‘A kaq shumë po keni frikë a?’, Selmanaj u reagon të gjithëve në UP për statutin e miratuar nga pushteti

21 korrik 2024 | 13:19

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar në lidhje me Statutin e Universitetin e Prishtinës që është miratuar deputetët e pushtetit dhe i cili është kontestuar nga LDK-j dhe PDK-ja në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka thënë se nëpërmjet këtij statuti, pushteti synon ta vendos UP-në nën diktat.

Selmanaj është shprehur i habitur me stafin akademik të UP-së për heshtjen e tyre karshi këtij statuti.

“A kaq shumë frikë keni a? A kaq lehtë po i nënshtroheni diktaturës a?Ku mbeti rezistenca profesionale për pavarësi institucionale?”, ka shkruar pyetjen Selmanaj në “Facebook”.

Postimi i plotë:

UNIVERSITETI I PRISHTINËS “BIE” NËN DIKTATIN E QEVERISË

Që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës ka qenë një vatër e intelektualizmit dhe rezistencës. Nga aty kanë filluar lëvizje popullore, që nga protestat e vitit ’81 deri te ato të vitit ’97 kundër pushtimit të egër të Serbisë.

Megjithatë, pas çlirimit të Kosovës, Universiteti i Prishtinës për 24 vite e ruajti pavarësinë e tij profesionale. Gjithmonë ka pasur nevojë për më shumë investime dhe për rritjen e cilësisë së studimeve, por gjithmonë e ka ruajtur pavarësinë e tij. Deri më sot.

Sot, qeveria e Kurtit po tenton që çdo institucion ta udhëheqë me modelin siç e udhëheqin partinë e tyre, me DIKTATURË. Qeveria e Kosovës, përmes votave të deputetëve të Vetëvendosjes, për herë të parë në Kosovë ka aprovuar një ligj ku Universiteti i Prishtinës kontrollohet nga Ministria e Arsimit, në këtë rast nga ministrja Nagavci. Po, po, ajo ministrja që ka diplomuar me notë të dobët dhe ka shkelë kushtetutën, do të kontrollojë Universitetin.

Ne, si LDK, nuk mund të pranojmë që institucioni i Universitetit t’i nënshtrohet politikës, cilado qoftë ajo. Nuk iu është nënshtruar as regjimeve pushtuese dhe nuk do t’i nënshtrohet as Albin Kurtit. Ne kemi dorëzuar Statutin e UP-së në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi të sigurt se Gjykata Kushtetuese do të konfirmojë shkeljet e qeverisë, ashtu siç e ka bërë për 10 herë tashmë.

Ajo që na çudit është heshtja e rektoratit, profesorëve, dekanateve, senatit të UP-së dhe organizatave studentore. A kaq shumë frikë keni a? A kaq lehtë po i nënshtroheni diktaturës a?Ku mbeti rezistenca profesionale për pavarësi institucionale? Sepse universiteti, më shumë se sa për njohuri specifike, duhet t’i mësojë studentët të qëndrojnë dhe te rezistojnë për pavarësi dhe vlera morale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kreziu, ka vlerësuar e Serbia…