A do të ndalet ndarja e parave për udhëtimin e deputetëve? Flet Glauk Konjufca
Kompensimet e deputetëve për shpenzimet e udhëtimit mund të hiqen, por kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se kjo nuk është kompetencë e tij.
Ai ka thënë se do të ishte mirë që grupi i deputetëve të LV-së ta propozonte shfuqizimin e vendimit të vitit 2011.
Konjufca ka thënë se është mirë që deputetët të hiqnin dorë nga marrja e këtyre mjeteve dhe se kjo çështje do të trajtohet kur të mbërrijë në Kryesinë e Kuvendit. Ai ka thënë se dy parti nuk e mbështesin ndalimin e ndarjes së mjeteve për udhëtim.
“Kjo nuk është në kompetencën e kryetarit në veçanti. Kryesia merret me këtë punë dhe dikush duhet ta iniciojë. Grupi i Lëvizjes Vetëvendosje do të ishte mirë që ta bënte këtu, meqë kanë shprehur në mënyrë vullnetare heqjen dorë nga këto shpenzime që quhen të rrugës dhe që parashihen me dokumentet tona, të Kuvendit. Sapo të paraqitet në mbledhjen e kryesisë ne do ta trajtojmë dhe me optimizëm që do t’i merr edhe votat e subjekteve tjera politike, të cilat kanë thënë që nuk e përkrahnin një vendim të tillë. Së paku dy subjekte politike deri tash i kam pa, të cilat nuk e përkrahin një vendim të tillë”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa deputeti i LV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se e kishin në plan që në mbledhjen e sotme të Kryesisë, e cila është ndërpre, ta propozonin rishikimin e vendimit të vitit 2011 për kompensimin e deputetëve.