A janë kancerogjene ëmbëlsuesit artificialë?
Aspartami, acesulfami K dhe të ngjashme po e tejkalojnë sheqerin industrial në listën e përbërësve ushqimorë. Por, a janë vërtet ato zgjedhja më e mirë? OBSH e klasifikon aspartamin si “me gjasë kancerogjen”.
Togfjalëshi “pa sheqer” është aktualisht më i preferuari i marketingut të industrrisë ushqimore. Për dekada të tëra, sheqeri ka qenë mbreti i shijes, por tani ai po sfidohet nga ëmbëlsuesit. Po të shikojmë përbërësit e një limonade pa sheqer, do të vëmë re se në listën e përbërësve vërtet që nuk ka sheqer, por ka shumë ëmbëlsues. Ato quhen E950, E951 ose E954. Prapa këtyre shkronjash e shifrash janë komponimet e prodhuara në mënyrë sintetike si acesulfam K, aspartam dhe sukralozë.
Ëmbëlsuesit janë deri në 500 herë më të ëmbël se sheqeri
Ëmbëlsuesit i përkasin kategorisë së aditivëve të ushqimit. Pse janë kaq të përhapura është e lehtë për t’u shpjeguar. Ato janë praktikisht pa kalori dhe fuqia e tyre ëmbëlsuese është shumë herë më e lartë se sheqeri i mirëfilltë, kështu që nevojiten vetëm disa miligramë për të lezetuar shijen e ushqimeve të reduktuara në kalori. Aspartami, për shembull, është 200 herë më i ëmbël se sheqeri, sukraloza madje 500 herë më e ëmbël.
A janë aspartami dhe ciklamati kancerogjene?
Megjithatë, shkencëtarët janë më kritikë ndaj ëmbëlsuesve. Shumë syresh thonë se ëmbëlsuesit janë kancerogjene. Sidomos ciklamatet. Në një studim me minj, pas ushqimit me doza të larta ciklamatesh, te shumë prej kafshëve u zhvillua kanceri i fshikëzës. Megjithatë, rezultatet nuk ishin të transferueshme te njerëzit, sepse njerëzit nuk i konsumojnë ëmbëlsuesit në doza kaq të larta, si në eksperiment.
Që nga korriku i 2023-ës, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar aspartamin një ëmbëlsues “me potencial kancerogjen”. Megjithatë, pranon IARC, dëshmitë shkencore për këtë vlerësim janë ende të pakta.
Por duke qenë se nga studimet e qelizave te kafshët si dhe studimet vëzhguese te njerëzit, janë vënë re disa tregues mbi ekzistencën e rrezikut të mundshëm të kancerit, është e nevojshme të ketë një përshkrim të rrezikut, thotë Stefan Kabisch, studiues në Klinikën për Endokrinologji dhe Mjekësi Metabolike në Charité në Berlin. “Klasifikimi i aspartamit si ‘me potencial kancerogjen’ ka shumë pak gjasa të ndryshojë përdorimin tonë të përditshëm. Klasifikimi është shumë i kujdesshëm,” shton Kabisch.
Për këtë arsye, mbetet ende në fuqi doza ditore e rekomanduar më parë deri në 40 miligramë aspartam për kilogram peshë trupore. Një i rritur që peshon 70 kilogramë do të duhej të konsumonte në ditë 9 deri në 14 kanaçe me pije të gazuara pa sheqer për të tejkaluar këtë vlerë.
Një kritikë tjetër për ëmbëlsuesit artificialë është se kanë ndikim negativ në florën e zorrëve. Një eksperiment me minj, i bërë në vitin 2014 nga hulumtues izraelitë, ka treguar se pas konsumit të rregullt të sakarinës dhe sukralozës, kafshët e kishin të çrregulluar florën e zorrëve dhe kishin probleme me metabolizmin e glukozës.
“Mendoj se ka shumë të ngjarë që flora intestinale të ndryshohet nga konsumi i ëmbëlsuesit, pasi receptorët e së ëmblës në zorrë mund të ndikohen nga ëmbëlsuesit”, thotë Stefan Kabisch. Por edhe këtu, studimet nuk janë të mjaftueshme për të dhënë një gjykim përfundimtar.
Jo çdo ëmbëlsues është testuar
Megjithatë, Kabisch sheh një problem themelor në shumë studime. “Shpesh, testohen vetëm dy deri në tre ëmbëlsues, por ka kaq shumë ëmbëlsues që kanë struktura të ndryshme kimike, saqë rezultatet nuk kanë vlerë universale,” thotë ai. Për të marrë rezultatet e duhura, është e nevojshme të kryhen eksperimente me secilin prej ëmbëltuesve të miratuar në Bashkimin Evropian.
Mjeku sheh një tjetër rrezik potencial nga konsumi i ëmbëlsuesit kryesisht në perceptimin e shijes së fëmijëve. Sepse në moshë të re, truri ende duhet të mësojë të shoqërojë shijen e ëmbël me faktin se trupi tani merr ushqim me kalori të lartë. “Ëmbëlsuesit shkaktojnë një disonancë në tru. Nga njëra anë, ndien kënaqësi për shkak të shijes së ëmbël, por nga ana tjetër, mungesa e kalorive bën që uria të kthehet shpejt,” thotë Kabisch.
Ëmbëlsuesit mashtrojnë trurin
Është pikërisht ky aspekt për të cilin disa studiues janë veçanërisht kritikë. Një prej tyre është diabetologu dhe internisti Achim Peters, i cili ka zhvilluar “Teorinë e trurit Egoist”. Me pak fjalë, truri mbulon pothuajse të gjitha nevojat e tij për energji me glukozë. Kur ka shumë pak glukozë, ai bëhet hileqar. Oreksi dhe marrja e ushqimit rriten, dhe kjo çon në dhjamosje.
Përmes hulumtimit të tij, Peters ka zbuluar se ëmbëltuesit mashtrojnë trurin dhe dëmtojnë metabolizmin e shëndetshëm. Për shembull, kur ha një copë torte që nuk ka sheqer por ëmbëltues, stimuli i së ëmblës sinjalizon se po vjen ushqim me kalori të lartë, por truri dhe trupi presin më kot.
Në afat të gjatë, truri e humbet aftësinë për të vlerësuar se sa energji merr nga ushqimi me të cilin po furnizohet. Kjo pasiguri çon në një reaksion fiziologjik dhe njeriu ha me tepri.
Një studim nga Franca me minj tregon një tjetër efekt negativ të mundshëm. Ëmbëltuesit të bëjnë po aq të varur sa sheqeri i zakonshëm. Efekti addiktiv i stimulit të së ëmblës rezulton të jetë më i fortë se ai i drogave, si kokaina.
Ëmbëlsues apo sheqer?
Kabisch nuk rekomandon kalimin nga ëmbëlsuesit te sheqeri. “Në rastin e sheqerit, është shumë më e qartë se ai nxit obezitetin dhe diabetin e tipit 2 përveç prishjes së dhëmbëve dhe rrezikut të kancerit.”
Nuk ka asnjë arsye të fortë për të shmangur aktivisht ëmbëlsuesit, por nuk ka asnjë arsye për të rekomanduar në mënyrë aktive ëmbëlsuesit. “Përfitimi është i vogël, dëmi nuk është qartësisht i dukshëm,” përfundon Stefan Kabisch./DW/