A do të përfshihet Blinken në dialogun Kosovë-Serbi? Flet Escobar
I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për mundësinë e përfshirjes së Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në dialogun Kosovë-Serbi.
Ai, duke iu referuar deklaratës së zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit që e kishte lënë të hapur mundësinë e përfshirjes direkte të Blinken, tha se Blinken mund të bëjë disa telefonata për të afruar Kosovën dhe Serbinë.
“Nuk ka thënë se do të përfshihet në procesin e negociatave, por është i gatshëm të bëjë disa thirrje, të mbështesë procesin e negociatave dhe të çojë në një proces afrimi mes palëve biseduese”, deklaroi Escobar për N1, transmeton Klankosova.tv.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor tha po ashtu se targat dhe dokumentet identifikuese janë probleme të vogla në kuadër të dialogut.
Ai thotë se përfshirja e Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë e domosdoshme pas dialogut dhe jo gjatë tij.
“Gjithashtu dua të theksoj se gjërat për të cilat po flasim aktualisht – e ato janë targat dhe dokumentet identifikuese, në fakt problem i vogël në kuadër të platformës gjithëpërfshirëse të negociatave. Ka të ngjarë që angazhimi i Amerikës të jetë i domosdoshëm, jo në negociata, por pas dialogut, për të forcuar rrugën drejt suksesit, për të arritur paqen përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për të hapur një perspektivë evropiane për të dyja vendet”.