A do t’i ndodh Vuçiqit rrëzimi nga pushteti si Millosheviqit!?
Shkruan: Fatmir Sheholli, drejtor i IAMN
Çdo liderë institucional i Serbisë që nga Millosheviqi, përmes Koshtunicës, Daçiqit e deri te presidenti i parafundit të Serbisë, Boris Tadiq, siç thotë një proverb popullor, “patën marë në thua” e janë rrezuar në kokërr të shpinës kur ju kanë qasur Kosovës jorealisht!
Si duket ky fat politik po e përcjell edhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq!? Në Beograd, Nish, Kragujevc e Novi Sad po organizohen protesta qytetare të cilat çdo herë e më shumë po masivizohen. Kështu patë ndodhur kur në vitin 2000 patën filluar protestat gjithëpopullore në Serbi kur nga pushteti u rrezua Millosheviqi. Tani ka një ndryshim, protestuesve serbë në Beograd e gjetiu po ju prijnë artistët, shkrimtarët, intelektualët, sportistët dhe qytetarë të pakënaqur me pushtetin autokrat të Vuçiqit. Pra në krye të protestave qytetarët serbë në Serbi nuk po lejojnë që politikajt të jenë! Kjo d.m.th që popullata serbe akademike dhe e artistëve e sportistëve nuk dëshiron të identifikohet me asnjë parti politike opozitare në Serbi. Ky vetëdijesim i kësaj shtrese serbe është porosi edhe për opozitën në Serbi që “nuk ju besojmë”!?
Megjithatë, si duket fati i Vuçiqit pas 6 vitesh të pushtetit të tij absolut është lëkundur në themele. Një intelektual serb i Beogradit me tha para ca ditësh “Vuçiqi nuk do të largohet në paqe nga pushteti. Duhet t’i ndodhë populli sepse vetëm atëherë do ta rrëzojmë nga pushteti”. Kjo d.m.th që populli serb në Serbi nëse dëshiron pa dhunë ta largojë Vuçiqin nevojitet të masivizohet në protesta. Një protestë e tillë është paralajmëruar për 16 janar në njëvjetorin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviq. Sipas deklaratave të organizatorëve të këtyre protestave “pasi që Vuçiqi po gënjen në opinion se jemi shumë pak prostestues, edhe pse herën e fundit ishin vetëm në Beograd 50 mijë protestues, atëherë ai le të na numëron sa jemi, kurse ne do t’ia numërojmë edhe sa ditë i ka pushtet”.
Nga ky konstatim i organizatorëve shihet vendosmëria e tyre e palëkundur në qëllimin e rrëzimit nga pushteti i Vuçiqit. Shumica e protestuesve aktual po e kërkojnë rrëzimin nga pushteti te Vuçiqit për shkak të pushtetit siç thonë diktatorial në çdo sferë jetësore. Çështja e Kosovës sipas tyre nuk është pjesë e organizimit të protestave për rrënimin e pushtetit të Vuçiqit por pushteti i tij diktatorial në Serbi. Pjesa dërmuese e organizatorëve të protestave konsiderojnë se çështja e Kosovës ka përfunduar dhe Vuçiqi këtë çështje e ka përdorur vetëm si alibi për të qëndruar në pushtet.
Presidenti serb, edhe pse publikisht nuk po dëshiron të pranojë që masovizimi i protestave ia ka “shkundur pluhurin” e pushtetit të tij autokrat, megjithatë ka filluar të reflektoj duke i ofruar opozitës serbe zgjedhje parlamentare. Por Vuçiqi në këtë rast ka gabuar rëndë, ai nuk është duke u përball me opozitën serbe por me qytetarë apolitik të cilët nuk po i lejojnë as opozitës serbe të jetë në krye të protestave. Ky moment është i jashtëzakonshëm dhe duket pa zgjidhje për Vuçiqin në muajt e ardhshëm.
Mbetet të shohim a do të rrënohet nga pushteti Vuçiqi sikurse shefi i tij në vitet e ’90-ta Sllobodan Millosheviq!?