A i shpalli ambasadori Kosnett zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë

17 qershor 2021 | 15:45

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Deklarata e të fortit dhe përqyerrja e të padinjitetshmit: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më në fund u takua me Gebelsin e Serbisë, që nga koha e Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit, presidentin Aleksandër Vuçiq i cili, me dinakëri dhe mjeshtri po e luan rolin e viktimës dhe me një alkimi bizantine u shndërrua nga krimineli në të përvuajtur dhe të persekutuar. Vuçiqi e ka shtrënguar dhe betonuar absolutizmin në Serbi, mbase edhe më tepër se vet Millosheviqi, por tani me mjete tjera, me mjete demokratike dhe me përkrahje të Rusisë, Kinës, shteteve të BE-së dhe ShBA-ve. Po llogaritet si lojtar i fortë sikur edhe në një peacemaker, ndërtues i paqes sikur dikur mësuesi i tij shpirtëror, Slloba Millosheviq. Është pikërisht e kundërta, sidomos me boshnjakë dhe shqiptarë; e ka ruajtur dhe sofistifikuar mendësinë dhe veprimin shovinist dhe racist, me një fjalor demokratik. BE-në e ka shndërruar në një partner të pazëvendësueshëm duke ia legjitimuar dhe legalizuar rolin e tij destruktiv në Bosnje dhe Kosovë. Së fundi, këtë, pa asnjë maskim po e bëjnë mashtruesi, rrugaçi dhe rrenci i Brukselit, anues i hapët për Serbinë, Mirosllav Lajçak dhe tjetri të cilit iu janë ngatërruar rrugët për shkak të mungesës së parimeve për gjykim të drejtë dhe të qenit i pavarur, Borrelli, toreador i tredhur nga Spanja. Para se të shkojë në Bruksel, Albin Kurti deklaroi se ky takim nuk do të jetë vazhdim i bisedimeve të mëparshme por përgatitje dhe caktim i rendit të ditës për takimin e radhës. Kush nuk e njeh mirë Albinin mendon se ky takim ishte huqje, se qenka mashtrues ordiner dhe se paska luajtur nga mendja. Asgjë e vërtetë nga kjo! Albini me vetëdije të plotë i është përmbajtur asaj që e ka thënë para takimit ndërsa katër propozimet e bëra janë pikërisht në funksion të asaj që e ka thënë. Albin Kurti e ka shumë të qartë se Asociacioni i Serbisë në Kosovë apo Zajednica është çështje e pashmangshme dhe se askush nuk do të qëndrojë në pushtet duke e shpërfillur këtë realitet pavarësisht se, prej një ëndrre të keqe u shndërrua në një makth dhe ankth real për Kosovën.  Zajednica do ta bëjë Kosovën shtet jofunksional në planin afatgjatë e që, pas një periudhe të caktuar kohore edhe do ta shpallë një pavarësi duke u bashkuar me Serbinë. Albin Kurti, prej të gjithë kryeministrave, që nga përfundimi i luftës ka më së paku hapësirë për veprim për të kundërshtuar Zajednicën në ndërkohë që nuk ka asnjë përgjegjësi për themelimin e saj. Madje, njëra ndër shtyllat krysore të veprimtarisë politike dhe armë e fuqishme për të ardhur në pushtet ishte pikërisht kundërshtimi i Zajednicës. Tash, një hapësirë mikroskopike për kundërshtim po e përkthen në sqarimin se në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion njëetnik ndonëse ky Asociacion i komunave të Serbisë në Kosovë nuk është njëetnik për faktin se aty ka serbë, romë, boshnjakë, turq, goranë dhe komunitete tjera që janë të inkuadruar në Listen Serbe. Kundërshtimi tjetër i Albinit se Zajednica e Serbisë në Kosovë është në kundërshtim me Kushtetuten e Kosovës është ekskluzivisht për përdorim të brendshëm për faktin se një Marrëveshje Ndërkombëtare konsiderohet se është ratifikuar nëse votohet në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe se për këtë nuk kërkohet fare mendimi apo vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dallim, nga, p.sh. Shqipëria ku asnjë Marrëveshje Ndërkombëtare nuk mund të ratifikohet në Kuvendin e Shqipërisë pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Propozimet e Albin Kurtit në Bruksel ishin kryesisht të natyrës ç’orientuese dhe, ndonëse nuk prodhojnë asnjë efekt politik, ishin thuaja të domosdoshme. Propozimi që CEFTA të shndërrohet në SEFTA më duket sikur tregimi i Kolë Jakovës në romanin “Fshati midis Ujërave” për Hanën e Zef Macës dhe Hanën e Zef Bacës. Një shkronjë ka dallim këtu. Albin Kurti nuk mund ta akuzojë Velko Odalloviqin për mikrokrime kurse të bisedojë me Aleksandër Vuçiqin që është kriminel lufte i profilit dhe përgjegjësisë së lartë. Nuk është Velko Odalloviqi Gebelsi i Serbisë por është Aca Vuçiqi Gebels dhe Himler i Serbisë, si në retrospektivë ashtu edhe aktualisht. Prandaj, sqarimi i shoqëruesit të Albinit, Besnik Bislimit se Kurti nuk e ka thënë këtë ishte pa asnjë sens. Edhe nëse Kurti nuk e paska thënë, duhet ta thotë! Çfarë nënshkrimi të marrëveshjes për mossulmim të nënshkruhet kur Serbia nuk na njeh si shtet. Është kopijimi i pamfletit të Hajres, të shaptilografuar urbi et orbi, shtatë vite më parë. Kurse, përpjekja për të baraspeshuar trajtimin e komuniteteve pakicë në Kosovë dhe Serbi përkatësisht të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës është joserioz për faktin se serbët e “Kosovës” e kanë krijuar në realitet tjetër në Kosovë duke mbjellur tokën me figura historike serbe, me një ikonongrafi ortodokse, duke ndërtuar qindra shtëpi dhe banesa për kolonistët serbë, duke krijuar dhe pavarësuar institucionet paralele dhe duke e spastruar terrenin nga shqiptarët dhe joserbët që nuk i binden Beogradit. Veriu i Kosovës, si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja i ngjanë tokave të okupuara arabe dhe palestineze nga Izraeli dhe përpjekja që, përmes ndërtimit të kibuceve ilegale, t’i kolonizojnë ato toka. Në anën tjetër, një grusht i shqiptarëve të Luginës nuk paraqet asnjë problem apo rrezik për Serbinë shkaku se kapaciteti i tyre destabilizues është i papërfillshëm. Kapaciteti për destabilizim në Ballkan e ka rëndësinë e armëve bërthamore për arritjen e qëllimeve politike!

Çka tha Kosnetti, çka tha Kosnetti: Qëndrimet e Albin Kurtit në Bruksel u komentuan nga pozicionet politike, interesat personale, nga forma e shtyllës kurrizore dhe nga fusha e fantastikes shkencore. Këta që shtyllën kurrizore nuk e kanë të ndërtuar sipas rregullave të anatomisë por sipas bindjeve ndaj Albinit, e shpallën si ditë historike këtë takim në Bruksel e sidomos rolin e Albinit. Po të njëjtin qëndrim mbajtën kacavjerrësit dhe jargavanët që i jargaviten Albinit dhe të cilët asnjëherë nuk kanë pasur dilema morale shkaku se moralin e kanë ndërlidhur me ndonjë interes personal, familjar etj. Opozita ka huqur krejtësisht në vlerësimin e takimit duke e akuzuar Albinin për gjërat për të cilat pikërisht opozita ka përgjegjësi 100 për qind. Jo pse nuk e ka marrë Saranden apo Vasfijen, jo pse ka shkuar në takim pa kërkimfalje dhe pa i paguar Serbia dëmet e luftës dhe kopalla të ngjashme. Ky ishte takim testues i Albinit prandaj, mendoj se opozita duhet 100 për qind të jetë në përkrahje të Albinit për faktin se dëmi që eventualisht do ta bëjë Albini nuk është as i përafërt me dëmin që e kanë bërë paraardhësit politikë dhe parapolitikë. Reagimi i ndërkombëtarëve ishte shumë i pritshëm, sidomos i ambasadorit Filip Kosnett që është kryetar Kuvendi, president i Kosovës dhe, deri në ardhjen e Albinit edhe kryeministër i Kosovës. Kërcënimi se Zajednica e Serbisë në Kosovë duhet të themelohet dhe se historia e Kosovës nuk fillon me qeverinë Kurti mund të interpretohet si lehtësim për Albin Kurtin apo përkrahje ndërkombëtare për formimin e Zajednicës ose, nëse nuk i bindet, atëherë do të bëhet detronizimi i Albin Kurtit nga posti i kryeministrit dhe shkuarja në zgjedhje të reja. Me gjasë edhe Albin Kurti po e shqyrton këtë mundësi andaj po e krijon infrastrukturen në KQZ për zgjedhje lokale apo, edhe të përgjithshme. Me një urgjencë dhe post mortem e shkarkuan udhëheqësen e KQZ-së, Valdete Dakën dhe, nëse e vëreni regimin ndërkombëtar mund të shihni se ishte i qullët, i zbehtë dhe oportunist.  Më të zëshëm dhe më energjikisht kanë reaguar kur i janë vjedhur brekushet Otac Sava Janjiqit, se kur është shkarkuar Valdete Daka. Realisht, në këtë shkarkim, përfituesi më i madh ka qenë Valdete Daka. E ka humbur një post por ka shpëtuar nga terrorizimi dhe dhunimi permanent nga dy anëtarë të VV-së në KQZ, Idriz Seferi i Hogoshtit dhe Ymer Prizreni i Dragashit. Kërcënimet e Zeusit të Kosovës, Filip Kosnett për formimin e Zajednicës vetëm sa e forcojnë Albin Kurtin para zgjedhjeve lokale dhe mbase edhe të përgjithshme. Albin Kurti, me votat që po ia mbushë Filip Kosnetti mund të fitojë 19-24 komuna në Kosovë, pa asnjë problem. Në anën tjetër, nëse Albini e kundërshton formimin e Zajednicës, sigurisht se do të fitojë edhe zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, nëse ato mbahen por kurrë më nuk do të bëhej kryeministër i Kosovës, pa formimin e Zajednicës.

