A është Putin një Hitler i ditëve të sotme?
Presidenti rus, Vladimir Putin, shfrytëzon çdo rast për të përsëritur justifikimet e tij të pabaza për pushtimin e të Ukrainës. Ai pretendon rrejshëm se Qeveria demokratike në Kiev udhëhiqet nga neo-nazistët, se pakica rusisht-folëse atje përballet me gjenocid dhe se aleatët perëndimorë të Ukrainës paraqesin kërcënim ekzistencial për Rusinë. Ai, po ashtu, thotë se Ukraina ka planifikuar ta sulmojë Rusinë, gjë të cilën Kievi e mohon kategorikisht.
“Rusia i ka dhënë një goditje parandaluese agresionit. Ka qenë një vendim i detyrueshëm, në kohë dhe i duhur – vendim i një vendi sovran, të fortë dhe të pavarur”, ka thënë Putin më 9 maj.
Në këtë datë, Rusia kujton mposhtjen e Gjermanisë naziste, më 1945. Mbi 27 milionë qytetarë sovjetikë kanë humbur jetën në atë që rusët e quajnë Luftë të Madhe Patriotike. Putin ka thënë se kujtimi për ta nuk venitet kurrë.
Por, pak orë pas fjalimit të tij, sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se pushtimi i Ukrainës është, në fakt, duke e çnderuar të kaluarën e Rusisë dhe ka akuzuar Putinin për fashizëm.
“Me pushtimin e Ukrainës, Putin dhe rrethi i tij i gjeneralëve pasqyrojnë fashizmin dhe tiraninë e 77 vjetëve më parë, duke përsëritur gabimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar. Ata po tregojnë të njëjtën mospërfillje për jetën njerëzore, për sovranitetin kombëtar dhe për sistemin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla”, ka thënë Wallace.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thënë se Putin është më i rrezikshëm se udhëheqësi nazist, Adolf Hitler, apo diktatori sovjetik, Joseph Stalin. Në një shkrim për gazetën britanike The Telegraph, më 10 maj, Morawiecki ka thënë se “Putin nuk është as Hitler, as Stalin”.
“Fatkeqësisht, është më i rrezikshëm. Ai, jo vetëm që ka në dispozicion armë më vdekjeprurëse, por ka në dorë edhe mediat që përhapin propagandën e tij”, ka thënë Morawiecki.
Ish-drejtori i inteligjencës kombëtare të SHBA-së, James Clapper, ka thënë në një intervistë për rrjetin CNN se Putin “është Hitleri i shekullit 21”. “Ai është brutal, i ftohtë dhe nuk ka respekt për njerëzimin”, ka thënë Clapper.
Në mediat sociale, hashtagu #PutinHitler është trend qëkur Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj më 24 shkurt. Ngjashëm edhe karikaturat e Putinit me pamje të Hitlerit.
Hitleri, si udhëheqës i Gjermanisë naziste, ka filluar Luftën e Dytë Botërore në Evropë, duke pushtuar fillimisht Poloninë, në shtator të vitit 1939. Paraprakisht, forcat e tij kanë aneksuar Austrinë dhe Çekosllovakinë e atëhershme.
Putin, para pushtimit të Ukrainës, ka ndërhyrë ushtarakisht në Gjeorgji në vitin 2008 dhe, gjashtë vjet më vonë, ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë. Historianët dhe shkencëtarët politikë janë të ndarë në mendime – nëse Putin është apo jo një Hitler i ditëve të sotme.
Sipas historianit amerikan, Alexander Motyl, një krahasim i tillë nuk mund të mohohet. Ajo që bota sheh sot, kujton, sipas tij, të bëmat e ushtrisë naziste.
“Perëndimi, derisa merret me Putinin, duhet ta kuptojë se ka të bëjë me një Hitler tjetër. Ka të bëjë me një Gjermani tjetër naziste. Ky është një realitet i trishtë. Është po ashtu e trishtë që ne e kemi lejuar Putinin të bëhet kështu. Sepse, me dekada të tëra, Evropa Perëndimore dhe Amerika nuk e kanë vlerësuar plotësisht rrezikun dhe të keqën që ka paraqitur Putin”, thotë Motyl për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Motyl, ligjërues në Universitetin Rutgers në Nju Xhërsi, thotë se edhe Putini, edhe Hitleri kanë përdorur propagandën për të fituar mbështetjen e popullatës së tyre, të dy kanë pretenduar se njerëzit e tyre janë racë e veçantë, me traditë të shquar, dhe të dy kanë këmbëngulur se vendet e tyre janë të rrethuara me armiq.
Motyl tregon se cila, sipas tij, është paralelja më e rrezikshme midis dy figurave:
“Vetë ekzistenca e hebrenjve ka qenë kërcënim sipas Hitlerit. Vetë ekzistenca e ukrainasve është kërcënim sipas Putinit. Këtu, natyrisht se nuk bëhet fjalë vetëm për Hitlerin dhe Putinin, sepse ka pasur shumë gjermanë, ashtu siç ka shumë rusë, që pajtohen me këto pikëpamje. Dhe, ashtu siç ka vendosur Hitleri, që hebrenjtë duhet të shfarosen, ashtu ka vendosur edhe Putini që ukrainasit duhet të shfarosen. [Putini] preferon të thotë denazifikim i Ukrainës, por në thelb bëhet fjalë për program të shfarosjes”, thotë Motyl.
