“A ke dominuar në dhunim”, pyetjet banale që Komisioni Qeveritar po ua bën viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, është shprehur e pakënaqur me punën e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Viktimave të Dhunimit në Kosovë.
Madje ajo ka hedhur akuza të rënda ndaj anëtarëve të këtij komisioni, të cilët sipas saj, nuk i trajtojnë si duhet gratë që aplikojnë për të siguruar statusin e viktimës së dhunës seksuale duke iu bërë edhe pyetje banale.
“Këta të komisionit asnjë nuk e ka punë primare, e kanë si punë sekondare. Lëndët presim me nga tri katër vite, nuk shqyrtohen fare. Aty nuk na duhen personat që të pyesin se a ke dominuar në dhunim, ajo fjalë është shumë e rëndë për një viktimë”, tha ajo gjatë një interviste në emisionin Frontal në T7.
“Kjo shprehje nuk duhet të përdoret me viktimat e dhunës seksuale. Kemi shumë gra që po vdesin pa e fituar statusin. Duhet të selektohen njerëzit që punojnë në Komision”, shtoi ajo.
Sipas Ligjit në Kosovë, i cili është miratuar në vitin 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës i siguron asaj një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si: shërbime shëndetësore falas dhe përparësi në punësim.
Të dielën e 14 prillit, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri nderime te memoriali “Heroniat”, në Prishtinë, derisa theksoi se janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem të cilët janë përdhunuar gjatë luftës.
“Kjo dhunë nuk iu ka ndodhur për shkak të emrave të tyre të veçantë, apo fizikës, iu ndodhi sepse ishin shqiptarë”, tha Kurti para gazetarëve.
Kreu i Qeverisë ka shtuar se gra, vajza e burra kanë paguar një çmim të lartë për shtetin dhe lirinë dhe ka potencuar se “ne nuk i harrojmë kurrë, por edhe angazhohemi dhe bëjmë thirrje drejtësi”.
“Krimi që bëri Serbia sikur nuk mjaftonte, pasoi stigmatizimi ndaj këtyre personave të mbijetuar të dhunës seksuale. Iu bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të Kosovës që ta mbështesin të këtë kategori”.
Ndryshe, gjatë luftës së viteve 1998-1999, në bazë të të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC), në Kosovë janë vrarë më shumë se 13 mijë e 500 persona.
Në tërë territorin e Kosovës llogaritet të kenë ndodhur rreth 400 masakra nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërsa mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.
Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës.