A kishte dijeni Enver Hoxha se viti 1981 do të ishte njëkohësisht edhe viti i kryengritjes shqiptare?
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (6)
Shkruan: Bedri Islami
Ndodhi që po ato ditë, me ftesë të një klubi shqiptar, erdhi në Shtutgart një ambasador i rëndësishëm i Shqipërisë në vendet perëndimore. Ishim miq të vjetër. Kishim biseduar gjatë me njëri-tjetrin. Në njërën nga ditët e qëndrimit të tij, ndërsa rrinim në banesën time, i thashë se tashmë bisedat tona do të ishin më të rralla, meqë e kisha ndarë mendjen prej disa kohëve të isha pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe bisedat tona telefonike mund të përgjoheshin. Ai, pasi më tha se duhet të bëja kujdes se gjithçka mund të më ndodhë, më tregoi se do të kishte një zmbrapsje në qëndrimin ndaj Kosovës.
– Ndaj, – shtoi lehtas – mos prit që miqtë e dikurshëm të të kuptojnë. Gjërat kanë ndryshuar, – më tha dhe biseda vijoi me gjërat e zakonshme.
Nuk është koha të analizoj se çfarë ndodhi në katër vite, që solli një regres kombëtar kështu të dhimbshëm. Shembujt i solla për të pasur një lidhje mes asaj që quhet e zakonshme, e nganjëherë e rëndomtë, kur analizojmë ngjarjet e marsit 1981 e ndalemi tek qëndrimi i qytetarëve të thjeshtë dhe mendimit politik zyrtar.
Për këdo, natyrisht, lajm përbën dilema e shtruar atëherë, nëse kishte dijeni Shqipëria zyrtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Kosovë. A kishte dijeni Enver Hoxha, prej strukturave të tij, se viti 1981 do të ishte njëkohësisht edhe viti i kryengritjes shqiptare? A ndikuan strukturat e fshehta të shtetit shqiptar në organizimin, apo të paktën nxitjen e kryengritjes dhe afishimin e parullës “Kosova-Republikë”, apo të thirrjes “Republikë, Kushtetutë – ja me hatër – ja me luftë”? A kanë qenë të përgatitura dhe të instruktuara organizatat ilegale që u vunë në ballë të demonstratave nga strukturat e fshehta të shtetit shqiptar? A kishte në Tiranën zyrtare përkrahjen e duhur kërkesa për republikën e Kosovës apo shteti shqiptar ishte vetëm pro krijimit të një shteti të dytë shqiptar në Ballkan? Përkrahja e shtetit shqiptar ishte e vonuar apo u ndërmor në kohën e duhur? E gjithë ajo që ndodhi në polemikën e madhe mes shtetit shqiptar dhe shtetit jugosllav ishte thjeshtë një retorikë ideologjike apo pas saj fshihej edhe çështja kombëtare?
Unë do përpiqem të sjell disa nga përjetimet e dyzet viteve më parë, ashtu si i kam përjetuar unë, qoftë si qytetar i zakonshëm, qoftë si gazetar. E di se për disa do të jetë disi e pazakontë, ndoshta edhe jashtë rrjedhës së trysnisë politike që përçohet ndaj shtetit shqiptar të atyre viteve, mirëpo unë do bëj mundim të sjellë atmosferën ashtu si ishte në ato ditë, ashtu si është përjetuar nga unë dhe njerëzit rreth meje, nga shokët e mi gazetarë, por edhe nga njerëzit e shquar të artit, shkencës e historisë. Do ia lejoj vetes, që ashtu si i kam ndjekur dhe ashtu si i kam analizuar më pas, të sjell edhe pikëpamjen time për ato që ishin asokohe në mendimin politik zyrtar, duke shfrytëzuar të drejtën nga takimet e mëpasshme që kam pasur me disa nga protagonistët e këtyre ngjarjeve në Shqipëri, mes të cilëve edhe me ish presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia. Të gjitha këto nuk i sjell për të nxitur një mendim ‘ndryshe’ ose një mendim ‘për’, por për të përcjellë disi ato të vërteta që ose janë thënë ndryshe, ose janë thënë të cunguara.
