A do të shpërbëhet Bosnja?
Mirko Zeçeviq Tadiq ishte pjesëtar i Këshillit për Mbrojtje kroate gjatë luftës së Bosnjës.
Ai kishte arritur moshën madhore në kohën kur shpërthyen luftimet më 1992 dhe më pas humbi këmbën e tij të djathtë gjatë konfliktit ndërmjet shumicës boshnjake, serbëve dhe kroatëve, që jetonin në ish-republikën Jugosllave.
Pothuajse tri dekada më vonë, 47-vjeçari, banor i Bërçkos, në veri të Bosnje e Hercegovinës, është pjesë e grupit për mbështetjen e veteranëve, që quhet Pravipozar.
“Ne humbën shumë në luftë: miq dhe të afërm. Asnjëri nga ne nuk fitoi diçka, pavarësisht se ku është”, tha Tadiq për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Përveç se ndihmon ish-ushtarët nga të gjitha entitetet, ai dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi takohen edhe me gjeneratat e reja për t’iu treguar eksperiencat e tyre lidhur me tmerret e luftës në Ballkan.
“Ne duam të tërheqim vëmendjen në faktin se ne që ishim në atë luftë në vitet 1990 dhe që përjetuam sfidat më të mëdha, të theksojmë nevojën për të folur dhe për të ecur drejt një jete më të mirë. Ne nuk kemi nevojë të flasim për një luftë të re ose për një konflikt të ri”, tha Tadiq.
Mesazhi i këtyre veteranëve të luftës kishte një peshë të re më 2021 teksa u rrit frika për një shpërbërje të rrëmujshme të Bosnjës, e cila ende qeveriset sipas marrëveshjes së paqes të vitit 1995, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit, që ndan vendin në një federatë boshnjake dhe kroate dhe një entitet me shumicë serbe, e njohur si Republika Sërpska.
Këto shqetësime janë nxitur nga krizat kushtetuese dhe kërcënimet për shkëputjen e serbëve të Bosnjës, së bashku edhe me bojkotimin e planifikuar të zgjedhjeve kombëtare që mbahen më 2022. Ankesat e bëra për dekada të tëra kanë hidhëruar kroatët e Bonjës, të cilët janë të pakënaqur me përfaqësimin e tyre në institucionet federale dhe kombëtare.
Disa boshnjakë, dhe disa vëzhgues të jashtëm, kanë shprehur shqetësimin e tyre se nëse viti 2022 mund të jetë viti kur mund të gjitha këto pakënaqësi mund të çojnë në konflikt të armatosur.
“Viti i 2022, dhe ndoshta edhe një periudhë pak më e gjatë, do të jetë vendimtar”, tha Marko Prelec, konsulent dhe analist për Ballkanin, që punon edhe për Grupin e Krizave. Ai e cilëson atë si “ndoshta krizën më serioze, të paktën në 20 vjetët e fundit, pra që nga vitet e hershme të Dejtonit”.
Ai nuk është i vetmi që ka këtë mendim.
‘Kërcënimi ekzistencial’ i Bosnjës
Përfaqësuesi i ri i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, ka paralajmëruar Kombet e Bashkuara se situata paraqet “kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e pasluftës” në Bosnje.
Shumica e analistëve pajtohen. Por, ata thonë se përderisa nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia se mund të ketë dhunë në shkallë të gjerë, një mundësi e tillë ka pak gjasa të ndodhë, për një sërë arsyesh.
“Unë mendoj se është kërcënim ekzistencial për Bosnjën, por jo në kuptimin që do të ketë kthim në luftën e stilit të viteve ‘90”, tha Toby Vogel, analist për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunëtor në Këshillin e Politikave të Demokratizimit.
“Mendoj se kjo ka pak gjasa të ndodhë, ndoshta është edhe e pamundur – edhe pse nuk do të doja domosdoshmërish të thosha se kështu do të ndodhë”, shtoi ai.
Rreth 105,000 persona vdiqën në luftën e Bosnjës që u zhvillua në vitet 1992-95. Shumica e viktimave, apo dy e treta e tyre ishin boshnjakë, ndërkaq 23,000 ishin serbë dhe 9,000 kroatë, kanë thënë hulumtuesit e krimeve të luftës në Hagë. Ky konflikt ishte veçanërisht brutal për shkak të “spastrimit etnik” që shoqëroi luftimet.
