A hanë meshkujt më shumë mish se femrat?
Ndikimet e konsumit të mishit dhe të qumështit ndaj mjedisit janë të dokumentuara mirë. Vitit të 10-të të fushatës “Veganuary” i janë bashkuar mijëra vetë, po sa kanë ndryshuar qëndrimet ndaj veganizmit?
Fushata e “Burger King’s Impossible Whopper” në 2019-ën ishte një impuls aktivizimi për avokaten me përvojë të veganëve Toni Vernelli.
Tridhjetë vjet më parë ajo bënte fushatë kundër kompanisë. Të shohësh ata të krenohen duke promovuar një burger vegan dhe më pas të angazhohen për një menu 50% me bazë bimore deri në vitin 2030, tregon se sa shumë ka ndryshuar. Është një shenjë se nuk ka kthim pas, shpjegon Vernelli. “Duket se ka vetëm një mënyrë si mund të vazhdojë kjo lëvizje.”
Veganizmi, i parë dikur si një zgjedhje e skajshme e stilit të jetesës, duket se po zë një vend gjithnjë e më të madh në kulturën e përgjithshme perëndimore.
Dietat vegane prodhojnë 75% më pak emetime gazrash që shkaktojnë efektin serrë, përgjegjës për ngrohjen e planetit dhe dukshëm më pak ndotje të ujit dhe shkatërrimin e kafshëve të egra, sipas një raporti të fundit shkencor në revistën Nature Food.
Ndërgjegjësimi për klimën e ka shtuar këtë oreks
Më shumë mbulim mediatik i ndikimit mjedisor të ngrënies së mishit dhe bulmetit ka qenë një tërheqje kyçe, shpjegon Maisie Stedman, oficere mediatike në Shoqërinë Vegane me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. “Unë mendoj se kjo ka shkaktuar një ndryshim të vërtetë në mendësinë e njerëzve … Sepse ne në fakt po shohim shumë më tepër ndikimet reale të krizës klimatike.”
Ushqime të tilla si frutat dhe perimet, bishtajat dhe drithërat kërkojnë më pak energji, tokë dhe ujë për t’u prodhuar sesa ushqimet me bazë shtazore. Prodhimi i mishit përfshin sipërfaqe të mëdha kullotash, shpesh të pastruara nga prerja e pemëve. Kafshë, si lopët dhe delet, gjithashtu prodhojnë metan gjatë tretjes dhe oksidi i azotit emetohet nga plehrat që përdoren për të rritur ushqimin e tyre – të dy janë gazra kyç të efektit serrë.
Thyerja e stereotipeve të vjetra dhe të reja
Por vëmendja në rritje për veganizmin ka nxjerrë në pah edhe stereotipet – të vjetra dhe të reja – thonë aktivistët.
Veganuary është përpjekur të përballet me arketipin klasik të veganit predikues, gjykues, shpjegon Vernelli, duke pranuar edhe për të provuar ndryshe apo edhe dështimin në vend të “ngurtësisë së frikshme të të qenit vegan përgjithmonë”. Një e katërta e pjesëmarrësve vitin e kaluar thanë, se mund të vazhdonin një mënyrë jetese vegane dhe pothuajse gjysma e pjesës tjetër thanë, se do të reduktonin ndjeshëm produktet shtazore në dietat e tyre.
Ajo ka ndihmuar gjithashtu për të shmangur keqkuptimin, se veganizmi është i kushtueshëm dhe për t’i bërë njerëzit të mendojnë rreth “çështjesh themelore – çfarë ha unë?”, thotë Stedman.
Mishi dhe mashkullorja
Por trajtimi i steriotipit “mishi është për burrat” ka qenë sfida më e madhe. “Ka shumë më shumë gjasa të jesh vegan nëse je femër”, thotë Stedman. “Dhe ne mendojmë se kjo ka të bëjë me stereotipet ekzistuese rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh burrë dhe çfarë do të thotë të hash mish.”
Nga 1.3% e popullsisë në Mbretërinë e Bashkuar që e përshkruajnë veten si vegan, vetëm 37% janë burra, sipas “Shoqërisë Vegane”.
