A janë vaksinuar ish-krerët e UÇK-së në Hagë?
Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi ka kohë që ka marrë vaksinën, si mbrojtje nga virusi korona. Që në seancën e parë, mbajti maskën si masë mbrojtëse nga covid-19.
Atë e largonte, vetëm kur u përgjigjej pyetjeve të gjykatësit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Por, ish – zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kohë që ka marrë vaksinën, si mbrojtje nga virusi korona.
Këtë e kanë konfirmuar për T7, familjarë të Krasniqit të cilët shtojnë se edhe shëndeti i këtij të fundit është stabil.
E në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, po qëndrojnë edhe gjashtë personalitete të tjera të Luftës së UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Selimi, Haradinaj, Gucati e Mustafa ka afro gjashtë muaj që janë brenda mureve të këtij objekti.
Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur këta të fundit, nga covid-19, ani pse nuk kanë treguar specifikisht, se të njëjtit tashmë janë vaksionuar.
Vaksinimi i ish-krerëve të UÇK-së, ka bërë që të ketë rishikim të vazhdueshëm të masave që DHSK ka vendosur. Kjo pritet të mundësojë, edhe rifillimin e vizitave personale, të cilat asnjë nga ish-krerët nuk i zhvilluan fizikisht me familjarët e tyre, tash e gjashtë muaj.
Të gjithë të Paraburgosurit gjatë kësaj periudhe, janë pajisur me mjete që shërbejnë për të mbajtur lidhjen anëtarët e familjes dhe të tjerët gjatë qëndrimit në paraburgim.
Vizitat personale me anëtarë të familjes dhe vizitorë të tjerë në institucionet e paraburgimit janë përkohësisht të kufizuara.
Për t’ua lehtësuar kontaktin me familjarë, një numër i arsyeshëm i thirrjeve telefonike është financuar nga Regjistri i DHSK-së.