
A është shtrirë sovraniteti i Kosovës në veri, apo po maskohet dështimi i institucioneve shtetërore?
Shkruan: Hisen Berisha
Më 21 shkurt, Policia e Kosovës mbylli zyrat për punë sociale të Serbisë në veri të vendit. Arrestimi i katër personave zyrtarë që punonin në ato zyra më 8 shkurt tregon qartë se këto institucione të Serbisë po funksiononin në veri deri këtë ditë kur ndërhynë në proces zgjedhor. Atëherë, a ishin vërtet të mbyllura – të gjitha – këto zyra, a ka pasur shtrirje të plotë të pushtetit dhe autoritetit shtetëror atje?
Para disa ditësh, pikërisht më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për komunat veriore u kërkoi qytetarëve që të mos përdorin flamurin shtetëror për festime në veri, duke i udhëzuar që ai të vendoset vetëm në Lagjen e Boshnjakëve, ku banojnë komunitete të vogla jo-serbe.
Tani shtrohet pyetja: A janë larguar plotësisht institucionet paralele në veri siç kanë deklaruar deri tani pushtetarët e Republikës së Kosovës, apo kanë gënjyer të gjithë, deri te kryeministri?
A po e mbështet Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e zëvendësdrejtorit në veri, shtrirjen e plotë të sovranitetit në atë pjesë të vendit, apo është aty vetëm për të kufizuar shfaqjen e simboleve shtetërore në territorin kushtetues dhe institucionet funksionale të vendit?
Nëse koalicioni i ardhshëm qeverisës, për të cilin po flitet gjithnjë e më shumë, dështon të mbrojë interesat shtetërore atje, atëherë kur të ndodhë kjo, do të jetë shumë vonë për të reaguar. Në atë pikë, Kosova mund të ketë humbur përfundimisht edhe këtë pjesë të territorit të saj.