A ka rrezik për mungesë të ujit të pijshëm në Kosovë?
Temperaturat e larta që kanë prekur shumë vende të Evropës kanë rikthyer një nga shqetësimet e shpeshta në Kosovë rreth rrezikut nga mungesa e sasisë së mjaftueshme të ujit të pijshëm për popullatën e këtushme.
Vala e nxehtësisë po parashihet ta përfshijë edhe Kosovën.
Në raste të tilla, kur stina e verës karakterizohet me temperatura të larta e reshje të pakta shiu, kryesisht mund të sjellë si pasojë rënien e nivelit të ujit në liqenet akumuluese në vend, duke shkaktuar reduktime në furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila, krahas hartimit dhe zbatimit të politikave dhe legjislacionit, është përgjegjëse për menaxhimin e resurseve ujore në Kosovë, nuk kanë dhënë asnjë detaj lidhur me gjendjen dhe rezervat e ujit në vend. Megjithatë, një pasqyrë për gjendjen e kanë dhënë në Shoqatën e Ujësjellësve të Kosovës (SHUKOS) e cila është organizatë joqeveritare e kompanive të ujësjellësve.
Kryetari i Bordit të SHUKOS-it, Muhamed Suliqi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se, përveç Komunës së Gjilanit, e cila ka probleme me rezervat e ujit, në zonat e tjera të Kosovës gjendja është stabile dhe nuk ka rrezik për ndonjë krizë të afërt të mungesës së ujit të pijshëm.
“Sa i përket gjendjes së burimeve ujore, për momentin vetëm në Gjilan ka ndikuar thatësia, ndërsa Prishtina e ka bërë zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijes prej Ibër-Lepencit. Ndërsa kompanitë e tjera Radoniqi, Hidroregjioni jugor, Hidrodrini, Bifurkacioni nuk i kanë këto probleme të theksuara të ujit sikurse Gjilani”, ka vlerësuar Suliqi.
Derisa tregoi se edhe në liqenin e Badovcit vërehet rënie e nivelit të ujit, sipas Suliqit, Prishtina e ka rrezikun më të vogël pas ndërtimit të fabrikës në Shkabaj.
Rënien e nivelit të ujit në Badovc e kanë konfirmuar edhe në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”.
Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Ilir Abdullahu, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se, pos Badovcit, rënie të lehtë ka edhe në Batllavë. Sipas tij, gjendja në Batllavë është shumë më e mirë, ndërsa në liqenin e Badovcit, i cili përveç vitit të kaluar kur kishte nivel maksimal, rënia e tanishme është e përafërt me nivelet e krahasuara ndër vite. Megjithatë, Abdullahu vlerëson se “aktualisht situata është stabile, me furnizim të pandërprerë me ujë”. Por, ai u bënë thirrje qytetarëve për kursim dhe moskeqpërdorim të ujit të pijshëm.
Sipas ekspertit të meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, edhe pse kjo verë do të jetë më e nxehtë sesa ajo e vitit paraprak, qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen, pasi do të ketë reshje të shiut në nivel mesatar.
“Sipas përllogaritjeve të kushteve atmosferike, përkatësisht të motit për këtë vit, rezulton që vit do të jetë pak më i nxehtë se viti i kaluar, për zero prejse tetë gradë (0.8), do të ketë reshje, do të ketë plotësim të liqeve me ujërat akumuluese, meqenëse muajin që po e lëmë pas ka pasur një sasi të reshjeve, kanë rënë diku mbi 100 litër për metër katror. Por, stina e verës i pakëson nivelet e ujëmbledhësve për arsye se ka keqpërdorim të ujit për ujitjen e fushës, të luleve, të kopshteve, të oborreve etj., por nuk ka nevojë që të shqetësohen qytetarët, për cilindo territor të vendit tonë, sepse do të ketë reshje dhe këto reshje janë në vlerat shumëvjeçare mesatare”, ka thënë Tahirsylaj.
Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.