A është Londra prapa aksionit të tetorit në Veri, Abbott: Kjo është qesharake
Portali “Kossev” ka realizuar një intervistë me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar edhe për informacionet e dala nga Beogradi se prapa aksionit të Policisë së Kosovës në veri më 13 tetor të këtij viti qëndron Londra.
Abbott ka mohuar plotësisht një informacion të tillë duke thënë se është qesharake të mendohet një gjë e tillë.
“Përgjigja është thjeshtë, jo. Ideja që unë, apo ndonjë koleg i imi qëndron pas aksionit të Policisë në veri të Kosovës është qesharake. Le të theksojmë përsëri, është qesharake. Policia e Kosovës punon në mënyrë shumë të pavarur”, ka thënë Abbott për Kossev.
Edhe pas kësaj përgjigje, gazetarja ka vazhduar me pyetjen se “është thënë që ka pasur koordinim me Mbretërinë e Bashkuara”.
Abbott përsëri ka theksuar se një gjë e tillë s’është bërë në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar në asnjë formë.
Tutje Kossev ka vazhduar me pyetjen nëse ka pasur komunikim me zyrtarët e Kosovës pas aksionit.
“Ne kemi ndjekur aksionin dhe kemi folur me autoritet pas aksionit, por jo përpara. Por pluhuri për të cilin ju flisni është krijuar nga lajmet e rrejshme. Totalisht dezinformim. Nuk ka asnjë gjurmë të së vërtetës në këtë. Ideja e udhëheqjes në njëfarë mënyre të operacioneve policore në Kosovë është më shumë se qesharake” ka thënë Abbott.
Kossev përsëri ka insistuar me pyetjen se s’është thënë për Ambasadën që qëndron prapa aksionit, por “një partner”
“Sigurisht… Ajo që është e rëndësishme në këtë është se në të njëjtën kohë ne punojmë ngushtë me institucionet e Kosovës. Ne punojmë ngushtë me autoritetet doganore, administratën e taksave dhe policinë. Këto janë institucionet me të cilën punojmë”, ka vazhduar diplomati britanik.
Kossev më pas e ka pyetur se kur Abott thotë “ne punojmë bashkërisht ngushtë”, çfarë nënkupton një gjë e tillë.
“Shpesh ka të bëjë me mbështetjen në stërvitje. Por kjo në asnjë mënyrë nuk i mbështet veprimet, kështu që ne në asnjë mënyrë nuk jemi të përfshirë në operacionet që ato kryejnë”, ka vazhduar Abbott.
Gazetarja e “Kossev” ka vazhduar edhe më tutje me pyetje, duke i thënë ambasadorit Abbott se Britania e Madhe ka qenë vendi i parë që ka publikisht ka mbështetur aksionin.
“Absolutisht, sepse ne mbështesim aksionet kundër krimit të organizuar. Krimi i organizuar është i dëmshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë. Nuk është e dobishme. Nuk është një lloj rrjeti mbështetës për shoqëri. Këta njerëz shpesh përfshihen në veprimtari kriminale që janë të rrezikshme, të dhunshme dhe natyrisht të paligjshme. Është krejt normale që shteti i Kosovës dëshiron të sigurojë se veprimtari të tilla janë të kufizuara dhe të reduktuara në territorin e saj. Dhe kjo është ajo që ndodhi në këtë rast. Më vjen keq që njerëzit në Kosovën e veriut mendojnë se kjo drejtohet kundër tyre. Por nuk ka dëshmi për një gjë të tillë. Ky ishte një veprim që u zhvillua anembanë Kosovës, në vende të ndryshme”, ka potencuar Abbott.
Gazetarja ka vazhduar me pyetjen se një person është lënduar gjatë aksionit dhe se ka informacione se i njëjti nuk ishte pjesë e protestave.
“Pra kemi viktima?”, ka vazhduar gazetarja e Kossev.
“Po, absolutisht. Por në një operacion si ky, siç më pas vazhdoi, ka gjithmonë një rrezik. Ekziston rreziku i asaj që mund të ndodhë”, shtoi Abbott.
Gazetarja pavarësisht përgjigjeve që ka marrë, ka vazhduar me pyetje, duke i thënë ambasadorit se ka qenë në dijeni të rreziqeve meqë aksioni ishte kryer ne qendër të qytetit në afërsi të një shkolle. Ajo ka përmendur edhe një grua shtatzënë që sipas saj punonte në farmaci në momentin kur është kryes aksioni.
“Të jem i sinqert, këto pyetje ju duhet t’ia bëni Policisë së Kosovës. Ne s’jemi të involvouar në aksion. Nuk kam përgjigje për këto pyetje”, ka thënë Abbott.
Gazetarja ka thënë se pyetje të tilla po i bën meqë Britania e Madhe e ka përkrahur publikisht aksionin.
“Absolutisht, sepse ne mbështesim Policinë e Kosovës, e cila vepron kundër krimit të organizuar. Ata duhet të vendosin se si ta bëjnë këtë dhe duhet të jenë përgjegjës për këtë në qoftë se operacioni i tyre dështon. Por ne i mbështesim ata në kuptimin që ata veprojnë kundër krimit të organizuar. Ashtu si policia në Mbretërinë e Bashkuar ka të drejtën dhe përgjegjësinë për ta bërë këtë, edhe këtu – policia ka të drejtë ta bëjë këtë”, është përgjigjur Abbott.