A ka librezë partie tash Bekim Brestovci?
Në një intervistë për kosovalive.net, Bekim Brestovci ka treguar për punën që po bëhet në komunën e Prishtinës nën drejtimin e kryetarit të kësaj komune, Përparim Rama.
I pyetur se a e ka ftuar Përparim Rama që të bëhet pjesë e LDK-së, Brestovci është përgjigjur se nga NISMA është larguar me mirëkuptim, dhe kam vendosur të jetë pjesë e kabinetit Rama.
“Jam pa përkatësi partiake, partisë të cilës i kam takuar më herët në momentin kur kam vendosur të i bashkangjitem kabinetit të kryetarit Rama, kam dhënë dorëheqje me mirëkuptim me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj sepse angazhimi im desha të jetë i orientuar vetëm në vizionin e kryetarit Rama”, ka thënë Brestovci.
Tutje ai ka vazhduar duke thënë që këtë qëndrim ai e ka marrë duke mos dashur të ketë pengesa dhe ndërthurje të agjendave, por edhe për shkak se Rama kishte njohur punën dhe angazhimin e tij të mëhershëm për diasporën.
“Me kryetarin Rama jemi njohur edhe më herët, e ka njohur aktivitetin tim edhe më herët në diasporë por edhe aktivitetin tim edhe pas kthimit tim këtu, e ka parë të arsyeshme të jem pjesë e kabintetit të tij, dedikuar investimeve strategjike dhe investimeve nga jashtë”, ka theksuar ai.
Brestovci për Ramën vazhdon të thur lavde duke thënë që është i lumtur që e ka kryetar për të cilin shërben dhe shpreson t’i shërbej edhe mandatin tjetër.
“Jam shumë i lumtur që kam një kryetar të tillë të cilit do i shërbej këtë mandat dhe shpresoj në mandatin e ardhshëm. Dëshira ime ka qenë të jemë pa “begj” partiak, pasiqë dua të përfaqësoj vetëm vizionin e kryetarit Rama”, ka përfunduar Brestovci.