A duhet Qeveria e Kosovës ta njohë zyrtarisht hapësirën kibernetike si një kufi të edukimit dhe të mbrojtjes nacionale
Rahmil Limani
Siguria kibernetike është sfidë e re për shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, prandaj për këtë qëllim nevojitet rritje e kapacitetit në shkallë të gjerë, në drejtimin e teknologjisë informative në përgjithësi, për t’i arritur nivelet më të larta të sigurisë nacionale dhe për t’i mbrojtur institucionet shtetërore, organizatat e ndryshme të shoqërisë, demokracinë e vendit, ekonominë digjitale, pasi edhe për këtë kërkohen investime në produktet konkrete të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në këtë proces.
Lufta kibernetike sot është një betejë reale, kur dihet se çdo e dhënë që kalon online në kompjuter është e rrezikuar. Institucionet tona të sigurisë duhen të ndërmarrin masa në këtë drejtim, t’i njohin hapësirat kibernetike për identifikimin dhe luftimin e këtij fenomeni. Në institucionet tona qeveritare problematika kryesore është se sistemet tona të sigurisë nuk janë mjaftueshëm të sigurta, që të na ofrojnë mbrojtje nacionale nga këto lloj sulmesh. Në disa raste, institucionet janë ndeshur në fenomene të tilla si shembull të një dëshmie digjitale ose prova elektronike. Ka pasur probleme të natyrës së tillë ku është vërejtur mungesa e personave zyrtarë përgjegjës institucionalë të specializuar për t’i trajtuar këto çështje në kuadër të mekanizmave të sigurisë, siç janë policia, prokuroria dhe gjyqësori.
Nga institucionet shtetërore të sigurisë së Kosovës (MB – si koordinatore përgjegjëse), përveç nxjerrjes së një strategjie shumë përfshirëse për sigurinë kibernetike, në vitin 2016 nga një grup punues i Qeverisë së Kosovës dhe disa trajnimeve të realizuara në kuadër të bashkëpunimit me mekanizmat e EU-së në kuadër të projektit CRG3 me zyrtarë të MB-së, nuk i është dhënë rëndësi sa duhet dhe nuk janë marrë masa të duhura për rritjen e interesit institucional dhe ngritjen e vlerës së sektorit të inteligjencës artificiale në fushat kryesore të vendit, si ajo civile dhe ushtarake.
Për t’i përballuar me sukses këto sfida, në të ardhmen institucionet shtetërore të sigurisë duhet të bazohen në ndërtimin e programeve dhe ekipe ekspertësh, që t’i nënshtrohen një programi rrënjësor, në transformimin dhe modernizimin e trajtimit të problemeve të tilla, përmes të cilëve të bëhet i mundur trajtimi i këtyre veprave penale në fushën e krimeve kompjuterike. Duke iu referuar të dhënave të fundit zhvillimore të këtij lëmi dhe rreziqet që do të vijnë për shoqërinë, në veçanti për institucionet e vendit, institucionet shtetërore të sigurisë, në bashkëpunim me ato të arsimit, është e nevojshme të prezantohet në institucionet arsimore edhe si problem akademik për edukimin e gjeneratave të reja në të ardhmen për sigurinë kibernetike, (edhe pse ka filluar në arsimin e lartë profesional si lëndë zgjedhore), të mblidhet stafi më i lartë akademik për të përpiluar planprograme, që të futet si lëndë e rregullt shkollore në shkollat e mesme dhe të larta, duke parë ecurinë e këtij lëmi dhe nevojat e kërkesat për ekspertë në të ardhmen e afërt në këtë drejtim.
Duke u bazuar në përparimin e fundit të BE-së dhe shtimin e bashkëpunimit brenda vet vendeve të unionit, por edhe vendeve të rajonit, mendoj se platformat e qeverisë sonë duhet t’i hyjnë përpilimit të strategjisë kombëtare nga dikasteret e sigurisë siç janë MB, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, kjo e fundit është një dikaster i ri në zhvillim, shumë i rëndësishëm në sigurinë nacionale, që duhet të sigurojë burime dhe teknologji të kohës, të ketë një staf profesional të trajnuar mirë në zhvillimin e këtij sektori, t’i shtojë trajnimet dhe seminaret në sigurinë kibernetike në kuadër të partneritetit të aleancës më të fuqishme të mbrojtjes, NATO.
Duke investuar në mbrojtjen e sigurisë kibernetike dhe aftësive operacionale do t’u jepet një mbështetje e fortë institucionale këtyre grupeve punuese në bashkëpunim mes zyrtarëve të dikastereve të ndryshme shtetërore të sigurisë, në fushat e ndryshme juridike dhe specialistëve të IT-së, OJQ-ve, të shfrytëzohet bashkëpunimi publiko-privat. Të mbështeten edhe iniciativa dhe projektet në kuadër të përkrahjes së bashkëpunimit të EU-së dhe me vendet anëtare dhe joanëtare të EU-së të reformave në sektorin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor (dhe unifikimin legjislacionit), me mekanizmat e EU-së përgjegjëse për këto çështje siç është agjencia e sigurisë ENISA, Evropol / EC3 etj. Prandaj ne si shtet joanëtar i EU-së dhe NATO-s, por me orientim tërësisht pro euroatlantik, duhet ta përgatisim në tërësi infrastrukturën ligjore dhe atë akademike në këtë drejtim që të jemi në gjendje ta rrisim bashkëpunimin në hapësirën kibernetike dhe të mbrojtjes së sigurisë nacionale në përgjithësi me këto organizata.