A ka ish-presidenti Trump imunitet nga akuzat penale?
Në ditët në vijim Gjykata e Lartë pritet të dalë me vendime për tre çështje të veçanta që rrjedhin drejtpërdrejt nga sulmi i dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, në një kombim të pazakontë të këtij lloji.
Brenda disa ditësh, ndoshta orësh nga njëra-tjera, gjykatësit do të vendosin nëse Donald Trump, gëzon imunitet nga ndjekja penale lidhur me përpjekjet e dyshuara për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 që ai i humbi.
Po kështu anëtarët e gjykatës do të vendosin nëse mbështetësit e zotit Trump që sulmuan Kapitolin mund të ndiqen penalisht nën akuzat për pengim të një procesi zyrtar.
Rasti i tretë lidhet me ish-këshilltarin e zotit Trump, Steve Bannon.
Ky i fundit ka kërkuar nga Gjykata e Lartë që ta shtyjë fillimin e dënimit të tij me burg deri në përfundim të procesit të apelimit. Ai u dënua nën akuza për shkelje të një urdhri për të dëshmuar përpara komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin ndaj Kapitolit.
Nga këndvështrimi i zotit Trump dhe aleatëve të tij, vendimet mund të mbështesin pretendimet e tyre se Departamenti i Drejtësisë i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë të pandehurit e trazirave të Kapitolit. Trazirat rezultuan në më shumë se 1,400 ndjekje penale, dënim të mbi 200 persona dhe më shumë se 850 që pranuar fajësinë për vepra penale.
Kjo nuk e ka penguar zotin Trump dhe aleatët e tij të pretendojnë se Departamenti i Drejtësisë i ka trajtuar padrejtësisht të pandehurit e trazirave të Kapitolit. Vendimi i gjykatës mund t’u japë atyre më shumë arsye për të kundërshtuar akuzat.
Trajtimi nga ana e gjykatës të çështjes së imunitetit ka provokuar tashmë kritika, që nga fakti që gjyqtarët pranuan ta marrin në shqyrtim çështjen – veçanërisht duke pasur parasysh një vendim unanim të gjykatës federale të apelit që hodhi poshtë kërkesën e zotit Trump – dhe së fundmi lidhur me faktin që ata nuk kanë marrë ende një vendim mbi çështjen.
Edhe nëse gjykata pranon një lloj imuneti të kufizuar për ish-presidenti, ose refuzon tërësisht pretendimet e tij, duke lejuar që gjyqi ndaj tij për ndërhyrje në zgjedhje të vazhdojë në Uashington, nuk pritet që gjyqi të përfundojë para zgjedhjeve, sipas profesoreshës së drejtësisë në Universitetin e Miçiganit, Leah Litman.
Ndërsa gjykata ka lëvizur më me shpejti se zakonisht në shqyrtimin e çështjes së imunitetit, ajo ka vepruar shumë më shpejt në çështje të tjera që përfshijnë kompetencat presidenciale, përfshirë rastin e kasetave të skandalit Uotërgejt. Gati 50 vjet më parë, gjykata vendosi 8-0 vetëm për 16 ditë pasi dëgjoi argumentet se Richard Nixon duhej të dorëzonte regjistrimet e bisedave të bëra në Zyrën Ovale, duke hedhur poshtë pretendimin e tij se gëzonte privilegj ekzekutiv.
Në mars, gjyqtarëve iu deshën më pak se një muaj pas dëgjimit të argumenteve, për të vendosur njëzëri se “neni i kryengritjes” në Kushtetutën amerikane vendosur pas Luftës Civile, nuk mund të përdorej nga shtetet për ta përjashtuar zotin Trump nga gara presidenciale./VOA