A do të merr masa Donika Gërvalla ndaj Prindon Sadriut?
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur për deklaratën e bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindron Sadriu, i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ajo deklaratë ku etiketoheshin mediat si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” nuk ishte deklaratë e Prindonit diplomat, por e Prindonit bashkëshort.
“Përgjegjësi disiplinore për z. Sadriu do të kishte nëse gjatë ushtrimit të detyrës së tij si diplomat ai do të kishte shkelur detyrat e tij”, tha Gërvalla në ATV që shtoi se po të ishte gazetare nuk do të ndihej e ofenduar nga postimi i Sadriut.
“Si ministre e Punëve të Jashtme, si eprore direkte e z.Sadriu e kam për detyrë prononcimet e tij dhe të tjerëve ti lexoj me kujdes dhe të vlerësoj a janë shkelur kriteret profesionale në punën që ushtrojnë. Është shumë e qartë që kjo deklaratë nuk është e diplomatit Prindron Sadriu, kjo deklaratë është e bashkëshortit të detyruar të mbrojë dinjitetin e bashkëshortes”, tha Gërvalla.
Kryediplomatja kosovare tha se deklarata si e tillë nuk i pëlqen dhe ajo vet nuk do ta kishte bërë.
“A më pëlqen kjo deklaratë? Nuk më pëlqen, nuk do ta kisha thënë siç e ka thënë z.Sadriu por është një çështje e atij dhe arsyetimi i përket po atij dhe jo eprores së tij”, vijoi Gërvalla.