‘A e kuptoni se këtu jeni person i dyshuar?’, debati në mes të avokatit të Thaçit dhe Ramiz Qeriqit në Hagë
Ramiz Qeriqi po vazhdon të jap dëshminë e tij në Hagë para Gjykatës Speciale.
Gjatë dëshmisë, Qeriqi pati një debat me avokatin e Hashim Thaçit, Luka Mishetiq i cili i tha atij se është i dyshuar për krime lufte.
“Dëshmitar a e kuptoni që këtu jeni person i dyshuar?”, pyeti Mishetiq dëshmitarin pasi për pak minuta seanca gjyqësore ishte në sesion privat për të diskutuar lidhur me akuzat që bien mbi dëshmitarin.
“Dëshmitar se s’jam i dyshuar”, tha dëshmitari.
Ndërsa Mishetiq kërkoi të informohet nga dëshmitari nëse ZPS-ja ia kishte thënë shprehimisht që nuk ishte i dyshuar.
Qeriqi tha se është dëshmitar në këtë rast gjyqësor dhe se nuk e ndjenë vetën si të dyshuar prandaj nuk ka kërkuar as avokat, transmeton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë e kam kuptuar që jam dëshmitar dhe jo i dyshuar sepse edhe e ndijë vetën ashtu. As nuk kam marrë as avokat… Avokat s’kam deshtë me marrë… E kam ni vetën që jam i pafajshëm dhe prandaj nuk kam marrë avokat. Nuk jam t’u kuptu se çka je tu kërku ju si avokat mbrojtës. Edhe ata janë pjesëtar të UÇK-së që po i mbron e edhe unë e çfarë po kërkoni nuk po iu kuptojë unë”, tha dëshmitari.
I pyetur se çfarë formacionesh kanë qenë brenda batalionit, dëshmitari tha se ishte batalioni, kompania, togu dhe skuadra.
Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas avokatit Luka Mishetiq e mbante titullin “Rregullore e përkohshme për organizimin e jetës së brendshme të ushtrisë” dhe për këtë Ramiz Qeriqi tha se kjo rregullore ka pasur mundësi që të ndryshojë më vonë.
“Vetë fjala tregon e përkohshme. Ka mujtë më ndryshu më vonë. Për një kohë të caktume sigurisht, ma merr menja”, tha dëshmitari duke pohuar se nuk ka pasur dijeni se si kanë funksionuar zonat e tjera.
Në fund të seancës, kundërpyetjet për dëshmitarin i filloi mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis i cili u fokusua tek uniformat e UÇK-se dhe mënyrën se si siguroheshin ato.
Aiden tha se kundërpyetjet e tij ndaj dëshmitarit pritet të vazhdojnë edhe gjatë paradites në seancën e nesërme.