A mund të jenë socialistët të lumtur?

28 qershor 2024 | 08:52

GEORGE ORWELL

Kur mendon për Krishtlindjet vetvetiu mendon për Çarls Dikensin, për dy arsye të forta. Së pari, Dikensi është nga shkrimtarët e paktë anglezë që ka shkruar për Krishtlindjet. Krishtlindja është festa më e njohur angleze e, megjithatë, çuditërisht për të është shkruar pak në letërsi. Janë këngët, kryesisht me origjinë mes­jetare; ka një grusht poezish të Robert BrixhisIT, T. S. Eliotit dhe disa të tjerëve, dhe është Dikensi, por ka shumë pak të tjerë. Së dyti, Dikensi është i jashtëza­konshëm, gati unik, në mesin e shkrimtarëve modernë për sa i përket aftësisë për të dhënë një tablo bindëse të lumturisë.

Dikensi e trajtoi me sukses Krishtlindjen dy herë në një kapitull te Shënimet e klubit Pikuik dhe te Këngë Krisht­lindjesh. Historia e fundit iu lexua Leninit në shtratin e vdekjes dhe, sipas gruas, atij iu duk krejtësisht i patoleru­eshëm “sentimentalizmi borgjez”. Tani në një farë kup­timi Lenini kishte të drejtë: por nëse do të kishte pasur shëndet më të mirë, ndoshta do të kishte vënë re se his­toria ka nënkuptime interesante sociolo­gjike. Sado e trashë të jetë boja që përdor Dikensi në tablonë që kri­jon me anë të rrëfimit, sado i neveritshëm të jetë “pathosi” i Tini Timit, familja Kreçi të lë për­shtypjen se po këna­qet.

Ata duken po aq të lumtur sa qytetarët te Lajme nga askundi i Uiliam Morrisit nuk duken të lumtur. Për më tepër dhe të kuptuarit prej Dikensit i kësaj është një nga sekretet e fuqisë së tij, lumturia e tyre rrjedh kryesisht nga kontrasti. Ata janë në gjendje të lartë shpirtërore sepse herë pas here kanë mjaft për të ngrënë. Ujku është te dera, por ai tund bishtin. Avulli i pudingut të Krisht­lindjes përshkon një mjedis me dyqane pengjesh dhe punë rraskapitëse dhe, në një kuptim të dyfishtë, fan­tazma e Skruxhit rri pranë tryezës së darkës. Bob Kreçit madje dëshiron të pijë për shëndetin e Skruxhit, gjë që zonja Kreçit me të drejtë e refuzon. Kreçitët janë në gjendje t’i shijojnë Krishtlindjet pikërisht sepse ato vijnë vetëm një herë në vit. Lumturia e tyre është bindëse thjesht sepse Krishtlindjet vijnë vetëm një herë në vit. Lumturia e tyre është bindëse vetëm sepse përshkruhet si e paplotë.

Të gjitha përpjekjet për ta përshkruar lumturinë e për­hershme, nga ana tjetër, kanë qenë dështime. Utopitë (rastësisht fjala e krijuar Utopi nuk do të thotë “një vend i mirë”, do të thotë thjesht një “vend që nuk ekzi­ston”) kanë qenë të zakonshme në letërsinë e treqind apo katërqind vjetëve të fundit, por ato “të favorshmet” janë gjithmonë të pakënaqshme dhe, zakonisht, u mun­gon edhe vitaliteti.

Deri më tani utopitë moderne më të njohura janë ato të H.G. Uellsit. Vizioni i Uellsit për të ardhmen shpre­het gati plotësisht në dy libra të shkruar në fillim të viteve njëzet, Ëndrra dhe Njerëzit si perëndi. Këtu keni një fotografi të botës siç do të dëshironte ta shihte Uellsi ose mendon se do të donte ta shihte. Është një botë, karakteristikat kryesore të së cilës janë hedonizmi i për­ndritur dhe kureshtja shkencore. Të gjitha të këqijat dhe fatkeqësitë prej të cilave vuajmë tani, janë zhdukur. Injoranca, lufta, varfëria, papastërtia, sëmundja, zhgë­njimi, uria, frika, puna e tepërt, besëtytnitë, të gjitha janë zhdukur. E tillë, është e pamundur të mohohet se kjo është bota për të cilën të gjithë shpresojmë. Të gjithë duam t’i zhdukim gjërat që Uellsi dëshiron të zhdukë. Por a ka njeri që në të vërtetë dëshiron të jetojë në një utopi uellsiane?

