A mund të formohen komisionet parlamentare pa qeverinë e re?

21 janar 2020 | 11:27

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Glauk Konjufca, kryetar, ka mbajtur të hënën mbledhjen e parë për legjislaturën VII.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan kërkesat për caktimin e delegacioneve të Kuvendit në dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Kështu, kryesia shqyrtoi kërkesën dhe caktoi delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore-SEECP si dhe delegacionin për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Po ashtu, në kryesi u bënë të njohura njoftimet e deritashme për krijimin e grupeve parlamentare, si në vijim: Grupi Parlamentar i LDK-së, i cili do t’i ketë 28 deputetë (kryetar Avdullah Hoti), Grupi Parlamentar i PDK-së, 24 deputetë (kryetar Bedri Hamza), Grupi Parlamentar Lista Serbe, 10 deputetë (kryetar Igor Simiq) dhe Grupi Parlamentar Multietnik, i cili do të kryesohet nga deputeti Albert Kinolli dhe do t’i ketë gjashtë deputetë.
Ndërkaq LV-ja, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate ende nuk kanë propozuar emrat e tyre për kryetar të grupeve parlamentare.

Njohësi i proceseve politike në vend, Blerim Vela, ka thënë se tashmë, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit, formimi i komisioneve parlamentare është rezultat i procesit politik të negociatave mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se ekziston praktika e mirëdetajuar parlamentare që bazohet në formulën e përfaqësimit proporcional, e cila përcakton numrin e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare për secilin grup parlamentar në varësi të madhësisë së tij, shkruan “Epoka e re”.

Vela ka thënë se formimi i komisioneve parlamentare ligjërisht nuk është i lidhur me ndonjë proces jashtë Kuvendit. “Po ashtu, numri, emërtimi dhe anëtarësia e komisioneve parlamentare përcaktohet nga seanca plenare në bazë të propozimit të Kryesisë së Kuvendit pas marrëveshjes mes grupeve parlamentare. Ky proces nuk është i lidhur me emërtimet e ministrive, pasi që në esencë Rregullorja e Punës së Kuvendit përmban listën e komisioneve parlamentare ashtu siç janë përcaktuar në vitin 2010. Ndërsa, me vendim të seancës së Kuvendit të përbërjes së re mund të ndryshohet numri, emërtimi dhe fushëveprimi i tyre”, ka thënë ai.

Vela ka pohuar se është përgjegjësi e kryesisë së re të Kuvendit ta fillojë procesin e krijimit të komisioneve parlamentare dhe funksionalizimin e tyre.

“Ky proces ligjërisht nuk është i lidhur me formimin e qeverisë së re apo emërtimin e ministrive të reja. Politikisht, grupet parlamentare mund ta bëjnë një gjykim të tillë që kushtëzon krijimin e komisioneve parlamentare me qeverinë e re, por përsëri është përgjegjësi e seancës plenare të marrë vendim të tillë. Megjithatë, për momentin asgjë nuk e ndalon Kuvendin që ta bëjë formimin e tyre. Së këndejmi dhe duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, përbërja e re e Kuvendit mund të fillojë të miratojë ligje, duke përfshirë edhe atë për projektbuxhetin e vitit 2020”, ka thënë analisti Vela.

Ndërkaq analisti tjetër, Artan Murati, ka thënë se nuk mund të ketë komisione parlamentare pa qenë e ditur sesa ministri do të jenë.

“Komisionet krijohen në bazë të numrit të ministrive të cilat duhet të mbikëqyren. Ka edhe arsye të tjera të cilat nuk po i listoj. Legjislatura e shtatë, qeveria në ikje e legjislaturës së gjashtë, nuk funksionojnë bashkë. Kjo është shumë e qartë. Mos të krijohet konfuzion nëpër TV dhe mos të flitet për gjëra që nuk jemi të sigurt se qëndrojnë ashtu siç themi”, ka thënë Murati.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka…