A do të jetë Thaçi pjesë fushatës zgjedhore në SHBA?

16 maj 2024 | 14:49

Shkruan: Agron Hoti

Viti 2020 ishte vit elektoral në SHBA. Çlirimi i Kosovës në 1999 dhe zgjidhja e problemit shqiptaro-maqedonas në vitin 2001 e përmbyllën serinë e konflikteve ballkanike të zhbërjes dhe bërjes së shteteve, me të cilat po përballej SHBA në Evropë. Ndërkohë në Azi, më konkretisht në Lindje të Mesme, vendet arabe dhe Irani po lidhnin një aleancë me Rusinë sipas kushteve ruse. Një aleancë e tillë sigurisht që do ta sfidonte supremacinë e SHBA-së në glob.

Prandaj, nga viti 2001 deri në 2021 SHBA ishte nxënë me luftën e saj kundër terrorizmit në Lindje të Mesme (Azi). Në fund të kësaj lufte të gjatë qëllimi madhor i SHBA-së ishte arritur plotësisht në Azi, sepse ishte parandaluar një aleancë ruso-arabo-iraniane sipas kushteve ruse. Nga disfata që Rusia po pësonte në Lindje të Mesme 2001-2021, po e kompensonte atë duke fituar terren në Evropë duke i futur kështu nën kontroll pothuaj shumicën e qeverive të vendeve më të fuqishme BE-së, përfshirë vetë institucionet e BE-së. Eksporti i energjisë së lirë ishte arma ruse për ta futur Evropën nën kontroll.

Pikërisht për këtë arsye Britania e Madhe edhe pati dalë nga BE, sepse nuk po mund t’i duronte më politikat nënshtruese të Brukselit që po noterizoheshin në Moskë. Asnjë Shtet Anëtar i BE-së nuk po mbivotohej më shumë nëpër institucione të BE-së sesa Britania e Madhe dhe kjo po e bënte Londrën gjithnjë e më të padurueshme përballë politikave të Brukselit. Pra, përderisa nga 2001-2021 po prishej një aleancë ruso-arabo-iraniane në Azi, në të njëjtën kohë po ndërtohej aleanca tjetër tanimë evropiano-ruse në Evropë, gjithnjë kjo sipas kushteve ruse, sepse vetëm Rusia kishte kapacitete për ndërtimin e aleancave të mëdha kundër Perëndimit.

Aq shumë ishte futur BE nën kontrollin rus nga viti 2000 kur kishte ardhur në pushtet Putini e deri sa shpërtheu lufta në Ukrainë në shkurt 2022, saqë BE zyrtarisht kishte bërë edhe projeksione të përbashkëta energjetike me Rusinë që shkonin deri në vitin 2050. Avansimi i Rusisë në Evropë po shihej me shqetësim nga Presidenti Obama dhe më pas nga Presidenti Trump, ky i fundit hapur po u kërkonte vendeve të BE-së që t’i rrisnin shpenzimet ushtarake përballë një Rusie që po bëhej gjithnjë e më agresive përballë BE-së dhe tërë Perëndimit. Dhe pikërisht në kuadër të rritjes së sigurisë evropiane Presidenti Trump në vitin 2018 i pati dhënë Kosovës dritën jeshile për formimin e forcave të armatosura përballë një Serbie gjithnjë e më agresive ndaj fqinjëve që ishte në linjë të plotë me projeksionet e errrëta ruse në Evropë. Shqetësimin e Presidentëve Obama dhe Trump, po e përjeton sot praktikisht Presidenti Biden, sepse po përballet me drejtëpërdrejtë me luftën Evropë-Rusi.

Ashtu siç Presidenti Trump me shpejtësi rekorde i kishte rishikuar të gjitha marrëveshjet kryesore tregtare me vendet Aziatike, Amerikë (Latine e Veriore) dhe Evropë, ai me një retorikë direkte po u kërkonte evropianëve që t’i rrisnin shpenzimet ushtarake, ta ndërprisnin bashkëpunimin ekonomik me Rusinë dhe të mos e ushqenin këtë të fundit me para, të cilat kjo e fundit po i përdorte për shkatërrimin e demokracisë në Evropë. Në këtë kuadër retorika direkte dhe përshpejtuese e zhvillimeve politike e Presidentit Trump kishte alarmuar evropianët dhe rusët, këta të fundit po bënin çmos që përmes eksportit të energjisë t’i përcaktonin politikat e Brukselit në dëm të Uashingtonit. Prandaj, si evropianët ashtu edhe rusët kishin ndezur të gjithë motorët që Trump mos ta fitonte mandatin e dytë si President i SHBA-së. Dhe kjo garë e evropianëve dhe rusëve kundër Presidentit Trump duhej të intensifikohej gjatë fushatës elektorale në SHBA gjatë vitit 2020.