Le të nisim me atë që përjetuan njerëzit e zakonshëm…
Në mesin e muajit mars të vitit 1981, ata që punonin një kat më poshtë në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” vunë re se në sektorin e jashtëm, i cili ishte në katin e sipërm, kishte një lëvizje më të madhe se e zakonshmja, një lëvizje përgjithësisht më të ndjeshme se herët e tjera. Kjo ndodhte kur ishte rasti i ngjarjeve të rëndësishme. Por këtë herë, shumë më shpesh se më parë, kishin filluar të vinin funksionarë të rëndësishëm të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, të cilët, jo rrallëherë, nuk ndaleshin as në zyrën e kryeredaktorit të gazetës, që ndodhej në katin e dytë. Megjithatë, nuk ishte vërejtur ende asgjë e jashtëzakonshme nëpër rreshtat e artikujve, të cilët, në më të shumtën e rasteve, nuk kishin ndonjë gjë të veçantë. Edhe fakti që përgjegjësi i sektorit ë jashtëm ishte thirrur dy herë, brenda ditës, te shefi nuk përbënte lajm, pasi kjo kishte qenë shpesh pjesë e rutinës.
Zakonisht, nga ora nëntë e mëngjesit, ‘djemtë e gazetës’, si i thërrisnin miqtë e tyre të afërt, mes të cilëve edhe ish kryeministri i Shqipërisë, zoti Berisha, shkonin të pinin kafenë e mëngjesit, në kafenenë e Lidhjes së Gazetarëve, ku kishte më shumë zhurmë se në të gjitha kafenetë e tjera. “Zhurmëtarët” ishin nga hera Pëllumb Bato i “Bashkimit” (i cili nuk e di se ku ndodhet tani), Filip Çakulli i “Hostenit”, i cili kishte mesatarisht një mosmarrëveshje në javë me shefin e tij a të kritikuarit prej tij, dhe shefi i sotëm i një gazete pro – PD Fahri Balliu, që asokohe ishte gazetar special i “Zërit të Popullit”. Prej dy ditësh, ishte vënë re se gazetarët e sektorit të jashtëm të “Zërit të Popullit” e të “Bashkimit”ose nuk po vinin fare, ose pinin një kafe, të shpejtë dhe iknin. Ndërsa ata të sektorit të jashtëm të RTSH, që vinin nganjëherë për kortezi gazetareske, pasi kishin klubin e vet, nuk dukeshin.
Përgjithësisht, për sektorët e jashtëm të shtypit, asokohe,punonin gazetarë nga më të mirët. Të aftë dhe patriotë, si u dëshmuan shumë prej tyre në vitet në vijim. Tek “Zëri…” ishte i njohur Shaban Murati, tek “Bashkimi” ishte Napoleon Roshi, ndërsa tek RTSH, Bujar Muharremi.
Megjithatë, fjalët kishin filluar të rridhnin, jo nga kanalet zyrtare, por nga ‘rebelët’ që ndiqnin herë pas here, kanalet radiofonike të huaja. Kishte filluar të flitej se në Prishtinë, dy a tri ditë më parë kishte pasur demonstrata, mirëpo nuk dihej më tepër. Njëri nga shokët e mi, që kishte qëndruar deri vonë për të ndjekur thuajse të gjitha stacionet radiofonike që mund t’i kuptonte, më tregoi se në Prishtinë kishte pasur një demonstratë studentësh për kushte më të mira jetese dhe cilësi ushqimi dhe, si duket, nuk kishte pasur asgjë politike.
Thënë të vërtetën, unë kisha disa kohë që isha përgatitur për një udhëtim në Kosovë, i cili, si më kishte thënë shefi im i atëhershëm Namik Dokle, do të zhvillohej në fund të muajit mars. E dija se në atë grup do të ishte edhe Vera Kapo, bija e ‘numrit dy’ të dikurshëm të PPSH-së, Hysni Kapos dhe nëna e gazetarit të sotëm, Andi Bushati. Pjesë e grupit do të ishte edhe Xhafer Dobrusha, pedagog në Universitetin e Tiranës, i cili ka drejtuar edhe Federatën e Arsimit, e disa të tjerë.