Përkundrazi, të mos jetosh në një botë të tillë, të mos zgjohesh në një periferi të një kopshti të dezinfektuar me kujdestare të zhveshura lakuriq, është kthyer në një motiv të vetëdijshëm politik. Një libër si Më e mira e botëve përbën një shprehje të frikës së tanishme që ndien njeriu modern ndaj shoqërisë së racionalizuar hedo­niste, e cila është në fuqinë e tij për ta krijuar. Një shkrim­tar katolik ka thënë së fundmi se utopitë tani janë tek­nikisht të realizueshme dhe se si pasojë si ta shmangësh utopinë është bërë problem serioz. Ne nuk mund ta shpërfillim thjesht një koment pa kuptim. Sepse një nga burimet e lëvizjes fashiste është dëshira për të shman­gur një botë shumë racionale dhe shumë të rehatshme.

Të gjitha utopitë “e favorshme” duket se janë të njëjta në postulimin e përsosmërisë, ndërkohë që nuk janë në gjendje ta sugjerojnë lumturinë. “Lajme nga askund” është një lloj versioni i mirë i utopisë uellsiane. Të gjithë janë të sjellshëm dhe të arsyeshëm, të gjitha veshjet vijnë nga kompania Libërti, por përshtypja e lënë është një lloj melankolie e lëngshme. Por është më mbresë­lënëse që Xhonatan Suifti, një nga shkrimtarët më të mëdhenj përfytyrues që ka jetuar ndonjëherë, nuk është më i suksesshëm në ndërtimin e një Utopie më “të favor­shme” se të tjerët.

Pjesët e fillimit të Udhëtimet e Guliverit janë ndoshta sulmi më shkatërrues ndaj shoqërisë njerëzore që është shkruar ndonjëherë. Çdo fjalë e tyre është e rëndësi­shme sot; ka vende ku ato përmbajnë profeci mjaft të hollësishme të tmerreve politike të kohës sonë. Megji­thatë, Suifti dështon në përpjekjen për të përshkruar një racë qeniesh që ai e admiron. Në pjesën e fundit, në kontrast me Yahoo-të e neveritshme, na shfaqen Houy­hnhnmët fisnikë, kuaj inteligjentë që nuk i kanë të metat njerëzore. Tani këta kuaj, me gjithë karakterin e tyre të lartë dhe gjykimin e shëndoshë, janë krijesa jashtëzakonisht të mërzitshme. Ashtu si banorët e uto­pive të tjera të ndryshme, ata janë të shqetësuar më shumë për ta shmangur rrëmujën. Bëjnë një jetë pa ngjarje, të nënshtruar, të “arsyeshme”, pa grindje, çrre­gullime apo pasiguri të ndonjë lloji, por edhe nga “pas­ionet”, duke përfshirë dashurinë fizike. Ata i zgjedhin bashkëshortët sipas parimeve eugjenike, shmangin tep­rimet e dashurisë dhe duken disi të lumtur që vdesin kur të vijë koha. Në pjesët e mëparshme të librit, Suifti ka treguar se ku e çojnë atë marrëzia dhe poshtërsia e njeriut: por hiqini marrëzinë dhe poshtërsinë dhe gjith­çka që ka mbetur, me sa duket, është një lloj ekzistence e vakët, që vështirë se ia vlen të jetohet.

Përpjekjet për të përshkruar një lumturi të padyshimtë të një bote tjetër nuk kanë qenë më të suksesshme. Parajsa është një dështim i madh sa Utopia, megjithëse Ferri zë një vend të respektueshëm në letërsi dhe shpesh është përshkruar në mënyrë më të imët dhe bindëse.

Është e zakonshme që Parajsa e Krishterë, siç për­shkruhet zakonisht, s’do të ishte tërheqëse për askënd. Gati të gjithë shkrimtarët e krishterë që merren me Parajsën ose thonë sinqerisht se është e papërshkru­eshme ose krijojnë një pamje të paqartë të arit, gurëve të çmuar dhe këndimit të pafund të himneve. Kjo është e vërtetë dhe ka frymëzuar disa nga poezitë më të mira në botë:

Muret e tua janë prej kuarci,

Kullotat e arta të pamatë,

Portat prej margaritari

Tejet të begata dhe të rralla!

