A do të pranonte Kosova marrëveshje pa njohje, Serwer e Maliqi analizojnë “propozimin” franko- gjerman
Propozimi i Berlinit e Parisit për Kosovën e Serbinë është duke qarkulluar së paku që nga muaji i kaluar. Përmbajtja e pakonfirmuar mbetet intriguese sidomos për kosovarët, pasi me gjasë propozimi nuk e ka “njohjen në qendër”. Francezët dhe gjermanët janë në pritje të Kurtit dhe Vuçiqit. Por a do ta pranonte Kosova këso zgjidhje? Daniel Serëer dyshon se mund të ndodhë diçka e tillë. Agon Maliqi versionin e tij për të gjitha leverditë që Kosova do t’i kishte me pranimin e kornizës, edhe me “njohje të tërthortë”.
Plani franko-gjerman më nuk mohohet, por përmbajtja e tij mbetet në masë të madhe në fazë të spekulimeve.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, përmes këshilltarëve të tyre u kanë dhënë Kryeminsitrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuciqit një lloj kornize të re për normalizim raportesh.
Kjo kornize e re, sipas një raportimi në media parasheh normalizim të raporteve nëpër një periudhë më të gjatë kohore. Ndërkohë që njohja do të trajtohej pas 10 vjetësh.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kur është pyetur nëse do të ishte e pranueshme një marrëveshja pa njohje reciproke, ka thënë: “Ata [këshilltarët francezë dhe gjermanë] kur kanë ardhur janë takuar tête-à-tête me z. Kurti dhe mendoj që Kurti do e dërgojë përgjigjen e tij, në momentin që i është kërku me dërgu përgjigjen”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Me këtë, ai ka zbuluar se ka një afat kohor kur Kryeministri Kurti duhet të japë përgjigjen e tij nëse e pranon ose jo propozimin franko-gjerman.
Se çfarë po gatuhet dha indikacione edhe Ambasadori i SHBA’së në Beograd Christopher Hilli i cili thekosi se “duam që çështja e Kosovës të zgjidhet në një formë”.
Profesori amerikan, që është ekspert i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, nuk e beson se Kosova do të pranonte një propozim të atillë, që njohjen ta merrte tek pas 10 vitesh.
“Dyshoj se Kosova do ta pranojë një dekadë vonesë. Gjithashtu, dyshoj se Vuçiq do të premtojë për ta njohur Kosovën, kurdoherë. Por, do të isha i lumtur po ta bënin”, ka thënë Serëer.
Publicisti Agon Maliqi thotë se propozimi në fjalë është një kornizë e përgjithshme dhe se aty ka mjaft hapësirë për t’u negociuar. Si e tillë, ai thotë se është e pranueshme.
“Mendoj se korniza si e tillë ka potencial për t’u pranuar sepse brenda saj ka hapësirë për një marrëveshje ku secila palë merr diçka shumë përmbajtësore dhe njëkohësisht nuk detyrohet të bëjë kompromise të llojit që brenda shtetit konsiderohen të papranuesheme”.
Sipas tij, inisistimi i Kosovës për njohje reciproke është legjitim dhe pozicion i duhur negociues. Por, ai flet për leverdinë e një “njohjeje të tërthortë, që do t’i largonte pengesat që i vë Serbia në hapësirën ndërkombëtare.
“Realisht në kontekstin e sotëm, në pamundësinë e aleatëve për ta detyruar njohjen formale, Kosova duhet t’i shqyrtojë mundësitë që i ofron kjo “njohja e tërthortë” përmes së ciles Serbia pranon të mos e kontestojë Kosovën ndërkombëtarisht, gjë që na i hap rrugët mbi të gjitha për njohjen e pesë shteteve në Evropë që nuk na njohin dhe rrugën drejt NATO-s”, thotë Maliqi për Gazetën Express.
Propozimi franko-gjerman është produkt i një angazhimi të intensifikuar së fundmi nga Franca dhe Gjermania, për dialogun Kosovë-Serbi. Serëer nuk është optimist se ky plan do të zgjidhë problemin mes dy shteteve ballkanike, megjithëse vlerëson ndërhyrjen e Francës dhe Gjermanisë.
