A është mit talenti i lindur artistik?
Nga: Carrie Lewis
Kohët e fundit, më shumë se një herë kam dëgjuar mendime për “talentin e lindur”. Zakonisht, njerëzit thonë se talenti i lindur është mit; se fare nuk ekziston dhe kurrë nuk ka ekzistuar.
Do t’ju them që tash se nuk jam dakord. Por, të dy aspektet mbase nuk janë aq larg sa mund të duket në fillim.
Pse? Sepse shumëçka varet nga mënyra se si i përkufizoni termat.
Le të shohim se si fjalori e përcakton talentin. Kur shikova në internet përkufizimin e Merriam-Webster-it, aty ishin tri përkufizime që i përkisnin diskutimit tonë:
– Një aftësi e veçantë, shpeshherë atletike, krijuese ose artistike;
– Inteligjenca e përgjithshme ose fuqia mendore: aftësia;
– Të mirat e lindura të një personi.
Nëse pyes, mendoj se shumica e njerëzve do ta kenë të vështirë të thonë nëse ato përkufizime të “talentit” nuk mund të shihen diku në botë. Vetëm duhet të shikoni Olimpiadën, të dëgjoni një arie ose të lexoni një roman klasik për të parë se talenti ekziston. (E di se çfarë do të thoni: Ata njerëz punuan shumë për të arritur atje ku janë. Por, prisni një minutë.)
Fillimisht, le ta kërkojmë atë talent në një moshë më të re. A ekziston edhe në atë moshë? Po!
Edhe leximi i rastësishëm i biografisë së Wolfgang Amadeus Mozartit zbulon të paktën një rast të një të riu të lindur me talente specifike dhe të mahnitshme – në luajtjen dhe kompozimin e muzikës që në moshë shumë të hershme.
Dhe, ju mund të gjeni shembuj të tjerë në atletikë, në inteligjencë, e kështu me radhë.
Pra, për sa më përket mua, pavarësisht nëse e quani talent, aftësi, dhunti apo zotësi, nuk ka dyshim se njerëzit lindin me to ose i zhvillojnë në një moshë të re – shumë të re, për të pasur kuptim kjo, nëse nuk do ta kishin atë aftësi. Madje, do të thosha se çdo njeri lind me të paktën një talent natyral dhe disa me më shumë se kaq.
A e garanton suksesin, talenti i lindur?
Në përgjithësi, kjo pyetje është shumë më e mirë. Të gjithë mund të besojmë në gjëra të ndryshme për talentin e lindur. Ajo që është e rëndësishme është se çfarë do të thotë ai talent në jetën e një personi.
Dhe, e vërteta është se suksesi nuk i garantohet askujt që ka lindur me talent të natyrshëm! Edhe ata me talent të lindur, zakonisht duhet të tregojnë këmbëngulje dhe disiplinë për të bërë diçka nga ai talent.
Me fjalë të tjera, talenti pa punë të palodhur është pothuajse i pakuptimtë.
Nëse dikush e injoron talentin e vet, ose mbështetet në atë talent pa u munduar, ai mund të jetë i mirë në atë që bën, por shanset janë se nuk do të shkëlqejë kurrë.
Talenti është vetëm fillimi i të njëjtës mënyrë sesi fara është veçse një fillim. Nuk ju garantohet një kopsht sepse e keni një qese me fara. Farat duhet të mbillen, pastaj të ujiten, të kultivohen, të krasiten dhe të vaditen sërish, derisa më në fund të japin frytet.
Personi i lindur me një prirje të natyrshme ndaj artit, i cili nuk shpenzon kohë për të mësuar se si të përdor mjetet, të përmirësojë aftësitë e tij dhe të prodhojë art, nuk do të ketë sukses. Do të jenë vetëm një person që kishte potencial për të shkëlqyer.
A e garanton dështimin, mungesa e talentit të lindur?
Sigurisht që jo! Një person me aftësi mesatare artistike mund të ketë sukses aty ku dështon një artist natyrshëm më i talentuar, sepse ata e kanë shtysën për të vepruar më mirë. Ata vizatojnë më shumë. Ushtrojnë. I përmirësojnë aftësitë ekzistuese dhe i mësojnë të rejat. Provojnë gjëra të reja dhe vazhdimisht zhvillohen. E kanë disiplinën dhe këmbënguljen për të bërë më të mirën që munden dhe shpeshherë përfundojnë duke shkëlqyer.
Bërja e artit mund të mos jetë aq e lehtë për ta sa për të tjerët, por ata e kompensojnë këtë duke u përpjekur më shumë dhe duke punuar më gjatë në të.
Dhe, kush do të thotë se kjo lloj disipline dhe këmbëngulje nuk është aftësi e lindur (talente, aftësi, etj.)?
Ku na shpie kjo?
Mendoj se ajo që po përpiqem të them është se debati për “talentin e lindur” as që duhet të ekzistojë. Mozarti kishte talent të lindur – talent të jashtëzakonshëm – por, ai gjithashtu lindi në një familje muzikantësh dhe studioi dhe u ushtrua për të ndërtuar mbi aftësitë me të cilat lindi.
Atletët olimpikë – dhe të gjithë atletët e tjerë të suksesshëm – stërviten dhe e nxisin veten për të ndërtuar mbi aftësitë e natyrshme me të cilat kanë lindur.
Kombinimi më i mirë i mundshëm është një shkallë e talentit të lindur dhe disiplinës dhe këmbënguljes. Artistik ose ndryshe.
Këshilla ime? Zgjerojeni talentin tuaj e lindur (ose zotësinë apo aftësinë) me punë të palodhur, disiplinë dhe këmbëngulja. Nuk ka kufi për atë që mund të arrini nëse e keni nxitjen për të mësuar dhe ushtruar. /Telegrafi/