A e shkeli Kurti zotimin e nënshkruar për depolitizimin e bordeve?

03 prill 2020 | 11:50

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para zgjedhjeve ishte zotuar me nënshkrim se, në rast se zgjedhet kryeministër, do t’u përmbahet shtatë “Zotimeve për Qeverisje të Mirë”, raporton Express.

Ky zotim elektoral bazohej në qeverisje të mirë, për transparencë, llogaridhënie, ndershmëri dhe vlera të tjera në të mirën e vendit. Në mesin e këtyre zotimeve ishte edhe depolitizimi për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencive dhe ndërmarrjeve publike.

Por, mbrëmë qeveria në detyrë ka emëruar anëtarë të bordeve dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dermaku, është zgjedhur anëtar i Bordit të ndërmarrjes publike Hekurudhat e Kosovës – “Infrakos”. Ky vendim është marrë nga shefi i qeverisë në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes.

Artan Dermaku në partinë e Kurti ishte anëtarësuar në muajin gusht të vitit 2018.

Përveç Dermakut, në bordin e “Infrakosit” janë emëruar edhe Enis Berisha, Vjollca Jashari dhe Abdullah Lala.

Kurti, po ashtu, ka emëruar një tjetër njeri të Vetëvendosjes në bordin e një tjetër ndërmarrjeje.

Bëhet fjalë për Mentor Hysenin, i emëruar kryesues i bordit të drejtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Për këto emërime është deklaruar edhe ministrja Rozeta Hajdari. Përmes një shkrimi në “Facebook”, ministrja në detyrë, Hajdari, ka shkruar se këto janë borde emergjente dhe se nuk do të jenë gjatë në detyrë, më së largu deri në vjeshtë. “Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët”, ka shkruar ajo.

Hajdari është munduar t’i arsyetojë raportimet se anëtarë të bordeve janë pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. “Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LV, por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani”, ka shkruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Urrejtja mes italianëve të sfilitur nga pandemia dhe gjermanëve që…