A do të mund të zvogëlohet numri i ministrive në 12 sosh?

24 tetor 2019 | 11:03

Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat janë pajtuar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje, synojnë që qeveria e tyre të ketë vetëm 12 ministri.

Mirëpo njohësit e rrethanave dhe shoqëria civile e kanë vlerësuar të pamundshëm arritjen e këtij qëllimi. Ata kanë bërë me dije se numri i ministrive duhet të zvogëlohet, por nuk ka logjikë të mbesin 12 ministri.

Analisti politik Naim Rashit ka thënë se qeveria e re duhet t’i ketë 15 deri në 16 ministri sektoriale. “LV-ja dhe LDK-ja kanë hapësirë të madhe për ta përmirësuar qeverisjen, por ato nuk duhet të nguten që ta riorganizojnë tërë sistemin e qeverisjes, rigrupimin e disa sektorëve në një. Qasja e qeverisë në Kosovë duhet të jetë sektoriale dhe sektorët kyçë duhet të mbeten të formësuar në ministri”, ka deklaruar ai, duke shtuar se kjo çështje shkon përtej një mandati qeverisës. “Numri i ministrive duhet të zvogëlohet, por nuk ka logjikë të bëhen 12. Integrimet evropiane nuk duhen të shkrihen etj. Mund të bëhen 15-16 ministri sektoriale. Organogrami dhe themelet e organizimit të qeverisjes janë çështje që tejkalojnë dhe shkojnë përtej një mandati qeverisës”, ka vlerësuar Rashiti, raporton “Epoka e re”.

Edhe koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, i cili ka hartuar projektligjin për qeverinë, ka thënë se ky dokument parasheh zvogëlimin e zëvendëskryeministrave, ministrive dhe të zëvendësministrave.

Ai ka bërë me dije se qeveria e ardhshme nuk duhet të ketë jo më shumë se 15 ministri. “Sipas projektligjit, qeveria do ta ketë kryeministrin, 2 zëvendëskryeministra (të emëruar nga radhët e ministrave), deri në 15 ministri, rreth 30 zëvendësministra, përgjysmim të numrit të këshilltarë politikë dhe nëpunës të kabineteve në 250. Si dhe nuk ka ministra pa portofol”, ka thënë Tahiri.

Lideri i LV-së, Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministër i ardhshëm, pas takimit që ka pasur me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, dhe kandidaten e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani, ka treguar se janë pajtuar për zvogëlim të numrit të ministrive. Ai pati deklaruar se qeveria e tij do t’i ketë vetëm 12 ministri dhe 26 zëvendësministra. “U pajtuam që t’i zvogëlojmë ministritë nga 21 sa kanë qenë në keqqeverisjen e kaluar, në 12. Por, edhe të mos jenë më shumë se një e treta e zëvendësministrave nga keqqeverisja e kaluar dyvjeçare, të mos jenë rreth 80 prej tyre, por një e treta e asaj çfarë kishim. Gjithashtu, u pajtuam që 30 për qind të ministrave dhe të zëvendësministrave të jenë gra në kuadër të përpjekjeve tona për barazi gjinore”, ka thënë Kurti.

Të mërkurën përfaqësuesit e dy partive, LV-së dhe LDK-së, janë takuar sërish për harmonizimin e programit qeverisës.

Pas këtij takimi Lumir Abdixhiku nga LDK-ja ka bërë me dije se zyrtarët e Vetëvendosjes kanë diskutuar për numrin e ministrive që do t’i ketë qeveria e ardhshme. Ai ka thënë se janë marrë vesh që qeveria e re t’i ketë vetëm 12 ministri. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Ministria e Diasporës dhe ajo e Integrimit Evropian do të shkrihen në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Në veçanti sot kemi diskutuar për formatin e qeverisë së ardhshme, për 12 ministritë se si do të duken ato dhe se si do të fuzionohen ato në ditët e para të qeverisë. Për bashkim të ministrive, për shembull kemi bërë fuzionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Integrimit Evropian dhe Diasporës në Ministri të Punëve të Jashtme dhe Integrime Evropiane. Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e kemi propozuar në disa kategori të cilat si skenar final u propozohen liderëve tanë politikë. Pra, ajo që është me rëndësi, kemi punuar në 12 ministri, me nga dy zëvendësministra për secilën ministri”, ka thënë Abdixhiku.

Qeveria në dorëheqje e Ramush Haradinajt vazhdimisht është kritikuar për numrin e madh të zëvendëskryeministrave, të ministrave dhe të zëvendësministrave, që ishin mbi 80.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka zhvilluar të enjten një operacion në…