Duke qenë ndër Presidentët më paqësor të SHBA-së që pas Luftës së Dytë Botërore, Presidenti Trump po përpiqej që nyjen shqiptaro-serbe në Kosovë ta zgjidhte një herë e përgjithmonë. E sigurisht që suksesi i tij në politikën e jashtme, në këtë rast në Kosovë, do t’i ndihmonte shumë për ta marrë mandatin e dytë si President i SHBA-së. Në botë ka katër vatra të mëdha krizash, zgjidhja qoftë veç edhe njërës prej tyre do të ishte e arritur e madhe për një Presidenti Amerikan. Katër vatrat e krizës në nivel global janë këto: 1) Lindja e Mesme me problemin izraelito-arab në epiqendër; 2) Azia Lindore me Tajvanin, Korenë Veriore dhe Detin e Kinës Jugore në epiqendër; 3) Ballkani Perëndimor me problemin shqiptaro-serb në epiqendër; dhe 4) Kaukazi Jugor me problemin azero-armen në epiqendër.

 

A u përdor Presidenti Thaçi në garë elektorale të SHBA-së?

 

Siç e thashë më lartë, viti 2020 ishte elektoral në SHBA. Presidenti Trump kërkonte suksese në politikë të jashtme, sikurse çdo lider tjetër politik. Zgjidhja e problemit mes Kosovës dhe Serbisë përmes lëvizjes së kufijve do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë nyjen shqiptaro-serbe. Ndërkohë që Rusia, e cila po i shtrëngonte evropianët gjithnjë e më shumë, synon që problemi shqiptaro-serb – ashtu sikurse çpo problem tjetër në Evropë – mos të zgjidhet kurrë. Rusia ka qenë dhe mbetet e interesuar që në Evropë të ketë sa më shumë probleme. Sa më shumë probleme aq më lehtë për Rusinë për t’i fryrë zjarrit dhe për të fituar terren, për ta penguar kështu kompletimin e Bashkimit Evropian sipas kushteve amerikane.

Gjykata Speciale ishte formuar. Evropianët e detyruar nga rusët nuk po mund ta duronin edhe më tej një Strukturë të UÇK-së tërësisht proamerikane dhe e cila të gjitha projektet e mëdha po ua jepte amerikanëve. Prandaj, që pas formimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, evropianët e kishin ulur pothuajse në minimum bashkëpunimin me Strukturën e UÇK-së.Lufta kundër korrupsionit ishte instrumenti për tua ulur përkrahjen qytetare Strukturës së UÇK-së. Mjerisht, ishte vetë BE ajo që po rriste shkëmbimet tregtare dhe investimet e dyanshme me shtetet më të superkorruptuara në glob duke filluar nga Rusia, Kina, etj. Bile Rusia e Kina vazhdojnë edhe sot të jenë armiq të Perëndimit, ndërsa Struktura Drejtuese e UÇK-së kishte koordinuar çdo hap të vetëm me Perëndimin duke filluar nga politika paqësore, mbilizimi për luftë çlirimtare, çlirimi nga Serbia, pavarësimi dhe shtetndërtimi.  Por, për evropianët e shtënguar nga rusët, ky proamerikanizëm i palëkundur i Strukturës Drejtuese të UÇK-së duhej të merrte fund dhe Kosova duhej të dilte sa më antiamerikane që të ishte e mundur.

Një arritje e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpi të Bardhë përmes lëvizjes së kufijve që potencialisht mund të ndodhte më 27 qershor 2020 do t’i hidhte poshtë të gjitha investimet politike evropiane (sidomos ato më intensive nga viti 2014 deri në 2020) për ta larguar nga pushteti në Kosovë Strukturën Drejtuese të UÇK-së.

Zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi padyshim që do ta riforconte pozitën e Hashim Thaçit, i cili me gjasë do të merrte dhe Çmimin Nobel për Paqe dhe do të bëhej model reference në glob prej çlirimtari, shtetndërtuesi dhe paqebërësi, karakteristika që rrallëkush i ka pasur deri me sot. Një ri fuqizim i Hashim Thaçit do të thonte goditje përfundimtare për ato forca politika që mbështesnin evropianët (shtete të caktuara evropiane) sidomos nga viti 2014-2020, koha kjo kur Vuçiçi po fuqizohej në Ballkan dhe Hashim Thaçi me shokë ishin bërë tabelë qitëse nga të gjitha drejtimet. Në terma praktikë kjo do të thonte vazhdim i dhënies së projekteve të mëdha amerikanëve e jo evropianëve. Marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit 2020 ishte e po këtij karakteri, po ua hapte rrugën investimeve amerikane në Ballkan Perëndimor, diçka që nuk po mund të kapërdihej asesi nga evropianët e kontrolluar nga rusët. Prandaj, duhej bërë çmos që Gjykata Speciale të aktivizohej sa më shpejtë që të ishte e mundur për t’i ndalur të gjitha projektet.

