A edhe ti Brut a?

14 mars 2020 | 12:07

Bujar Tafa

Kjo frazë e njohur e Cezarit sa e sa herë e ka shprehur fuqishëm zhgënjimin e madh që e pëson njeriu për njerëzit të cilët i kujton dhe i mendon që janë ndryshe, për më shumë, që janë miq të tij e në fund ata dalin të jenë armiq të tij. Padyshim është frazë që dhemb shumë. Është diçka më shumë se thikë pas shpine. Është zhgënjim që prodhon tragjedi.

Njerëzit në përgjithësi krijojnë iluzione. Në veçanti janë poetët ata të cilët krijojnë iluzione më së shumti. Janë poetët të cilët dikush edhe i ka quajtur ëndërrimtarë të papërmirësueshëm. Është në natyrën e poetit që të krijojë iluzione. Në një mënyrë ai edhe i aspiron dhe i pëlqen ato iluzione. Por, kur të prishen ato iluzione, kur të thyhen e kur të ndeshen me realitetin e egër, ato iluzione dhe shembja e tyre të dhembin shumë. Tej mase shumë.

Pikërisht sot, më 16 mars, bëhen nëntëdhjetë vjet kur lindi poeti më i shquar dhe më i rëndësishëm i Bosnjës, Izet Sarajliqi. Me poezitë e tij ai arriti të bëhet i njohur jo vetëm në hapësirat e ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë. Izet Sarajliqi u lind, u rrit dhe e kaloi tërë jetën në Bosnjë. Ky vend historikisht ka qenë dhe është i banuar me pjesëtarë të kombeve e të feve të ndryshme. Regjimi i ish-Jugosllavisë komuniste kishte krijuar një sistem dhe ambient të tillë që, në kohën kur jetoi Sarajliqi, kishte një bashkëjetesë në mes të këtyre etnive e divergjencave. Kjo bashkëjetesë zgjati për më shumë se katër dekada dhe kur pas shpërthimit të hegjemonisë serbe plasi lufta në Bosnje, tërë ata bashkëvendës, fqinjë e miq, me ndonjë përjashtim, u ndodhën në taborë të ndryshëm, të kundërt me njëri-tjetrin, dhe këtu njeriu, e aq më shumë poeti e humanisti, në këtë rast Izet Sarajliqi, e pa dhe e ndjeu shumë atë shembjen e iluzioneve që kishte për bashkëvendësit e vet e për “miqtë” e tij të dikurshëm.

Sarajliqi nuk e shkroi atë vargun e famshëm që i mëveshët Cezarit Edhe ti Brut a?, por ai shkroi shumë vargje të tjera në të cilat fuqishëm e shprehu zhgënjimin nga prishja e atyre iluzioneve të cilat ai kishte ndërtuar e i kishte pasur deri atëherë. Kështu, Izet Sarajliqi është poeti i cili me poezitë e tij, të cilat i shkroi gjatë dhe pas luftës, e ka demaskuar deri në lakuriqësi shovinizmin dhe hegjemonizmin serb dhe në përgjithësi barbarizmin e atij shovinizmi që përfshiu ushtarë, paramilitarë, vrasës, madje gjyshe dhe gjyshër vrasës, të sëmurë, maniakë të krimit, të luftës, krijues patologjikë të cilët krijonin e himnizonin vepra monstrume etj.

Sa zgjati lufta në Bosnje, Sarajliqi shkroi librin me poezi Përmbledhja sarajevase e luftës, të cilën përmbledhje në shqip e përktheu Selajdin Salihu, ndërsa e botoi Shtëpia Botuese “Armagedoni”.

Izet Sarajliqii vë në lojë, mjeshtërisht, karakteret njerëzore, duke e theksuar epërsinë morale e njerëzore të intelektualëve përballë shtresës së injorancës dhe përballë sulmeve e aspiratave hegjemoniste serbe.

Poezitë e kësaj përmbledhje janë të shkruara kryesisht në rrafshin e paradokseve tragjike të cilat i prodhon lufta.

 Në Sarajevë
Në beharin e 1992-shit
gjithçka është e mundur;
pret në radhë për bukë,
përfundon këmbëprerë
në traumatologji

E thua se
kishe fat.

Poeti i përdor mjeshtërisht kontrastet e luftës. Me këto elemente ai e ndërton poezinë. Nuk ka asgjë fragmentare në këto poezi. Këto poezi janë si rrëfime të shkurtra në të cilat poeti i paraqet përjetimet e tij në atmosferën e rëndë të luftës në Bosnje. Paradoksi është figura që më së shumti dhe fuqishëm e shpreh përjetimin e poetit.

Poezitë e Sarajliqit janë sikur rrëfimet për përjetime delikate. Në këto poezi poeti është i drejtpërdrejtë, ai shkruan pa ekuivokë. Poeti paraqet situatën e tij të rëndë në luftë. Tek ato poezi në vazhdimësi ka thyerje të iluzioneve. Kjo arrihet përmes përplasjes së vlerave me antivlera. Poeti i dashuron njerëzit e vet e vendin e vet. I dhemb zemra për tragjedinë, për krimet që kryejnë bashkëvendësit e tij të deridjeshëm. Vlerat njerëzore dhe theksimi i atyre vlerave të nëpërkëmbura në luftë shkojnë paradoksalisht deri në naivitet dhe nga naiviteti në viktimizim.