Analistët thanë se që atëherë popullsia e Bosnjës është plakur në mënyrë të konsiderueshme, pjesërisht falë një eksodi të të rinjve që kërkojnë punë dhe perspektivë më të mirë jashtë vendit, dhe popullsia e këtij shteti ka më pak trajnime ushtarake dhe ndoshta edhe më pak armë. Territori i Bosnjës tani gjithashtu është më shumë homogjen etnikisht.
Por, ata janë të brengosur për fatin e shtetit, për tre milionë banorët e Bosnjës dhe për rajonin.
“Kërcënimi ekzistencial për Bonjën unë nuk e shoh aq shumë si një luftë ndërmjet forcave të armatosura të organizuara, por më shumë në përshpejtimin e shpërbërjes graduale të shtetit të përbashkët, të institucioneve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës”, tha Vogel.
Ai shtoi se “është intensifikuar shkatërrimi i themeleve të shtetit”.
“Ajo çfarë mund të ndodhë është një nivel më i ulët i dhunës që çon në ‘konflikt të ngrirë’ dhe në thelb, në një shtet të dështuar. Dhe ne nuk na duhet edhe një Transdniester ose një edhe një Oseti Jugore në Ballkan”, tha Prelec duke iu referuar konflikteve të pazgjidhura në rajonet e shkëputura në Moldavi, respektivisht në Gjeorgji.
Kampe të “mira” dhe të “këqija”?
Ka një konsensus të përgjithshëm të të gjithë vëzhguesve në Ballkan se korniza e Dejtonit ishte e suksesshme në rikrijimin, e të paktën një shteti pjesërisht funksional dhe lejimin që njerëzit të jetojnë jetën e tyre. Por, ata mendojnë se marrëveshja ka dështuar të vendosë një themel të qëndrueshëm kushtetues. Në mungesë të një alternative më të pranueshme, kjo marrëveshje ndoshta duhet të jetë e mjaftueshme tani për tani.
“Ndoshta pika më e rëndësishme është se ju keni një situatë ku përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme – sido që duan ta definojnë veten e tyre – janë të ndarë pothuajse 50 me 50 në mes të atyre që duan të vazhdojnë projektin e shtetndërtimit dhe të punojnë edhe më shumë në qeverinë shtetërore me seli në Sarajevë, dhe atyre që duan ta kthejnë atë, ose deri në një pikë të një federate me më shumë liri ose të shkojnë deri në shpërbërjen e institucioneve aktuale përmes ndarjes dhe pavarësisë”, tha Prelec.
Ka një korrelacion midis përkatësisë etnike dhe përkushtimit për një kombësi boshnjake apo të institucioneve kombëtare, tha ai, por gjithashtu ka një kryqëzim “që nuk është i papërfillshëm” ndërmjet serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, të cilët nuk pajtohen me shumicën e tyre përkatëse.
“Kjo nënkupton se askush nuk mund të marrë iniciativën”, tha Prelec. Ai argumentoi se ka një keqkuptim lidhur me atë se “shteti është i ndarë në kampe ‘të mira’ dhe të ‘këqija’ dhe se në ‘kampin e keq’ janë nacionalistët dhe në atë ‘të mirë’ janë qytetarët progresivë, pro-shtetërorë dhe pro-evropianë”.
“Kjo me të vërtetë na pengon që të kuptojnë se të gjitha partitë, në fund të fundit, po përpiqen të arrijnë një marrëveshje të mirë për zgjedhësit e tyre”, tha Prelec.
Faktori Dodik
Në krejt këtë situatë, Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në largim, Valentin Inzko në muajin korrik të vitit 2021 vendosi që të ndalojë mohimin e gjenocidit, vendim ky që zemëroi anëtarin serb të Presidencës trepalëshe, Millorad Dodik.
Inzko përdori fuqitë e tij për të ndaluar mohimin e gjenocideve të njohura në Bosnje apo ndërkombëtarisht, siç është masakra në Srebrenicë më 1995, ku forcat serbe të Bosnjës vranë 8,000 burra dhe djem, kryesisht myslimanë. Ai po ashtu rrëzoi disa vendime për nderimin e disa kriminelëve të dënuar të luftës si dhe ndaloi gjuhën e urrejtjes.
Ekspertët thanë se pavarësisht sa qëllime të mira ka mundur të ketë pasur vendimi i Inzkos, ky vendim ishte shumë i papëlqyer në mesin e shumë serbëve dhe ndoshta u mor në kohë të gabuar, pasi Inzko po përgatitej që t’ia dorëzonte mandatin pasardhësit të tij, Schmidt.
