A do të quhet Universiteti “Hasan Prishtina” në të ardhmen “Mirëdita – Dobardan”?

05 maj 2023 | 13:07

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Patriotët jugosllavë dhe serbë kundër Hasan Prishtinës: Edhe në kohën kur Universiteti i Prishtinës u emërua me emrin e Hasan Prishtinës, ideologut dhe luftëtarit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar, deri kur u vra nga vrasës të paguar për qëllime politike në Selanik të Greqisë, kishte të tillë, kryesisht mbetjet jugosllave dhe serbe që flisnin shqip që, në heshtje e kundërshtonin këtë emërtim. Emri dhe vepra e Hasan Prishtinës ishin të pakapërcyeshme edhe për rrogëtarët besnikë që i shërbyen Jugosllavisë dhe Serbisë, atëherë e sidomos tani, shkëlqyeshëm të sistemuar në institucionet kosovare prandaj edhe kundërshtimi nuk ishte shumë i zëshëm. Hasan Prishtina ishte i vetmi politikan shqiptar që luftoi për liri dhe bashkim kombëtar edhe politikisht, si deputet i Kuvendit turk por edhe ushtarakisht si udhëheqës i kryengritësve shqiptarë. Ishte i pakompromis kur ishin në pyetje çështja kombëtare dhe atdheu, deri në kohën kur e vranë pabesisht në Selanik, Balto Stambolla, me bashkëpunëtorë! Në historinë e re dhe para kësaj, nuk ka politikan më të zotin, më të përgatitur dhe më të vendosur për çdo sakrificë se që ishte Hasan Prishtina. Hasan Prishtina e shkriu tërë pasurinë që e kishte e ishte i kamur për kohën kur jetoi dhe veproi për çështje kombëtare. Hasan Prishtina, as për së afërmi nuk u vlerësua për kontributin e tij kombëtar, as në Shqipëri e as në Kosovë por, qartazi Hasan Prishtina nuk veproi për t’u vlerësuar por se e kishte bindje, qëllim dhe gjakim. Baca Adem Demaçi e kishte shembull veprimtarinë e Hasan Prishtinës dhe e merrte si model të një veprimtari kombëtar të përkushtuar, deri në vdekje për liri dhe bashkim kombëtar. Edhe kryeministri i tashëm i Kosovës, së paku deklarativisht e thotë se Hasan Prishtina është shpirti frymëzues i të gjithë shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar e që e ka motivuar edhe vet kryeministrin për veprimtari politike.

Nuk e besoj të ketë popull normal në botë e që nuk do të mburrej me personalitetin si ai i Hasan Prishtinës kurse te ne del një rektor i quajtur Qerim Qerimi, i ndikuar nga politika multietnike, me një arsyetim gjysmidiotik se pse duhet t’i kthehet emërtimi i mëparshëm i Universitetit të Prishtinës. Në këtë mënyrë po e përzë Hasan Prishtinën, edhe si emërtim por edhe si bust nga oborri i Rektoratit dhe Universitetit për t’ua përmbushur epshin e vëllazërim – bashkimit nostalgjikëve jugosllavë dhe serbë që aktualisht janë fuqizuar shumë duke u metastazuar në të gjitha poret e institucioneve të Kosovës. Edhe 24 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, nuk u gjet as edhe një metër truall në Prishtinë për vendosjen e shtatores së Kryheroit dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari, që u sakrifikua, bashkë me familjen dhe me bashkëluftëtarë, pikërisht nga qerimqerimët sikur që po bëhen përpjekje që Frymëzuesi dhe Kuptimi i Luftës së Shqiptarëve për Liri dhe Bashkim Kombëtar, Baca Adem Demaçi të zhvendoset në Podujevë, me qëllim të margjinalizimit të figurës së tij, në vend që ta ketë një përmendore monumentale në qendër të Prishtinës. Baca Adem Demaçi, si personalitet i papërsëritshëm nuk e meriton në asnjë mënyrë ta ketë përmendoren as te Sheshi i emërtuar, afër pompës së derivateve të Behgjet Pacollit por pikërisht në qendër. Nëse ish të burgosurit politikë dhe ish bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e Bacës Adem Demaçi do ta lejojnë këtë përmbysje të trajtimit të një personaliteti siç ishte Baca, atëherë të gjithë ne do të jemi bashkëfajtorë të kësaj përmbysjeje morale. Nëse lejohet që në këtë mënyrë të keq – trajtohet edhe personaliteti i Hasan Prishtinës nga injorantë që përmbushin diktate dhe kërkesa të politikës ditore multietnike, të tillë do të bëhemi edhe ne! Këta që janë pa histori po përpiqen ta rishkruajnë historinë qoftë duke i dërguar çlirimtarët në Hagë, qoftë duke e larguar Hasan Prishtinën nga Universiteti i Prishtinës, qoftë duke penguar ardhjen triumfale të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prishtinë apo duke bërë përpjekje ta margjinalizojnë Bacën Adem Demaçi. Mirëpo, të lartpërmendurit, nuk e shkruan historinë por e krijuan historinë, me shumë vuajtje, djersë dhe gjak prandaj, këta të poshtër janë duke e bërë punën e Sizifit për t’i ndryshuar rolet. Të poshtër ishin, të poshtër janë dhe ardhmërinë do ta kenë të poshtër!

