A është bota sot një vend më i mirë për fëmijët?
Nga Mimoza Kelmendi
Përgjigja e ekspertëve është një “po” e qartë, e shoqëruar me një “por”.
1 Qershori i këtij viti vjen në Gjermani me një lajm të gëzuar. Fëmijët dhe të rinjtë e moshës 12 vjeç e lart mund të vaksinohen kundër Covid-19 nga 7 qershori. Kjo u vendos nga qeveria gjermane dhe landet federale në samitin e vaksinimit. Qeveria federale beson se 60 për qind e të rinjve dhe fëmijëve janë të gatshëm të vaksinohen. Aktualisht në Gjermani jetojnë 10,65 milionë fëmijë, të moshës 0 deri në 14 vjeç, ndërkohë që 1,5 milionë fëmijë nën moshën 13 vjeç jetojnë vetëm me një prind. Më shumë se 2,5 milionë fëmijë dhe të rinj rriten në Gjermani në varfëri. Organizata për të drejtat e gruas “Terre des Femmes” vlerëson se në Gjermani më shumë se 1000 vajza dhe gra bëhen çdo vit pre të martesave të detyruara. Thuajse një ndër katër fëmijë të moshës gjashtë vjeçare ka në Gjermani telefonin e vet celular, kurse ndër 13-vjeçarët thuajse çdo fëmijë ka celular.
Çdo vit në qershor Kombet e Bashkuara prezantojnë një raport mbi gjendjen e fëmijëve në konfliktet e armatosura. Çdo vit raporti përmend vrasjet dhe gjymtimet, torturat dhe dhunimet. Në 54 nene të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar në nëntor 1989, i detyron shtetet që e kanë nënshkruar që t’i mbrojnë fëmijët nga diskriminimi, shfrytëzimi, shpërdorimi dhe dhuna. Konventa thotë shprehimisht që të gjithë fëmijët e botës, krahas së drejtës për një fillim të shëndetshëm në jetë, kanë edhe të drejtën që të shkojnë në shkollë dhe ta shfrytëzojnë potencialin e tyre mendor dhe fizik. Sipas studimit më të fundi të shoqatës “Save of the Children” dhe UNICEF-it, numri i fëmijëve të varfër për shkak të Pandemisë së Coronës u rrit deri në fund të vitit 2020 në 86 milionë në gjithë botën. 263 milionë fëmijë, 70 për qind e të cilëve janë vajza, nuk shkojnë në shkollë.
Çdo vit më shumë se një milionë fëmijë detyrohen të prostituojnë, ndërkohë që shifrat jo zyrtare flasin për një numër të lartë të rasteve të shfrytëzimit seksual të fëmijëve në gjithë botën. Në Indi çdo vit vriten prej prindërve të tyre mbi 10.000 vajza të porsalindura, sepse familja nuk është në gjendje t’u paguajë atyre pajën. UNICEF dhe OBSH ngre alarmin për një tjetër fenomen mjaft shqetësues të fëmijëve me të meta mendore dhe fizike që ndjehen të diskriminuar. Pothuajse në 160 vende ka mjaft kufizime në buxhetet përkatëse për këtë kategori fëmijësh, i pamjaftueshëm për plotësimin e kushteve bazë të fëmijës dhe familjes që kujdeset për të. Sipas OBSH-së, sot numërohen 123 milionë fëmijë me mbipeshë, një shifër alarmante nëse do ta krahasonim me vitin 1975 kur kishte rreth11 milionë të tillë.
Në 41 vendet më të pasura të botës, 76,5 milionë fëmijë jetojnë në varfëri relative – kjo do të thotë që familjet e tyre kanë në zotërim më pak se gjashtëdhjetë për qind të të ardhurave mesatare. Në Greqi, Lituani dhe në Spanjë tani janë prekur më shumë se 36 për qind e të gjithë fëmijëve, në SHBA 32 për qind dhe në Itali 30 për qind. Në të gjithë botën çdo i treti fëmijë jeton në varfëri shumëdimensionale. Në shifra, kjo do të thotë rreth 663 milionë. Në sajë të vaksinimit dhe të trajtimit më të mirë mjekësor vdekshmëria tek fëmijët është ulur thuajse në gjysmën qysh prej vitit 1990. Por kjo do të thotë edhe se çdo ditë vazhdojnë të vdesin 17 mijë fëmijë, shumica e tyre nga sëmundje të shmangshme.
Gati 50 milionë fëmijë në botë rriten sot në ambient të huaj për ta – më shumë se gjysma e tyre ndodhen në arrati përballë luftës dhe dhunës. Edhe pse gjendja e fëmijëve në përgjithësi është përmirësuar, rreth 300 mijë fëmijë janë angazhuar si ushtarë në shumë vende. UNESCO vlerëson se në konfliktet e armatosura janë vrarë më shumë se dy milionë fëmijë dhe janë plagosur rëndë gjashtë milionë të tjerë. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, 152 milionë fëmijë dhe të rinj punojnë në kushte mizerabël për të siguruar bukën e gojës. Sipas statistikave zyrtare, përveç përballjes me problemet në fushën e shëndetësisë, atë të ushqimit dhe të shkollimit, jeta e fëmijëve sot po kërcënohet shumë edhe për shkak të ndryshimit të klimës si dhe abuzimeve në internet apobullizëm online.
Rreziqet nga përdorimi i internetit rriten sa më shumë që fëmijët shkathtësohen në përdorimin e pajisjeve të teknologjisë informative. Ata krijojnë një lloj pavarësie duke nxitur zbulimin e mjeteve dhe mënyrave të komunikimit si dhe të informacioneve në portale të ndryshme që kanë përmbajtje të papërshtatshme për moshën e tyre, madje edhe mjaft të rrezikshme. Një ndër pesë të fëmijë ose adoleshent nën 18 vjeç në Evropë është ngacmuar ose shpërdoruar seksualisht. Ndërkohë gjigantëve të internetit u kërkohet të bëjnë më shumë për të bllokuar faqet e abuzimit seksual me fëmijët. Sigurisht që përmirësime ka nëse shifrat do të krahasoheshin me 20-30 vite më parë, por synimi për një botë shumë më të mirë për fëmijët duket ende larg. Mbi të gjitha, e ardhmja e tyre duhet të jetë më e sigurt dhe më e mirë.