A është lodhur bashkësia ndërkombëtare me veprimet e qeverisë Kurti?
Përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje i janë kundërpërgjigjur një deklarate të ambasadorit të SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili tha se “nëse dëshironi të bëheni pjesë e një klubi mos urinoni tek dera e tij”. Deputetët e partisë në pushtet thonë se diplomatët e akredituar në Prishtinë duhet ta kenë të qartë rolin e qeverisë për shtrirje të legjitimitetit në tërë territorin përfshirë edhe veriun e vendit. Në opozitë ndërkohë kanë kritikuar qeverinë se për shkak të veprimeve të saj Kosova po i humb aleatët.
“Gjyshi im njëherë thoshte dhe më falni për natyrën e pagdhendur të kësaj thënie: Nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, mos pshurrni në derën para klubit”, tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA-së në Kosovë.
Kësaj deklarate të ambasadorit të SHBA-së iu kundërpërgjigj deputeti i VV-së, Driton Hyseni, i cili tha se diplomatët të cilët janë me misione në Kosovë duhet ta kenë të qartë pozicionin e qeverisë, të mekanizmave të sigurisë për shtrirjen e legjitimitetit në tërë territorin e Kosovës përfshirë edhe veriun e vendit.
“Ndoshta është herët të deshifrohet deklarata. Por, konsideroj se të gjithë diplomatët e kanë të qartë pozicionim e Kosovës që është për implementimin e marrëveshjes e cila është dakorduar në Bruksel dhe në Ohër. Por një marrëveshje e tillë është hedhur poshtë nga Serbia. E tërë trysnia duhet të drejtohet nga Serbia”, tha Hyseni.
Qeveria mori një varg kritika nga diplomatët amerikanë dhe evropianë për veprimet e saj të pa koordinuara në veri të vendit. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar qeverinë për prishjen e raporteve me aleatët e Kosovës. Sipas tij, për shkak të veprimeve të qeverisë, Kosova po i vuan pasojat. Në një intervistë për RTV21 qeveria nuk po e njeh mbështetjen që kanë dhënë zyrtarët e lartë Amerikan.
“Kurti ka rrënuar imazhin e Kosovës dhe tani nuk ka mbetë asgjë tjetër përpos t’i atribuojnë përmes shembujve, përmes simbolikave dhe thënieve të drejtpërdrejta që Kosova duhet të merr parasysh. Unë po e përsërisë, jo që ka urinuar në klubin që ne presim me hy që është BE-ja dhe NATO sepse ambasadori Amerikan iu atribuohet këtyre dy klubeve të mëdha. Zoti Kurti po urinon edhe në derën e partnerëve”, tha Haziri.
Ish-ambasadori, Albert Prenkaj, vlerëson se kjo është një gjuhë diplomatike e shteteve të cilat dëshirojnë të përçojnë mesazhe për një qeveri të cilën nuk e konsiderojnë bashkëpunëtore për shkak të veprimeve të pa koordinuara.
“Në gjuhën diplomatike shpesh përdoren metaforat për të ardhur deri tek një shpjegim i një momentumi i relacioneve mes dy shteteve. Kësaj here Amerika është duke komunikuar me popullin e Kosovës por jo edhe me institucionet e saj. Tash e tutje SHBA-ja nuk i përçon mesazhe”, tha Prenkaj.
Pavarësisht kritikave që ka marrë qeveria për shkak të veprimeve të qeverisë në veri të vendit, deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje, Driton Hyseni, tha se nuk do të lëshojnë pe në shtrirjen e legjitimitetit në veri të vendit.
“Si vend ne jemi të përkushtuar që të japim maksimumin sa i takon kontributit në drejtim të normalizimit të relacioneve duke mos lëshuar pe në ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe duke insistuar që në tërë territorin e Kosovës të mbizotrojë rregulli dhe ligji”, tha Hyseni.
Por, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vlerëson se bashkësia ndërkombëtare e ka humbur besimin ndaj Kosovës institucionet e së cilës në të kaluarën e kishin krijuar për aleatët. Sipas tij, SHBA-të kanë problem me qeverinë, por jo edhe me qytetarët e saj.
“Aleatëve nuk ju hup durimi dhe besimi me popullin e Kosovës, por me qeverinë kanë problem. Problemi me qeverinë izolohen gradualisht dhe sanskionet financiare kanë me pas efekt”, tha Haziri.
Bashkësia ndërkombëtare ndër vite është përpjekur që me qeverinë Kurti të komunikojë me koordinim vlerëson ish-ambasadori, Albert Prenkaj. Por, sipas tij, mos koordinimi i qeverisë me aleatët është ardh deri tek një limit i bashkësisë ndërkombëtare.
“Kurti në njërën anë i thotë bashkësisë ndërkombëtare se akordohem me ta, ndërsa në anën tjetër për shkaqe elektorale krijon një gjuhë tjetër anti amerikane, anti NATO dhe anti BE”, tha Prenkaj.
Ambasadori i SHBA-së dhe ai i Gjermanisë thanë se Kosova rrezikon anëtarësimin në NATO dhe BE për shkak të veprimeve të qeverisë.