli
Se si erdhi deri këtu, te kjo marrëveshje me premisa problematike, dhe të panjohura tjera, për funksionimin e shtetit të Kosovës, nuk mendoj që është krejt sebepi te lufta në Ukrainë. Ajo veç sa e ka përshpejtuar “zgjidhjen” që SHBA dhe BE përmes kësaj marrëveshjeje duan ta paralizojnë ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor me qendër Serbinë.
Tekefundit, cilado qofshin qëllimet e Amerikës, Albin Kurti tregoi totalisht paaftësi për t’i kuptuar, shfaqi mungesë kapaciteti në të kuptuarit e diplomacisë.
Marrëveshja për asociacionin aty ka qenë për dhjetë vite e fjetur, po kurrë askush nuk e kërkoi me kaq shpejtësi e insistim.
Çfarë nuk kuptoi Albini? – Amerikanet dhe BE-në!
Çfarë keqkuptoi Albini? – që mund të sillej si të donte!
Çfarë kuptoi në fund? – që mund ta pësojë në rast të mosnënshkrimit!
Prandaj, kjo marrëveshje kështu siç është me shumë mangësi, është pasojë edhe e lojës së Kryeministrit Kurti në veri, fillimisht me targat, i cili ose nuk diti të luaj mirë ose e bëri me hile, që kulmoi pastaj edhe me stërkeqen e raporteve miqësore ndërkombëtare, veçanërisht me SHBA-në.
Pastaj, edhe paaftësia e KM Kurti dhe e zëvendësit të tij negociator Besnik Bislimi në procesin e negociatave në Bruksel, me gjithë ato kontradikta, është po ashtu një tjetër zënie në thua e Kosovës në këtë stad të zhvillimeve politike ndërkombëtare, në relacion me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por, se si rrodhën gjërat në takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe si do të përfundojnë ato më 18 mars në Ohër, sipas këndvështrimit tim, nuk është aq e zorshme për ta deshifruar epilogun:
– Përveç gjuajtjes së gurit gjetiu nga KM Kurti për shpërqendrim vëmendjeje nga marrëveshja, janë edhe disa indikacione tjera që flasin për gjasat e nënshkrimit të marrëveshjes nga pala kosovare, pa e përjashtuar edhe propagandën e lansuar si mjet i përgatitjes së elektoratit të VV-së, për pranimin e marrëveshjes.
Megjithatë, për të dy momentet e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për të ardhmen e shtetit të Kosovës, kujtoj që në fund është një “shpatë e Demokleut” ajo që me këtë rast po i rri mbi kokë Kryeministrit Kurti.
Shikuar skenaret diplomatike ndërkombëtare (që rëndom vëhen në lëvizje në këso situatash) në prag të kësaj marrëveshjeje (edhe në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, e edhe të këtij më 18 mars në Ohër), kujtoj që si mjet shantazhi mbi kryeministrin Kurti, duket të jetë edhe rasti “Martin Berishaj”.
Se është kështu, janë indikative publikimet e lajmit me pompozitet mediatik të skandalit tashmë të njohur nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, mu në prag të takimeve për marrëveshje:
I pari, që megjithate pati impakt, ishte lajmi që u publikua pak ditë para takimit në Bruksel: hudhja posht nga Gjykata sllovene e ankesës për shpifje të pretenduar nga ambasadori Berishaj;
Rasti tjetër, që u publikua këto ditë, më 14.03.2023, poashtu për të njejtin rast, në mediumin “Albanian Post”: “Komisioni Parlamentar i Sllovenisë për Kontrollin e Inteligjencës dhe Shërbimeve të Sigurisë ka marrë informacione të reja në lidhje me skandalin financiar në të cilin është përfshirë Martin Berishaj”… (Lajmi i plotë: https://bit.ly/3JOQTQ5)
Prandaj, marrë parasysh këto elemente indikative dhe metamorfozën ekstreme të Albin Kurtit me dëshirën e madhe pushtet mbajtëse (në mos tjetër!), gjasat janë të mëdha që KM Albin Kurti do ta nënshkruajë (apo do ta pranojë në një formë apo tjetër) marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me Serbinë, që është planifikuar të mbahet më 18 mars 2023, në Ohër.
Në të kundërtën, pasojat politike mund të jenë të mëdha për Albin Kurtin, për më keq Kosova do ta pësojë me një lloj getoizimi diplomatik nga Bashkësia Ndërkombëtare.