“Kjo me të vërtetë e zemëroi Dodikun”, tha Vogel. Me kërkesën e Dodikut, ligjvënësit e Republikës Sërpska dhe presidentja e kësaj republike, në muajin tetor sfiduan autoritetin e Komisionarit të Lartë duke ndaluar zbatimin e kufizimeve të tij dhe duke ndaluar sugjerimet se Republika Sërpska është krijuar si rezultat i spastrimit etnik.
Dodik po ashtu njoftoi se Republika Sërspka shumë shpejt do të tërhiqej nga ushtria e përbashkët e shtetit, nga institucionet e drejtësisë dhe administrata tatimore dhe do të vendosë autoritetin e saj kufitar.
Me autoritetin e diskutueshëm, Parlamenti i Republikës Sërpska që atëherë ka shtyrë përpara përpjekjet për ndarje, ka bërë thirrje për draftimin e një kushtetute të re dhe i ka shpallur jokushtetuese të gjitha ligjet që i ka nxjerrë Përfaqësuesi i Lartë.
Është e paqartë sesa e thellë është mbështetja për Dodikun ose deri ku është ai i gatshëm të shtyjë kërkesat e tij. Duke i qëndruar pas kërcënimit të tij të kamotshëm se do të shpallë pavarësinë nga Bosnja, jo vetëm që do ta dëmtojë kornizën e Dejtonit, por mund të nxisë dhunë në shkallë të gjerë.
Prelec tha se “interpretimi më shpresëdhënës është se ajo që Dodiku dëshiron është një lloj marrëveshjeje relativisht lehtë e rinegociuar, që thjesht do të forconte autonominë që ata tashmë e kanë”.
Analistët sugjerojnë se nuk ka një masë kritike brenda komunitetit të serbëve të Bosnjës për të shtyrë përpara përpjekjet për ndarje, megjithëse Dodiku edhe në të kaluarën është njohur si njeri që bën deklarata për gjëra që nuk mund të realizohen.
“Dodiku është shumë i mirë në testimin e vijave të kuqe dhe për të parë sesa larg mund të shkojë dhe unë mendoj se kjo është pikërisht ajo që po shohim tani”, tha Florian Bieber, drejtor në Qendrën për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit.
Ai tha se Dodiku edhe në të kaluarën ka kërcënuar se do ta shkatërrojë shtetin e Bonjës dhe tani ai “po e bën këtë më të imagjinueshme dhe në një formë po shtyn përpara agjendën e tij”.
Mlladen Lisanin, hulumtues në Institutin për Studime Politike në Beograd, paralajmëron se nëse Dodiku është i papërgatitur për të organizuar dhunë në përpjekjen e tij që të fitojë pavarësinë, deklaratat e tij dhe kundërkërcënimet që pasojnë, rrezikojnë pasoja të rënda në një shoqëri, siç është ajo e Bosnjës.
“Mendoj se edhe për (Dodikun) dhe rrethin e tij të ngushtë të këshilltarëve dhe njerëzve që punojnë për të, dhuna fizike aktualisht është vijë e kuqe, sepse në fund të fundit, ka shumë të ngjarë që do të ishte një goditje fatale për karrierën e tij politike, në terma afatgjatë – edhe nëse ai nuk i intereson jeta e njerëzve që jetojnë në Republikën Sërpska dhe në Federatën e Bosnje e Hercegovinë”, tha Lisanin.
“Rreziku është, sigurisht, se nëse nuk jeni gati të veproni në lidhje me kërcënimet tuaja për përdorimin e forcës, kjo nuk nënkupton që dikush tjetër nuk iu merr seriozisht sepse askush nuk është i obliguar që të kuptojë logjikën tuaj politike që fshihet pas retorikës suaj të ashpër”, shtoi ai.
Ngërçi rreth zgjedhjeve
Ndërkaq, një krizë tjetër tashmë ka paralizuar institucionet e tjera, veçanërisht ato në Federatën boshnjake dhe kroate dhe kërcënon që të prishë zgjedhjet që janë paraparë të mbahen në tetor, të cilat veçse janë dëmtuar për shkak të paralajmërimeve për bojkot, si nga serbët, ashtu edhe nga kroatët.
Kroatët e Bosnjës për vite me radhë janë ankuar se për dallim nga boshnjakët dhe serbët, ata nuk kanë shumicë në asnjë “entitet”, që doli si rrjedhojë e kornizës së Dejtonit.
Anëtari kroat i Presidencës trepalëshe të Bosnjës është zgjedhur në dy zgjedhjet e fundit duke u mbështetur në fuqinë e votave nga shumica boshnjake pa mbështetjen e partisë më të madhe të etnisë kroate, Bashkimit Demokratik Kroat të Dragan Çoviqit.