Ja se si rrodhën gjërat: më 24 qershor 2020 Presidenti Thaçi kishte anuluar vizitën e tij në SHBA që do të mbahej më 27 qershor 2020 në Shtëpi të Bardhë, ngase po atë ditë i ishte ngritur aktakuza nga Gjykata Speciale; më 4 shtator 2020 ishte nënshkruar në Shtëpi të Bardhë Marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën Presidenti Trump e paraqiste si sukses para votuesve të tij; më 3 nëntor 2020 mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA ku fiton Biden; më 5 nëntor 2020 Presidenti Thaçi dërgohet në Hagë; më 21 dhjetor 2020 Gjykata Kushtetuese rrëzon Qeverinë Hoti; më 14 shkurt 2021 mbahen zgjedhjet parlamentare ku fitojnë forcat politike të mbështetura nga shteteve të caktuara evropiane; menjëherë pas kësaj date fillon presioni i evropianëve që Kosova ta themelojë Zajednicën duke qenë se evropianët ishin rreshtuar kundër lëvizjes së kufijve sa kishte qenë Thaçi President. Refuzimi i Kosovës për ta bërë Zajednicën e ka futur Kosovën nën sanksione perëndimore dhe tash tërë presioni vazhdon të rëndojë mbi Kosovën.

Ashtu siç Presidenti Thaçi ishte futur në sendwiç të fushatës elektorale të SHBA-së në 2020, me shumë gjasë do të futet edhe në fushatën elektorale të këtij viti (2024). Kjo sepse, më 6 maj 2024 Kongresi Amerikan ka filluar edhe zyrtarisht hetimet ndaj Jack Smith, ish-Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, i cili dyshohet se kishte bashkëpunuar me rusët për të ngritur aktakuzë kundër Hashimit Thaçit me shokë. Agresioni rus në Ukrainë në shkurt 2022 e diskreditoi aq shumë Rusinë para botës, saqë kjo e ekspozoi Rusinë si sponsorizuese direkte të Gjykatës Speciale në bashkëpunim të ngushtë me shtetin serb.

Dhe nëse pretendimet e Kongresit Amerikan ndaj ish-Kryeprokurorit Smith dalin të vërteta, atëherë do të konfirmohet se Hashim Thaçi kishte qenë pjesë e pazareve antishqiptare mes Kryeprokurorit (mjerisht) Amerikan Smith dhe rusëve, sepse siç e thashë më lartë, rusët – si atëherë ashtu edhe sot – investojnë pa fund që problemi mes Kosovës dhe Serbisë mos të zgjidhet kurrë, sepse duke mos u zgjidhur ky problem vërtetohet teza ruse se Perëndimi kishte bërë gabim kur e kishte bërë Kosovën shtet. Prandaj, një konfirmim i pretendimeve të tilla nga Kongresi Amerikan do ta diskreditonte deri në maksimum vetë ekzistencën e Gjykatës Speciale dhe kjo në terma praktikë do të thonte edhe mbyllje kësaj Gjykate të njëanshme dhe kthim i çlirimtarëve në Kosovë.

Pastaj në aspektin politik, nëse pretendimet e Kongresit ndaj e ish-Kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith, dalin të vërteta, a do të ishte kjo shtysë për fitore eventuale të Donald Trumpit për një mandat të dytë si President? Dhe nëse shtete të caktuara evropiane kanë filluar ta nuhasin fitoren e Trumpit në zgjedhje presidenciale në nëntor 2024, atëherë ka gjasa që ngutia për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në Kosovë është një përpjekje për rikonfirmim qytetar për ta bërë më pas Zajednicën për t’i ikur kështu lëvizjes së kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, diçka për të cilën do të mund ta shtynte si rend-ditë Presidenti Trump siç kishte bërë në 2020. Çështja është se nëse vjen Trump në pushtet, cilat do të ishin ato forca politike në Kosovë të cilat (s)do t’i mbështeste? Dhe se a do të vazhdohej me Zajednicë (nëse kjo s’bëhet sivjet) apo Lëvizje të Kufijve, apo me asnjërën prej tyre?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri…