A ishte planifikuar mirë testimi i unazës njëkahore për qytetin e Prishtinës?
Nga: Prof.asoc.dr. Ferat Shala & Ass.Msc. Liridon Sejdiu
Eksperimentet janë metoda shkencore që ju mundësojnë njerëzve të testojnë një ide dhe të marrin rezultate të besueshme. Por për të realizuar një eksperiment të suksesshëm ai paraprakisht duhet të projektohet, të planifikohet dhe pastaj të realizohet.
Këtyre ditëve (të shtunën dhe të dielën e kësaj jave), Komuna e Prishtinës, vendosi të bëjë një eksperiment për të testuar funksionimin e unazës njëkahore të qarkullimit të automjeteve në qytetin e Prishtinës me qëllim që të analizojë mundësitë e zbatimit të këtij regjimi të qarkullimit nëpër segmentet rrugore të qendrës së qytetit.
Megjithkëtë, nga ajo që pamë dhe dëgjum lidhur me realizimin e këtij eksperimenti, mundë të themi lirisht që ky testim nuk ishte projektuar dhe nuk ishtë planifikuar mirë për disa arësye.
Së pari një eksperiment i tillë do të ishte i pranueshëm dhe nuk do të kishte efektin e tij në qytetet e vogla por jo edhe në qytetet e mëdha siç është Prishtina, e cila është zonë atraktive dhe që qarkullimi i automjeteve është mjaft i madh edhe në ditët e vikendit e sidomos në qendër të Prishtinës.
Së dyti, eksperimenti i unazës njëkahore ka qenë i papritur për qytetarët dhe ka krijuar konfuzitet duke krijuar kolona të gjata të automjeteve nëpër rrugë.
Po ashtu vërehet qartë se para zbatimit të ekserimentit nuk është bërë një analizë e mirëfilltë paraprake e nyjeve të komunikacionit brenda unazës. Dihet se një prej pikave kritike të qarkullimit të automjeteve në Prishtinë është rrethrrotullimi te objekti i komunës së Prishtinës që nga rruga njëkahore (treshiritore) krijohet fyti i ngushtë që është vetëm një shirit qarkullues në unazën rrethore që kjo krijon kolona të gjata të automjeteve, gjë që është vërejtur edhe në ditën e parë të eksperimentimit.
Gjithashtu është dashur të bëhet një analizë edhe lidhur me ndikimin që do të kenë sinjalizimi ndriçues në rrugën njëkahore, sikurse janë ato në rrugët kryesore si “Bill Klinton”, “Eqrem Çabej” dhe “Xhorxh Bush”, që gjithashtu janë krijuar kolona të gjata të automjeteve gjatë testimit.
Në këto rrugë është dashur të bëhet një analizë e programeve ekzistuese të sinjalizimit dhe në bazë të rezultateve të krijohej programi optimal në eliminimin e pikave kritike të udhëkryqeve me sinjalizim ndriçues përgjatë unazës.
Analiza e mirëfilltë nuk mund të bëhet brenda ditësh, kjo kërkon kohë, angazhim, përkushtim dhe zbatim të metodava të ndryshme dhe hulumtime paraprake. Sidomos duhet ti kushtohet vëmëndje e tjeskuar hulumtimit sa i përket madhësisë së qarkullimit të automjeteve në kohë dhe ditë të ndryshme, të hyrjeve-daljeve nga qyteti. Këtu duhet theksuar se qyteti i Prishtinës nuk posedon asnjë kamerë sa i përket karakteristikave të trafikut si dhe asnjë prej semaforëve nuk posedon sisteme inteligjente që të adaptohet karshi qarkullimit të automjeteve.
Analiza e trafikut në kohët moderne bëhet përmes eksperimenteve virtuale duke përdorur softuerët e ndryshëm. Këtë softuerë shërbejnë për analizë të qarkullimit të automjeteve sipas gjendjes ekzistuese dhe pastaj duke përdorure parametra të ndryshëm japin zgjidhje optimale për qarkullimin e dëshiruar përmes opsioneve të simulimit. Simulimi që kryesisht ndërtohet duke përdorur bazën e të dhënave nga terreni duhet ti përshtatet edhe sjelljes së ngasësve brenda zonës urbane, në rastin konkret të qytetit të Prishtinës.
Softuerët më të njohur që përdoren për analizë të trafikut janë: SimTraffic, PTV Vissim, Sidra intersection etj.
Softuerët e përmendur më sipër mundësojnë analizimin e udhëkryqeve sa i përket vonesave kohore por gjithashtu edhe të rrjetit rrugor nga aspekti i shpejtësisë mesatare të automjeteve, kohës së udhëtimit si dhe humbjeve kohore.
Nga kjo shihet se vendimi i Komunës sa i përket unazës njëkahore ishte i ngutshëm, jo i analizuar mirë dhe si i tillë edhe rezultoj të ishte i dështuar. Ky esperiment po ashtu kishte edhe ndikimet e tij negative në mjedis, ngase për shkak të rendeve të gjata të automjeteve është rritur edhe emetimi i gazrave duke ndikuar në ndotjen e ajrit të qytetit të Prishtinës.
Trafiku në qytetet e mëdha, sikurse është edhe Prishtina, është mjaft kompleks dhe për planifikimin e tij duhet përfshirë institucione dhe sektorë të fushave të ndryshme, përfshirë këtu edhe Departamentin e Komunikacionit që fuksionon në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
Ky departament është i pajisur me laboratorë dhe softuerë për analizën e trafikut dhe posedon të dhëna të ndryshme që janë mbledhur në terren. Sa i përket udhëkryqeve të qytetit të Prishtinës, departamenti posedon të dhëna mbi nivelin e shërbimit dhe humbjet kohore, të dhëna këto të mbledhura nga hulumtimet e studentëve të këtij departamenti. Gjithashtu Departamenti mund të jap kontribut edhe në fushën e projektimit dhe të planifikimit të komunikacionit.