Cilat ishin dhe cilat janë propozimet konkurrente për riemërtim të Universitetit: Nga kotilla e politikbërjes dhe ndikimit politik sot në Kosovë thuhet se ka shumë emra të propozuar, që të gjithë të njohur dhe të shquar për kontributin patriotik gjatë kohës së Rankoviqit, Josip Broz Titos dhe Sllobodan Millosheviqit.  Emrat e propozuar janë të Ali Shukrisë, Fahredin Gungës, Rexhai Surroit, Mark Krasniqit, Mehmet Maliqit – Qorrit, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës, Rrahman Morinës dhe disa të tjerë. Duket një listë mbresëlënëse, për kotillën në fjalë. Dhe, si kompromis , për t’i ikur emrave të veçantë shkaku se mund të shkaktojë çarje në skenën politike duket se ka mbizotëruar propozimi për emërtim me “Mirë Dita – Dobar dan” shkaku se përputhet qind për qind me aktualitetin politik në Kosovë që siguron një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Prandaj iu pengojnë Hasan Prishtina, Adem Demaçi, Adem Jashari, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, heronjtë e gjallë dhe heronjtë e përjetësuar. Prandaj e duan Gjykatën Speciale, prandaj nuk i vizitojnë sepse patriotizmin shqiptar e konsiderojnë si të dalë mode kurse patriotizmin jugosllav dhe serbian e konsiderojnë si melodi të përjetshme për veshët e tyre.

Dje ishin në Bruksel Albin Kurti dhe Besnik Bislimi, me nëntë këshilltarë. Nëse ua analizoni të tashmen dhe të kaluarën e tyre politike dhe kombëtare që e kanë të trashëguar nga paraardhësit e tyre biologjikë, çdo gjë mund të gjeni aty përveç frymës kombëtare. Frymën kombëtare nuk mund ta gjeni aty as si gjurmë apo edhe as si hije. Del të jetë aty patrioti më i madh ai këshilltari kinez i Kurtit, Mao ce Duni që e përcjellë Kurtin gjatë tërë procesit të ngjitjes në pushtet. Prandaj del një marrëveshje mashtruese për personat e pagjetur me të cilën mashtrohen paturpësisht dhe padrejtësisht familjarët që për më tepër se 24 vite kërkojnë informata për më të dashurit e tyre. Kjo marrëveshje, do ta shohim se nuk bënë asnjë zgjidhje, është thjesht blerje kohe dhe po përdoret për të heshtur reagimet për themelimin e Asociacionit. Serbia, si shtet i organizuar mund edhe t’i hapë dosjet sepse gjithmonë ka mundësi t’i fabrikojë ato. Serbia nuk do ta pranojë asnjë përgjegjësi. Kosova, cilat dosje do t’i hapë; ato të UÇK-së në kohën kur komandant i saj ishte Besnik Bislimi dhe se pati deklaruar se edhe Kosova duhet t’i hapë dosjet e UÇK-së. Injoranti, rrenci dhe mashtruesi, tri në një! Ia kalon edhe vet dr. Xhekilit për ndërrim të pa – fytyrave!

Albin Kurti e ka harruar Hasan Prishtinën dhe Adem Demaçin: Adem Jasharin dhe heronjtë tjerë i përdorë për fushata zgjedhore dhe mbajtje të pushtetit. Deklaron se ka ardhur koha që familja Jashari të japë një president për Kosovën, e bënë pastaj Vjosa Osmanin. Nuk e di nëse kjo është e familjes Jashari.

Me këto zhvillime e ardhmja e Kosovës nuk po largohet nga Serbia por po lidhet më fort se në kohën e Sllobës, jo me dhunë por me mjete politike. Po jetësohet synimi i ambasadorit Hill për një autonomi substanciale për Kosovën. Po jetësohet dëshira e ambasadorit Hill që sa më shpejt të formohet Asociacioni. Duket se kjo ka qenë e vetmja kërkesë e ambasadorit Hill nga Peshku i Art; formimi i Asociacionit – Zajebnicës. Merreni me mend, draftpropozimi i Asociacionit nga deputetja e Vuçiqit ishte shkruar në alfabetin cirilik. Sikur që Kosova të jetë e Vuk Karaxhiqit. Kryeministri Kurti tha se gjatë këtyre dy viteve plotë 10 herë është takuar me grekun Dendias. Dhe këtë e ka bërë pasi Greqia e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka hapur ambasadën në Beograd…Prishtinë. Po kujt leshi ia ndien se sa herë u takua Kurti me Dendias?! Kanë vendosur ta hapin urën mbi lumin Ibër që e ndanë Mitrovicën. Pushteti është i vendosur por janë disa probleme të vogla por të papërballueshme, deklaratat e mashtruesit Lajçak dhe Rrahman Morinës së Katalonjës, Joseph Borrell, deklaratat e KFOR-it dhe atyre që kanë koçe dhe nuk i bartin ato vetëm për nevoja fiziologjike. Do ta shohim, Albini dhe Vuçiqi i kanë shpeshtuar takimet. Mendoj se çështje e Asociacionit është punë e përfunduar. Nëse jo, Chollet nuk do ta thërrasë Albinin në telefon e as ndërmjetësuesi me mbiemër frikësue Eskobar nuk do të jetë pjesë e takimeve. Nga praktika dhe përvoja e them se lehtësuesit në këto procese janë rënduesit më të mëdhenj sidomos në fazën merre ose nuk ta japim. Qofsha i gabuar! Uroj që Albini ta ketë të drejtë dhe të dalë e kundërta e kësaj që po e parashikoj!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Balerinat e “Maria Bonita Club” ishin të pranishme mbrëmjen e…