Realisht, Albin Kurti dhe VV-ja mund edhe ta pranojnë dhe formalizojnë Zajednicën sepse nuk kanë mundësi të kundërshtimit pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës, nëse duan ta mbajnë pushtetin. Kryetari i Kosovës, e tha këtë qartë në një intervistë pas së cilës kryeministri i Kosovës përsëri tha se në Kosovë nuk mund dhe nuk do të ketë Zajednicë. Ta shohim pra, do të jetë interesant zhvillimi i ngjarjeve në të ardhmen ku, ose Kosnetti do të detronizohet nga posti, ose Albin Kurti do të kalojë në opozitë. Të fortit ndërkombëtarë, përballë jargavanëve servilë të vendit nuk ofrojnë fare mundësi sqarimi por e kanë formulën, lëre ose merre.  Kur i Pavdekshmi dhe Njeriu si dhe Shqiptari i Papërsëritshëm, Baca Adem Demaçi refuzoi pjesëmarrjen në Konferencën e Rambujesë më pati treguar se gjatë takimit me Robin Kuk në Shkup, nuk ishte pyetur fare se çka mendon për Rambujenë por se i ishte orfruar një dokument që përdorej si biletë hyrëse për Rambuje; nëse e pranoni, shkoni në Rambuje, nëse e refuzoni, mbeteni në Kosovë. Edhe Albin Kurti është po në të njëjtën situatë; askush nuk e pyet çka mendon për Zajednicën por është vënë para vendimit, merre ose lëre. Nëse Albini nuk do ta pranojë këtë ofertë, ka të tillë që presin në radhë për ta bërë këtë.

Ndaj mendimin me një mik timin, Artanin që thotë se, edhe nëse formohet Zajednica sipas Marrëveshjes së Brukselit, serbët nuk do të kënaqen me marrëveshjen por se do të kërkojnë përtej marrëveshjes ndërsa Kosova nuk ka mekanizma kontrollues dhe frenues për këtë për faktin se serbët dhe Serbia kurrë nuk do t’i binden autoriteteve kosovare.

