A është AAK-ja pro një koalicioni me LDK-në, tregon Besnik Tahiri
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për situatën e fundit politike në vend pas rrëzimit të qeverisë.
Ai ka thënë se tashme LDK-ja si parti e dytë ka shprehur gatishmëri të ofrojë një shumicë duke iu ofruar bashkëpunim AAK-së dhe subjekteve të tjera politike.
“Ne si AAK do të shohim idetë, programet dhe qasjen e LDK-së. AAK-ja është parti e djathtë. Ne kemi pasur dhe kemi një histori të bashkëpunimit që nënkupton se një koalicion LDK-AAK dhe subjektet tjera është i mundshëm”, ka thënë Tahiri për RTK.
Ai ka bërë me dije se pas deklarimit të LDK-së se do të del nga qeveria, ka ndodhur një takim mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të AAK-së Ramush Haradinaj.
“Në atë takim është shprehur një pajtueshmëri që të votohet mocioni. Ne nuk kemi pasur ndonjë takim tjetër”, ka thënë Tahiri.
“Nuk mund ta lëmë shtetin pa një qeveri efektive. Duhet të dalim sa më shpjet nga kjo situatë e rëndë institucionale”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka folur edhe për taksën ndaj Serbisë. “Është për keqardhje që z. Kurti e ka larguar taksën pas asnjë kusht. Pra, ka qenë gabim fundamental largimi i taksës pas asnjë kusht”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se Kurti me largimin e taksës pa asnjë konsultim e ka zhveshur Kosovën nga një instrument i rëndësishëm politik siç ishte taksa.