Kishte disa kohë që marrëdhëniet në dy anët e kufirit ishin intensifikuar dhe kishin arritur në një pikë të lartë. Kishte më shumë se pesë vite që mes dy qeverive, asaj në Beograd dhe asaj në Tiranë, kishte filluar një periudhë zbutje dhe, si duket, të dy palët kishin llogaritur të ndikonin tek njëra tjetra, përmes atyre elementëve që i konsideronin më të rëndësishëm. Qeveria e Beogradit mendonte të ndikonte në Shqipëri duke dërguar aty, përmes strukturave të ndryshme, një nivel më të ngritur jetese, njohje më të gjerë të botës, hapje më të ndjeshme; ndërsa qeveria e Tiranës kishte menduar të ndikonte përmes shkallës së kulturës, njohjes reciproke të artit, gjuhës e traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj përkushtimin e pakufishëm të shqiptarëve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese, qeveria e Beogradit nuk e kishte llogaritur, ose e kishte përllogaritur keq, ndërsa qeveria e Tiranës e kishte paraparë shkëlqyeshëm. Në Tiranë kishte filluar të rrëzohej paragjykimi se “një shqiptar në Jugosllavi është një titist” dhe nuk shihej si një kundërshtar ideologjik, megjithëse shteti shqiptar e dinte fort mirë se, në mesin e të ardhurve, jo pak ishin të tillë.
Pranimi i gjuhës së përbashkët shqipe, ribotimi pa asnjë redaktim kritik i teksteve të historisë së Shqipërisë dhe pranimi i teksteve të njëllojta, thuajse në të gjitha lëmenjtë; ansamblet artistike që ishin më të shpeshta se asnjëherë, këngët që ishin përgjithësisht mbi bazën e teksteve me ndjenjë të theksuar kombëtare, si ishte ajo e Pjetër Gacit “Kaçanik, o shkëmb e gurë…”, pritja e jashtëzakonshme që i bëhej Nexhmije Pagarushës dhe ripërhapja e shpejtë e këngëve të saj ishin të gjitha më se të prekshme dhe të pranueshme nga njerëzit e zakonshëm.
Kishte shumë kohë që në shtypin shqiptar, ku nuk mungonte edhe censura e kujdesshme, nuk shkruhej negativisht për Kosovën ose për njerëzit e saj. Termat që dolën më vonë, pas viteve ’90-ta për Kosovën ose për shqiptarët e Kosovës, atëherë as njiheshin dhe as lejoheshin të përdoreshin. Edhe kur flitej për masakrën e 4 shkurtit bëhej kujdes të evitohej emri i Xhafer Devës, sado që shumë gjëra ishin të ditura. Fakti që u vu re më pas është se, gjatë gjithë kohës që regjimi i Hoxhës ishte në pushtet, ishin ngritur veçse tre përmendore të mëdha për individë të shquar të periudhës së Pavarësisë dhe se që të tre kishin ardhur nga viset shqiptare të Kosovës: përkatësisht statujat madhore të Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Isë Boletinit. Po ashtu,fakti që Enver Hoxha, në shënimin e tij për Monumentin e Pavarësisë,kishte kërkuar që, krahas Ismail Qemalit, të vihen në qendër të monumentit edhe figura e luftëtarit nga Kosova ishte e prekshme për njerëzit. Sado që të mos ishe dakord me regjimin, nuk mund të ishe kundër veprimeve të tilla, të cilat, edhe pse, ashtu si u tha më pas, mund të kishin të tjera nënshtresa, përsëri,në kohën e dhënë, ishin të mirëpritura. Qeveria shqiptare dhe mendja diabolike e Enver Hoxhës kishin ditur të luanin me historinë dhe tragjedinë.
Aty ku hyn tragjedia, llahtaria mbetet gjithsesi. (Vijon)