Boshnjakët me vendosmëri i kanë rezistuar thirrjeve për formimin e një qarku me shumicë kroate, duke e shtyrë Çoviqin dhe partinë e tij që të ndërpresë bashkëpunimin me homologët e tij boshnjakë në shumë forume.
“Qartësisht, Republika Sërpska dhe Dodiku janë në qendër të vëmendjes, jo vetëm për shkak të retorikës së tij të ashpër, por mendoj se situata me përfaqësimin kroat në Presidencën e shtetit duhet të adresohet dhe duhet të adresohet shumë shpejt”, tha Lisanin.
Shumë vendime të Gjykatës evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Komisionit të Venecias kanë bërë thirrje për ndryshime që do të eliminonin sistemin aktual që bazohet në etni për votuesit dhe kandidatët në Bosnje.
Sipas Lsanin, kjo është një prej atyre krizave që thjesht kanë ndodhur gjatë 26 vjetëve të fundit.
“Në periudha të ndryshme, ato (krizat) shfaqen në forma të ndryshme, por realisht asnjëherë nuk janë tejkaluar”, tha Lisanin.
Shtetet e Bashkuara kanë emëruar Matthew Palmer të dërguar të posaçëm për reformën zgjedhore në Bosnje. Emërimi i Palmerit është bërë në përpjekje për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit lidhur me reformën. Vogel sugjeroi se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja “do të bëjnë gjithçka që të sigurohen që këto zgjedhje të mbahen”.
Ai tha se është në dijeni për kërcënimet e bëra nga Dodiku dhe Çoviqi për bojkot dhe ndoshta për të prishur zgjedhjet e tetorit, por paralajmëroi kundër koncesioneve afatshkurtra, të cilat, sipas tij, “thellojnë ndarjet artificiale dhe forcojnë fuqinë e partive nacionaliste”.
“Kështu që tani mund të jetë një moment i presionit të madh, i kontestimit të madh”, tha Vogel.
Afati po afrohet për miratimin e reformës zgjedhore, në mënyrë që të mbahen zgjedhjet e tetorit. Për këtë reformë kërkohet një marrëveshje e përgjithshme, e cila do të duhet të zbatohet të paktën gjashtë muaj para mbajtjes së votimeve.
“Në Bosnje gjithmonë ka dritare të ngushta mundësish, momente kur mund të përfshihesh në reforma – dhe këtë nuk mund ta bësh në vitet zgjedhore”, tha Bieber.
Ai nuk parashikoi se mund të dalë në një periudhë të shkurtër ndonjë alternativë për kushtetutën e Dejtonit.
“Nuk shoh se mund të ndodhë një gjë të tillë në një të ardhme të afërt”, tha Bieber.
“Dhe, çfarëdo reformash të Dejtonit që do të bëhen, ato nuk do të mund ta ndryshojnë dinamikën e përgjithshme të vendit në një formë thelbësore, sepse cilado qoftë zgjidhja, në të ende do të jetë e përfshirë një Republikë Sërpska, ato sërish do të ketë aktorë politikë të ndarë në bazë etnike… dhe sistemin klientelist që ata kanë ndërtuar gjatë dekadave të fundit”, shtoi ai.
Ndërkaq, sipas Lisanin, është e papërshtatshme dhe potencialisht e rrezikshme të kesh institucione që nuk funksionojnë, veçanërisht në një periudhë afatgjate.
“Megjithatë, ajo çka është më e rrezikshme është që të trajtoni zhvillimet e përditshme si ngjarje të izoluara dhe incidente të izoluara, dhe të mos e shihni të gjithë këtë në një kontekst të procesit që ka vazhduar për mbi 20 vjet dhe shumë lehtë mund të zgjasë edhe në dhjetë apo 20 vjetët e ardhshëm”, tha Lisanin.
Ai sugjeroi se tani për tani do të mjaftonte “të dërgohej sinjal tek aktorët politikë se ata njihen si përfaqësues legjitim brenda komuniteteve të tyre”.
Sinjalet e rrezikshme
Por, zgjidhjet e shpejta për një shtet që ka probleme të rrënjosura kaq thellë, i bëjnë të tjerët më nervozë.
“Unë nuk jam dikush që besoj se stabiliteti është gjëja më e rëndësishme që mund të arrihet. Unë mendoj se një qeveri e përgjegjshme dhe demokratike, në fund të fundit, është më e rëndësishme sesa nëse një situatë e veçantë për momentin është paksa e paqëndrueshme”, tha Vogel.