“Nuk jam optimist, por mendoj se është mirë nëse Franca dhe Gjermania janë të përgatitura që ta vëjnë peshën e tyre politike dhe diplomatike prapa një propozimi të tillë. Do të ketë shumë detaje në të cilat duhet të punohet, nëse Vuçiqi e Kurti e nënshkruajnë”, thotë Serëer.
Maliqi thotë se mund të ketë ndëshkime për palët, të cilat, në sytë e të angazhuarve në dialog, tregojnë mungesë “konstruktiviteti”.
“Me shumë gjasë refuzimi i propozimit do të shoqërohet me ndëshkime të tilla të cilat liderët do t’i kenë parasysh. Pikërisht për këtë arsye edhe evropianët janë angazhuar në nivel më të lartë të emisarëve politikë të afërt me kryeministrin gjerman dhe presidentit francez. Besoj se ngushtimi i hapësirës manovruese ndërkombëtare për Kurtin dhe Vuçiqin do të ketë ndikim edhe në afatin kohor të arritjes së marrëveshjes”.
Zyrtarët kosovarë, sa herë që janë pyetur rreth planit franko-gjerman, kanë thënë se “mirëpresin” përfshirjen e aleatëve, por nuk kanë qenë entuziastë rreth propozimit konkret, të cilin thuhet se Kurti e ka në dorë.
Kryeministri Kurti thotë se gjithçka është e paformësuar, në fazën fillestare, prandaj nuk mund të flasë rreth propozimit franko-gjerman.
“Me të gjitha idetë që ne testohemi, nga zyrtarë e diplomatë nga më të ndryshmit, nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra, duhet që diçka të ngurtësohet, që të publikohet. Përderisa është në gjendje të lëngshme, nuk është korrekte nga unë që ta publikoj“, ka thënë Kurti së fundmi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se për Kosovën është e pranueshme vetëm një marrëveshje me “njohjen në qendër”.
“Ka iniciativa të ndryshme. Unë besoj se çdo iniciativë e aleatëve tanë, me të cilët bashkëpunojmë ngushtë, është i mirëseardhur, gjithmonë duke pasur parasysh atë që për ne është kërkesa themelore: njohja reciproke në qendër”“, ka thënë Sveçla për A2CNN.
Kur nisën raportimet për “kornizën e re”, Kryeministri Kurti fillimisht ka mohuar se ka marrë një propozim nga francezët dhe gjermanët, duke thënë se publikimet e “non-papers” bëhen “për ta matur pulsin e publikut”.
Mediumi “Albanian Post” në mesin e shtatorit publikoi detaje mbi “draftin e kornizës”, që thuhej se ishte propozuar nga gjermanët dhe francezët.
Pikat kryesore të kornizës, sipas atij raportimi, përfshinin nënshkrimin e një marrëveshejeje vitin e ardhshëm, ndërsa njohja e ndërsjellë të ndodhë pas një periudhe të gjatë kohore.
“Korniza e re” thotë se me marrëveshjen e vitit të ardhshëm, nëse palët e pranojnë, Kosovën do ta njihnin pesë shtetet e Bashkimit Evropian: Spanja, Greqia, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania. Gjithashtu, Serbia nuk do ta pengonte Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Shteti serb në këmbim, do të merrte ndihma masive ekonomike.
Publicisti Agon Maliqi konsideron se përmes një kornize të tillë, Kosovës do t’i hapej rruga në shumë drejtime për anëtarësim në organizatat pjesë e të cilat provon dhe aspiron të bëhet.
“Kosovës brenda kësaj kornize mund t’i sigurohet një zhbllokim të konsiderueshëm ndërkombëtar dhe t’i hapet rruga për anëtarësim në NATO, Këshill të Evropës, UNESCO, INTERPOL, etj, si dhe t’i ofrohen karrota financiare – krejt kjo me gjasë duke e pranuar një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës. Serbisë i ofrohet pak a shumë “iluzioni” i mosnjohjes për konsum të brendshëm, thellimi i marrëdhënieve me perëndimin, karrota financiare, si dhe shkrirja e kufijve në tregun e përbashkët rajonal (e cila është në thelb edhe interes shqiptar)”, thotë Maliqi./Express/