Albin Kurti e ka pisk punën; ka dashur shumë pushtet ndërsa tash nuk mund ta mbajë nën kontrollë pushtetin e fituar. Këtu është problemi. Nuk bëhet këtu fjalë për përmbushje apo mospërmbushje të premtimeve apo mbajtjes së parimeve të proklamuara sa ishte në opozitë. Pozita dhe opozita dallojnë si nata me ditën. Nuk e besoj se Albin Kurti do ta nënshkruaj një marrëveshje që e dëmton përmbajtësisht Kosovën apo që është kundër interesave të shqiptarëve. Nuk do ta bëjë këtë, besoj asnjëherë. Nuk do ta bënte këtë as Hashim Thaçi, qoftë si president apo kryeministër, as Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, as Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit, as Rexhep Selimi dhe asnjëri që janë në burgun e Speciailkes. Po do ta bënin këtë, asnjëri nuk do të ishte në burg, së paku jo deri sa të nënshkruhej Marrëveshja me Serbinë. Ndërkombëtarët duan që edhe prej balte dhe prej m..i të bëjnë politikanë shqiptarë që do t’ua realizonin projektet e tyre e jo t’i burgosin ata, që sipas disa politikanëve injorantë kosovarë i akuzojnë të burgosurit e Hagës për marrëveshje të dëmshme. Kurrë nuk do të nënshkruanin një marrëveshje të tillë prandaj u zbritën nga aeroplani dhe u dërguan në Hagë! Kosova, sot, nuk ka mundësi e as forcë ta pengojë Zajednicën por duhet ta krijojë një strukturë politike që do ta menaxhojë dëmin e shkaktuar nga ndërkombëtarët. Në Rambuje u bë ndarja e Mitrovices dhe në Rambuje u vendosë që xhandarmeria franceze të vendoset në Urën e lumit Ibër, si pjesë e ndërmarrjes kriminale, së bashku me Rojat e Ures. Nuk kemi qenë në pozitë asnjëherë të vendosim për veten tonë, të pavarur dhe sipas vullnetit tonë.

Tash, ne e mbivlerësojmë forcën tonë sikur edhe rolin tonë në zhvillimet gjeostrategjike dhe gjeopolitike në botë. Dëgjoj kur thonë se bisedimet me Serbinë dhe me BE-në duhet të kushtëzohen me këtë e me këtë kusht..! Për ta ilustruar fuqinë e kushtëzimit dhe embiciet joreale që i shtrojmë, më duhet ta tregoj një barsoletë e për të cilën kërkoj falje nëse i kalon kufijt e korrektësisë apo nëse dikush preket, në një apo formë tjetër. Një i moshuar, i moshës sime apo edhe më i madh shkon në një barnatore dhe i kërkon farmacistes një çerek të viagres. Farmacistja, duke shfaqur keqardhje, edhe për moshën por edhe për pamundësinë e blerjes së një tablete i drejtohet të moshuarit me fjalët: “Xhaxhi, kjo sasi që po e kërkoni, nuk ju kryen punë, më mirë mos bëni shpenzime koti… :. Ndërkaq,  i moshuari i përgjigjet: “zonjushë, ambiciet e mia nuk janë të tilla që mendoni ju por se qëllimin e kam që me një çerek viagre, së paku të mos i pëshurr pantollat…”. Duket se ne kemi shkuar përtej kësaj.

Po, jeta vazhdon dhe zhvillimet e reja i mbulojnë ato të vjetrat. E harrova Kosnettin dhe Zajednicën kur dëgjova se Shefqet Krasniqi është infektuar me Covid-19 dhe natë e ditë po lutem për shëndetin e tij. Gjithashtu, një kohë të gjatë nuk kam dëgjuar për eruditin politik dhe njeriun më të rëndësishëm për Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët dhe shqiptarinë, Behgjet Pacollin. Zoti e bëftë hajr dhe ia dhashtë të mbarën Barcelonës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë bërë 22 vjet nga rënia e njërit prej komandantëve…