Koha për të cilën shkruante poeti s’kishte mëshirë, kishte vetëm dhunë dhe tmerr. Mëshira njerëzore gjendej vetëm në libra, vetëm në poezi.

Poeti rrëfimin e ndërton edhe përmes shtrimit të kontrasteve dhe analogjive me kohë dhe me vende të ndryshme. Në këtë drejtim ai e bën një krahasim në mes të kriminelëve të luftës së Sarajevës me kohën e nazistëve të Luftës së Dytë Botërore dhe konstaton krimet e mëdha që ndodhnin në Sarajevë.

Ndër poezitë e tjera mjaft të fuqishme është edhe poezia Pas plagosjes, e cila, si edhe shumica e poezive të tjera në këtë përmbledhje, është përkushtuese. Edhe kjo poezi është e ndërtuar mbi bazën e kontrastit dhe në vazhdën e thyerjes së iluzioneve të cilat në tërë këto poezi formojnë kurorën tematike e motivore të përjetimeve të poetit:

Mbrëmë në ëndërr m’u shfaq
Sllobodan Markoviqi
Dhe kërkoi ndjesë për plagët e mia

E vetmja ndjesë serbe
Gjatë gjithë kësaj kohe,

Dhe vetëm në ëndërr
E nga një poet i vdekur.

Thjeshtësia e shprehjes nuk e zbeh artin gjatë shkrimit të poezisë, përkundrazi përmes situatës poetike poeti i thekson tmerret e luftës, kur mungon çdo gjë e kur rreziku nga vdekja të përcjellë në çdo hap.

Izet Sarajliqi e ka si zakon që poezitë e veta t’i fillojë si përkushtime, por në çdo rast edhe, kur janë përkushtime, poeti kujdeset që t’i paraqesë ndjenjat e veta së pari dhe shqetësimin e tij për diçka që ai ndien në atë situatë e në atë çast. Referenca në këto raste atij i shërben vetëm si pikënisje për rrëfimin poetik. Izet Sarajliqi aspiron vlerat universale të njerëzimit. Atij, si njeri i madh që ishte, dhe poet i madh, i lejohet të luajë edhe me kartën e kozmopolitizmit. Por, se në çdo rast ai nuk ndalet së kundërshtuari hegjemonizmin e serbëve dhe tragjeditë që solli ai hegjemonizëm me krime ta papara të kryera jo vetëm në Bosnjë, por edhe në rajon.

Është një detaj i prekshëm në poezinë Motrat, ku poeti Izet Sarajliq nuk pajtohet assesi me humbjen, vrasjen e motrave të tij në luftë. Ai me dëshpërim kërkon ta riplotësojë vetveten:
 
Tani patjetër
Të kërkoj një motër të re.

Nuk mundem assesi
Mos me qenë vëlla.

Vrasja është privilegj i të krisurve. Izet Sarajliqi nuk heziton që në poezitë e veta ish-kolegët e tij t’i emërtojë me emra çfarë ata janë në realitet, pra si vrasës dhe përkrahës të vrasjeve:

Qosiqi, Isakoviqi, Ekmeqici, Nogo
Nuk sulmojnë
Ata vrasin!

Poeti i mbron vlerat që i ka ndërtuar në jetën e tij. Përkundër kritikave, ai thekson se ai vazhdon të sjellë dashuri për të gjithë njerëzit e tij.

Izet Sarajliqi në asnjë rast nuk heziton që t’i demaskojë me emra dhe mbiemra të përveçëm individët të cilët për serbët ishin ikona, e të cilët në asnjë rast nuk reaguan kur serbët bënin kasaphanë në Bosnje:

Për robinjën e mashtruar hyjnore Desankën
Që e ulur përherë në rendin e parë
U duartrokiti vrasësve.

Megjithatë, Izet Sarajliqi asnjëherë nuk heq dorë nga e bukura, nga vlerat, përkundër se në kohë lufte vlerat nëpërkëmbën, përkundër se në lufte tjetërsohet e tëhuajsohet çdo gjë e bukur, ai heziton të luajë me këto vlera edhe kur proteston.

Poezia e fundit e kësaj përmbledhje përfundon me theksimin e profecisë së poetit për ardhjen e paqes dhe ndaljen e luftës. Ai është më se i bindur se do të vijë dita kur çdo gjë do t’i kthehet normales dhe jetës së përditshme dhe poeti përfundimisht do të ndalojë së shkruari poezi për tmerret e luftës.

Poeti Izet Sarajliqi i mbijetoi luftës dhe e arriti paqen. Ai vdiq në paqe, veçse, sa qe gjallë, ai ishte dëshmitar i episodeve të tmerrshme të jetës, kur gjithçka e krijuar si vlerë njerëzore shkatërrohet dhe kur, fatkeqësisht, poeti e vërteton një formulë tjetër për racën njerëzore, një bindje tjetër. Ai e la këtë botë i dëshpëruar me natyrën e dhunshme të njeriut që shpërthen sa herë që divergjencat ideologjike e kalojnë masën e duhur sa herë që thyhen iluzionet për një paqe të përhershme, sa herë që dhuna e mosbesimi bëjnë që njerëzit të kthehen nga miq në armiq. Atëherë kur dhimbshëm theksohet ajo fraza: A edhe ti Brut a?

Shumë tragjike dhe zhgënjyese, njëkohësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Premier League mund të mbyllet pa asnjë fitues këtë sezon.…