Sipas mendimit tim, shumica e problemeve me të cilat përballemi shfaqen në trajtën e “shqetësimeve kulturore” dhe “problemeve edukative”. Por besoj se dukurinë e “degradimit moral” duhet ta shikojmë ca më thellë, duke menduar që të gjejmë shkaqet personale dhe sociale të kësaj situate. Situata e sjelljeve amorale, veprimeve anarkiste dhe kriminale në sjelljet e shumë njerëzve është “produkt social” që ka shkaqet e veta ontologjike. Ato lidhen natyrshëm me natyrën e qytetërimit modern, por edhe shumë arsye specifike, që janë të lidhura me të kaluarën tonë historike, defektet kulturore dhe edukative të shoqërisë tonë.
Por, sidoqoftë, në thelb shkaku, burimi kryesor i këtyre sjelljeve qëndron në faktin se shoqëria shqiptare ka një kohë të gjatë në tranzicion, që është “periudha e artë” e krizës së vlerave dhe e shfaqjes së dobësisë së institucioneve social-edukative sikurse janë familja, shkolla, shoqëria civile, media dhe institucionet fetare morale. Të cilat realisht kanë një kohë të gjatë që janë në “gjendje nokdauni”, sepse nga pikëpamja morale shoqëria jonë është në gjendje kaotike. Ajo po përballet me vështirësi serioze për të përcaktuar sistemin e vlerave kulturore, edukative, morale, sociale që duhet të respektohen nga njerëzit tanë, veçanërisht nga të rinjtë.
Në këtë kontekst është koha që jo vetëm të konstatojmë enumeracionin pa fund të sjelljeve jo adekuate me qytetërimin të njerëzve tanë, por na duhet së pari të “hetojmë” shkaqet e kësaj situate dhe njëherësh, të propozojmë rrugë sociale dhe ndërhyrje individuale për përmirësimin e sjelljes. Sepse qytetarët sidomos të rinjtë, janë bërë aktorë me ndikim social të dukshëm, qytetarë shumë të rëndësishëm, që kanë motivime dhe sjelljeje individuale dhe kolektive gjithnjë e më komplekse.
Në përgjithësi në shoqërinë shqiptare ka disa shfaqje që në kohën tonë janë dukuri universal, që me intensitetin me të cilin shfaqen i kanë tronditur sociologët e shoqërisë moderne dhe psikologët e natyrës së sjelljes së njeriut. Kjo do të thotë që shumë dukuri në jetën tonë sociale, nuk janë dukuri nuk shfaqen vetëm në shoqërinë tonë. Ato tashmë janë dukuri universale, të cilat të vlerësuara globalisht janë material i bollshëm social, për të vërtetuar tezën se në kohën tonë ka një proces që lidhet me shoqërinë dhe njeriun modern, të cilin filozofët e Shkollës së Frankfurtit Teodor Adorno dhe Max Horkheimer e kanë quajtur me mençuri si “rrënim të natyrës njerëzore që nuk mund të shihet i ndarë prej progresit shoqëror” (M. Horkehimer, T. Adorno, Dialektika e iluminizmit, f. 32).
Unë mendoj se duhet të shqetësohemi nga që jemi duke bërë shumë pak punë në familje, në shkollë, në media dhe në shoqëri, për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e situatës. Është koha që sociologët, psikologët, mësuesit, pedagogët, gazetarët, prindërit tanë, më saktë të gjithë së bashku, duhet të mësohemi të punojmë ndryshe nëse duam rezultate sociale dhe edukative pozitive. Vetëm kështu do mundemi të gjejmë rrugën që të ndalim këtë degradim të frikshëm të natyrës të njerëzve tanë. Kjo do të thotë që duhet kapur “demi nga brirët”, duhen njohur së pari shkaqet dhe mbi këtë bazë të krijojmë modele të sakta të njohjes dhe interpretimit të shumë dukurive, që vërtetë kanë qenë “të panjohura” më parë në shoqërinë tonë. Pa këtë ndryshim konceptual nuk ka asnjë shpresë se do të kemi ndonjë përmirësim të situatës.
Kjo duhet vlerësuar, sepse deformimet e natyrës së njerëzve tanë nuk janë më probleme sporadike apo eksese të shkëputura individuale. Kjo është shqetësuese sepse deformimet e natyrës së njerëzve tanë kanë tendencë që të bëhen “fenomen kolektiv”, që ka filluar të shfaqet jo vetëm në individë, por edhe në grupe sociale të caktuara. Kjo natyrisht nuk duhet të na ngatërrojë radhën e punës, sepse edukimi i njerëzve tanë veçanërisht i të rinjve është i vështirë. Sidomos në se çështja trajtohet si proces kolektiv, duke mos vlerësuar atë si një proces të rifitimit të motiveve të shëndosha individuale të çdo njeriu për të qenë i aftë të krijojë në shoqëri kohezion social të qytetëruar.
Ndaj koha moderne e ka vënë shoqërinë shqiptare në pozitë të vështirë. Ajo kërkon nga të gjithë aktorët socialë, mediatikë dhe familjarë, që më shumë të merren me parandalimin dhe rregullimin gradualisht të deformimeve që po pëson kultura e njerëzve tanë (që nuk janë vetëm të rinjtë) nga njëra anë, dhe së dyti, të punojmë për të ndihmuar shoqërinë që të kapërcejë situatën shumë të vështirë të mungesës së besimit se gjërat mund të përmirësohen. Pikërisht nga që jeta jonë nganjëherë duket sikur është nën kthetrat e “shoqërisë së rrëmujshme” së cilës i mungon sistemi i vlerave, si kusht për rregullimin e natyrës së njeriut dhe të karakterit të jetës sociale në shoqërinë tonë.
Ky është kusht për të dalluar njerëzit, veprimet antishoqërore, të cilat nëse nuk kemi një “sistem vlerash” morale, kulturore, sociale të njohura të pranuara shoqërisht, është vështirë për “aftësinë parashikuese” të sjelljes së tyre nga shkolla, familja dhe shoqëria. Është i vështirë procesi i formimit dhe edukimit të njerëzve. Por nuk ka rrugë tjetër të frenimit të procesit të “degradimit moral” të shoqërisë, përveç rrugës së ndikimit përmes sistemit të ngulitur të vlerave të sjelljes. Qoftë kur ato vijnë “nga brenda” nga kultura, edukata dhe morali individual i njeriut, apo kur ato “imponohen nga jashtë”, nga mjedisi shoqëror, tradita familjare dhe shoqërore, etj. Natyrisht të gjitha këto bëhen duke e ndërtuar ditë për ditë dhe gradualisht personalitetin dhe natyrën e njerëzve tanë, sidomos të të rinjve. Por, jo me moralizime, për të cilat koha është bërë shumë e vështirë …