Ideja e mishit si ushqim burrëror ka rrënjë të thella kulturore dhe reflektohet në çdo gjë, nga kultura pop deri te marketingu i ushqimit, deri tek vetë gjuha potencialisht. Një studim zbuloi se në gjuhët me emra gjinorë, fjalët e lidhura me mishin ishin më shpesh mashkullore.
“Unë mendoj se kudo që jetoni në hemisferën veriore…ne e lidhim mishin me meshkujt,” thotë Isaias Hernandez, edukator mjedisor me bazë në SHBA, i njohur më shpesh me emrin e tij në internet “Queer Brown Vegan”. “Dhe kjo përforcon mendësinë patriarkale të dominimit të tokës.”
“Shoqëria Vegane” kohët e fundit ka kryer kërkime mbi qëndrimet ndaj dietave vegane si pjesë e përpjekjeve të tyre për të angazhuar më shumë burra. Ata zbuluan se megjithëse 41% e meshkujve jo-veganë në Mbretërinë e Bashkuar thanë, se kishin interes të bëheshin vegan, një pengesë kryesore ishte droja nga stigma sociale ose tallja prej miqve dhe familjes – me dietat vegane që shpesh shihen si “femërore”.
“Djalë soje” është mishërimi më i fundit i këtij stereotipi. Termi poshtërues për meshkujt të perceptuar si të dobët – i përdorur shpesh në internet kundër atyre që shihen si të majtë – i referohet lidhjes së paprovuar midis ngrënies së produkteve të sojës dhe rritjes së niveleve të estrogjenit.
Vernelli thotë se dokumentarët si The Game Changers, të cilët ndoqën atletët në dietat me bazë bimore, kanë ndihmuar në sfidimin e idesë që nuk mund të shtosh muskuj ose të jesh i fortë në një dietë vegane.
Influencuesit veganë hiper-mashkullorë, duke promovuar sesi një mënyrë jetese me bazë bimore mund të kontribuojë në shëndetin dhe fitnesin, kanë lulëzuar gjithashtu vitet e fundit – #Veganmen në Instagram zbulon një mozaik bicepsësh dhe bimësh.
Por rritja e tyre nuk është e dobishme për avancimin e një kuptimi më gjithëpërfshirës të veganizmit, thotë Hernandez. “Influencuesit veganë meshkuj – kryesisht të bardhë dhe heteroseksual – gjithashtu përforcojnë mendësitë patriarkale. Ata luftojnë burrërinë toksike me burrëri toksike.”
E ardhmja e veganizmit
Për të ndryshuar mentalitetin, lëvizja duhet jo vetëm të ndryshojë idetë rreth gjinisë, por edhe edukatorët duhet të jenë ndryshe, thotë Hernandez, duke shtuar se prirja e perspektivës globale deri tani ka qenë që të bardhët e veriut kanë dominuar diskutimin për veganizmin. “Dhe kjo duhet të ndryshojë, sepse gjithmonë kanë ekzistuar shumë veganë të me ngjyrë dhe indigjenë.”
Ndërsa veganizmi ka kaluar në rrjedhën kryesore, kuptimi ynë për të është bërë shumë materialist, argumenton Hernandez: “Është më shumë produkte vegane në raft.”
Ilaçi kundër kësaj është më shumë edukim, shpjegon Hernandez. Ai sugjeron organizimin në grupe javore me miqtë për të lexuar libra mbi “Veganuary-rit” për t’u njohur më thellë me ndikimin e sistemeve tona ushqimore te njerëzit dhe planetin, ose thjesht të shikoni përtej asaj që është në supermarket dhe të filloni të kërkoni ushqim në komunitetin tuaj lokal.
Vernelli pranon, se ka ende një rrugë për të bërë deri në ndryshimin e mentalitetit publik që veganizmi të jetë më i pranueshëm – dhe disa vlerësime parashikojnë se deri më 2050 konsumi global i mishit do të rritet me 50%.
Megjithatë, në 10 vjet nisur nga sot, ajo beson se veganët edhe pse mund të mos jenë në shumicë, ata do të jenë krejt të zakonshëm: “Nuk do të jetë më aspak problem, do të jetë njësoj siç i thua dikujt, nuk më pëlqen borziloku, ose nuk më pëlqejnë turshitë.”/dita/.