‘A e bëtë për heshtjen e familjes’, Berisha flet për vëllezërit Dehari, Haxhiu dhe deputetët e LV-së godasin tavolinat
Deputeti nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha, ka përmendur në seancën e sotme vëllezërit Dehari, duke bërë që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të fillojnë t’i godasin tavolinat.
Ai ka thënë se nuk është në interesin e Vetëvendosjes e as qeverisë zbardhja e rastit të Astrit Deharit.
Sipas Berishës, Vetëvendosja i ka përdorur këto raste për qëllime politike.
“Këto ditë u riaktualizua rasti i vrasjes apo vetëvrasjes së Astrit Deharit. Zakonisht kjo qeveri dhe Vetëvendosja i ka përdor apo i përdor për qëllime politike, kjo tash është evidente. As pas ekspertizën e institucioneve zvicerane nuk ka ndonjë epilog apo vendim gjyqësor, çka vë në dyshim se kemi ndërhyrje direkte të politikës apo qeverisë në zbardhjen e këtij rasti apo mund të themi se interesi i politikës apo në këtë rast qeverisë është që ky rast të mos zbardhet”, ka thënë Berisha.
Lidhur me rastin e Arbnor Deharit, Berisha ka thënë se “është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ai ka qenë i involvuar në rolin e sinjalizuesit”.
“Janë dy parakushte me zbardh rastin e vrasjes apo vetëvrasjes së Astriti. Kushti I parë është zbardhja e aktit terrorist, e sulmeve terroriste në Presidencë dhe objektet e Qeverisë. Por, rastin e sulmeve terroriste mbi institucionet nuk po e zbardhni sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin e juaj. Kushti i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbënorit. Cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk e ka marr guximin askush dikush publikisht, por tash është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ai ka qenë i involvuar në rolin e sinjalizuesit”, ka thënë Berisha.
Ai ka përmendur edhe rastin e zhdukjes së mostrave, duke thënë se ministrja Haxhiu duhet të marr përgjegjësi.
“Indikative mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me mbiemrin e vëllezërve Dehari. E unë e pyes…”, ka thënë Berisha të cilit i ka përfunduar koha e deklarimit jashtë rendit të ditës.
Pas kësaj është zhvilluar një debat në mes të tij dhe ministres Haxhiu, e cila ka adresuar kritika në adresë të Berishës dhe qeverive të kaluara. Ky debat është zhvilluar pa mikrofon.
“Marre! Marre! Ju keni qenë në qeveri kur është vrarë Astrit Dehari! Asnjë fjalë! Asnjë fjalë! Ju i keni duart me gjak!”, dëgjohet duke thënë ministrja Haxhiu.