Hitleri ka qenë orkestrues i Holokaustit. Mbi 6 milionë hebrenj janë vrarë nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pikërisht për shkak të këtij gjenocidi, Peter DeSimone, profesor i historisë në Universitetin Utica në Nju Jork, thotë se nuk do ta quante Putinin Hitler.
“Putini të quhet Hitler – mendoj se nuk është e drejtë për tragjeditë që ka kryer Hitleri dhe për shumë e shumë viktimat e tij. Putini, mendoj ushtarët e tij, gjeneralët e tij patjetër që janë duke kryer mizori. Nuk ka dyshim për këtë, por Hitleri ka qenë një nivel krejt tjetër”, thotë DeSimone për Exposenë.
Sipas tij, dy figurat mund krahasohen në strategji dhe terminologji. Putin, në disa raste, ka thënë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë “katastrofike” dhe “e padrejtë. Ai po ashtu ka thënë se Rusia “është dashur të nisë operacionin” në Ukrainë, përpara se ta sulmonin të tjerët. Sipas DeSimones, këto deklarata janë dëgjuar edhe më parë.
“Kjo është një praktikë që fashistët e kanë përdorur në të kaluarën, duke thënë se historia jonë nuk është respektuar kurrë dhe përse duhet të presim që pala tjetër të na respektojë tani. Ne duhet të veprojmë. Ka qenë ideja e Hitlerit që unë duhet të sulmoj i pari, përpara se të sulmohemi”, thotë DeSimone.
Një tjetër gjë që ka tërhequr krahasime me simbolin e svastikës, të veshur nga ushtarët nazistë në Luftën e Dytë Botërore, është shkronja “Z”. “Z” është bërë simbol i luftës ruse në Ukrainë. Fillimisht është parë i vizatuar në tanke dhe në automjete ushtarake, ndërsa më vonë është adoptuar nga të gjithë ata që mbështesin luftën.
Kuptimi i saktë nuk dihet, por disa vende në Evropë kanë ndaluar përdorimin e këtij simboli, ashtu si edhe të simbolit V dhe të fjongos së Shën Georgievit, që njësoj janë bërë shenja të agresionit rus në Ukrainë.
Motyl dhe DeSimone thonë se Rusia, aktualisht, paraqet rrezik për paqen në botë, njëjtë sikurse Gjermania e viteve 1940. Sipas tyre, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, derisa forcat e saj të arrijnë të dëbojnë ushtrinë ruse jashtë kufijve. Profesori Motyl thotë se interes i Rusisë nuk është vetëm Ukraina.
“Ai [Putin] është i vendosur për shkatërrimin e Ukrainës, por është i vendosur edhe për rindërtimin e Perandorisë Ruse. Kjo nënkupton [pushtimin] e Moldavisë, të shteteve të Baltikut, Polonisë, Kazakistanit, Armenisë dhe ndoshta Azerbajxhanit”, thotë Motyl.
Se si do të përfundojë apo vazhdojë lufta në Ukrainë, askush nuk mund ta thotë me siguri. Pushtimet e Hitlerit kanë marrë fund kur Bashkimi Sovjetik ka shkatërruar ushtrinë naziste, më 1945. Hitleri ka bërë vetëvrasje kur trupat ruse i janë afruar bunkerit të tij në Berlin.
Një dallim i qartë midis dy figurave është se Rusia e Putinit, ndryshe nga Gjermania e Hitlerit, është fuqi bërthamore. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm, Rusia ka stokun më të madh të armëve bërthamore në botë: me mbi 6,000 armë.
Në fillim të luftës, Putin ka paralajmëruar se nëse dikush përpiqet të ndërhyjë në Ukrainë, do të përballet me pasoja të papara ndonjëherë në histori. Shumë njerëz kanë thënë se lideri rus i është referuar luftës bërthamore. Zyrtarët perëndimorë, në disa raste, kanë përsëritur se një luftë e tillë nuk do të kishte fitues. Ata po ashtu e kanë bërë të qartë se nuk do të ndërhyjnë direkt midis Rusisë dhe Ukrainës.
Profesori Motyl thotë se mund të imagjinojë lehtësisht një puç kundër Putinit, të iniciuar nga gjeneralët apo policia e tij sekrete.
“Historia sovjetike ka qenë plot me grushtshtete dhe puçe. Një përpjekje e dështuar ka ndodhur në vitin 1991. [Leonid] Brezhnevi dhe kolegët e tij kanë larguar [Nikita] Khrushchevin nga detyra. Puçi bolshevik ka ndodhur më 1917. Puçi Kornilov ka ndodhur po ashtu më 1917. Andaj, nuk ka arsye për të besuar se kjo nuk mund të ndodhë edhe në rrethanat aktuale”, thotë Motyl.
Megjithatë, zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë thënë se presidenti rus duket se po përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë. Deri më tash, atje janë vrarë mijëra njerëz, ndërsa miliona janë larguar nga shtëpitë.