Por, ai paralajmëroi se “problemi është se ne kemi hequr të gjithë parmakët mbrojtës”. Lejimi i liderëve etnikë si Dodik dhe Çoviq të “detyrojnë komunitetin ndërkombëtar të diskutojnë për çështje që vërtetë do të duhej të ishin të panegociueshme”, sipas Vogel, është gabim.
Ekspertët kanë treguar se cilat gjëra duhet të shikohen më 2022 për të kuptuar se nëse në të vërtetë Bosnja do të shpërbëhet.
Ata kanë thënë se shpallja e pavarësisë nga Republika Sërpska apo formimi zyrtar i ushtrisë së Republikës Sërpska – dy gjëra që Dodiku veçse i ka diskutuar publikisht – mund të jenë një prej momenteve të tilla që do të linin të kuptohet se Bosnja do të shpërbëhet.
Prelec tha se për të “një situatë ku dy palët thjesht po injorojnë ligjet e njëra-tjetrës, janë një sërë hapash në rrugën e shpërbërjes”.
“Përveç kësaj, shtoni edhe faktin që njerëzit që do të zgjidhen në zgjedhjet e tetorit nuk do të njihen nga gjysma e shtetit për shkak të bojkotit, dhe ky do të jetë një hap tjetër i madh”, shtoi Prelec.
Vogel tha se dhuna mund të jetë një shkaktar tjetër i pakthyeshëm.
“Nëse krijohen kushtet për luftë, kjo nuk do të jetë për fajin e popullit të Bosnje e Hercegovinës”, thanë aktivistet kundër luftës, Gorana Mlinareviq dhe Nela Porobiq në një koment të publikuar në nëntor mbi “luftën e parashikuar”. Ato fajësuan elitat etno-nacionaliste dhe komunitetin ndërkombëtar, përgjigja e të cilëve, padyshim “që krijoi më shumë tension”.
Ato thanë për Radion Evropa e Lirë se disa lexues kanë shprehur lehtësim se “më në fund një zë kundër luftës doli në hapësirën publike”.
“Njerëzit që kanë jetuar në vitet ’90 natyrisht se kurrë më nuk do të mund të thonë ‘lufta është diçka e pamundur’ sepse e kanë jetuar një luftë dhe e dinë se asgjë nuk është e pamundur, por sërish ideja është që ata nuk e duan (një luftë të re). Njerëz të tjerë duan luftën për ta”, shtuan ato.
Gjetja e ndonjë alternative të mundshme për arkitekturën e Dejtonit do të kërkonte një mendim të guximshëm dhe kreativ.
“Unë jam personi i fundit që mund të pretendoj se një gjë e tillë është e lehtë”, tha Vogel, “por, mënyra sesi nuk do të mund ta kapërceni atë është duke vazhduar së fuqizuari liderët nacionalistë”.
Ndërkaq, sipas Bieber, “interpretimi optimist i pesimizmit” është se ndryshimi do të vije nga vetë forcat shoqërore të Bosnjës dhe nga vetë forcat e saj politike që padyshim janë jopopullore, në vend se ndryshimet të imponohen nga jashtë.
“Unë mund të imagjinoj shfaqjen e alternativave politike, edhe nëse ato nuk janë ende të dukshme apo mjaft të fuqishme për të ndryshuar realisht dinamikën”, tha ai, “por, kjo nuk nënkupton që ato nuk të mund të fuqizohen në kohën e duhur”.
Duke paraqitur një mendim të ngjashëm, Prelec përshkroi lehtësinë me të cilën boshnjakët i shohin linjat, kryesisht të pacaktuara, ndërmjet etnive më të përafruara, që përbëjnë këtë shtet.
Në varësi të rrugës që zgjidhni, një udhëtim me makinë nga Sarajeva në Banjallukë mund të bëjë që të kaloni disa herë në Federatën boshnjake e kroate dhe Republikën Sërpska, dhe dallimi i vetëm është se tabela njoftuese mund të jetë ose në latinisht ose në cirilik.
“Nuk e keni idenë se ku është vija ndarëse dhe askush nuk e di”, tha Prelec.
Me të gjitha të metat, Prelec e vlerësoi marrëveshjen e Dejtonit për qëndrueshmëri, të paktën pjesërisht.
“Ekziston një lloj fondi apo rezervuari i vullnetit për bashkëjetesë që vjen nga thjesht të jetuarit në mënyrë paqësore për 26 vjet. Veçanërisht për të rinjtë, sepse ata kanë lindur në këtë botë, në këtë Bosnje të Dejtonit”, tha Prelec.