 

Por ajo që nuk mund ta bënte ishte të përshkruante një gjendje në të cilën njeriu i zakonshëm donte të ishte përherë. Shumë pastorë rilindës, shumë priftërinj jezu­itë (shih, për shembull, predikimin e mrekullueshëm te Portreti i artistit në rini të Xhejms Xhojsit) e kanë tme­rruar kongregacionin e tyre me fjalët që përshkruajnë Ferrin. Por sapo bëhet fjalë për Parajsën, ka një për­dorim të dështuar të fjalëve të tilla si “ekstazë” dhe “lumturi”, me pak përpjekje për të thënë se çfarë do të thonë ato. Ndoshta pjesa më jetike e shkrimeve për këtë temë është i famshmi fragment në të cilin Tertuliani shpjegon se një nga gëzimet kryesore të Parajsës është t’i shikosh torturat ndaj të mallkuarve.

Versionet pagane të Parajsës janë pak më të mira, ose aspak të tilla. Të krijohet ndjesia se është gjithmonë muzg në fushat Eliziane. Olimpi, ku jetonin perënditë, me nektarin dhe ambrozinë e tyre, nimfat dhe Hebesin e tyre, “joshëset e pavdekshme” siç i quante D. H. Lorensi, mund të ishin pak më të dashur se Parajsa e krishterë, por edhe aty s’do të donit të kalonit shumë kohë. Për sa i përket Parajsës Myslimane, me 77 hyri për njeri, ku të gjithë me sa duket kërkojnë vëmendje në të njëjtin çast, është thjesht një makth. As spiritualistët, ndonëse vazhdimisht na sigurojnë se “gjithçka është e ndrit­shme dhe e bukur”, nuk janë në gjendje të përshkruajnë ndonjë aktivitet të botës tjetër që një personi që mendon do t’i dukej i durueshëm e jo më tërheqës.

Është e njëjta gjë me përshkrimet e tentuara të lum­turisë së përsosur, të cilat nuk janë as utopike dhe as të botës tjetër por, thjesht, joshëse. Ato gjithmonë ta kri­jojnë përshtypjen e zbrazëtisë, vulgaritetit, ose të dyjave. Në fillim te Shërbëtorja e Orleansit, Volteri përshkruan jetën e Karlit IX me dashnoren e tij, Agnes Sorel. Ata ishin “gjithmonë të lumtur”, thotë ai. Dhe cila ishte lumturia e tyre? Një varg i pafund festash, pijesh, gjue­tie dhe aktesh dashurie. Kush nuk do të vuante nga një ekzistencë e tillë pas disa javësh? Rabelais për­shkruan shpirtrat me fat që kalojnë një kohë të mirë në botën tjetër për t’i ngushëlluar ata që kanë kaluar një kohë të keqe në këtë botë. Ata këndojnë një këngë që mund të përkthehet përafërsisht: “Të kërcesh, të vallë­zosh, të luash, të pish verë të bardhë dhe të kuqe dhe të mos bësh asgjë gjatë gjithë ditës përveçse të numërosh kurora ari” sa e mërzitshme tingëllon, në fund të fundit! Zbrazëtia e të gjithë nocionit të një “kohe të mirë” të përjetshme shfaqet në foton e Breughelit Toka e përtacit, ku tre tra­shamanë janë në gjumë, kokë më kokë, me vezët e ziera dhe këmbët e pjekura të derrit që hahen sipas qejfit të tyre.

Duket sikur qeniet njerëzore nuk janë në gjendje të përshkruajnë, ndoshta as ta imagjinojnë lumturinë, përveçse me anë të kontrastit. Kjo është arsyeja pse konceptimi i Parajsës ose Utopisë ndryshon nga epoka në epokë. Në shoqërinë para-industriale, Parajsa për­shkru­hej si një vend i pafund pushimi, i shtruar me ar, sepse përvoja e njeriut mesatar ishte puna e tepërt dhe varfëria. Hyritë e Parajsës myslimane pasqyronin një shoqëri poligame ku shumica e grave u zhdukën në haremet e të pasurve. Por këto tablo të “lumturisë së përjetshme” dështuan gjithmonë, sepse ndërsa lumtu­ria bëhej e përjetshme (përjetësia duke u menduar si kohë e pafund), kontrasti pushoi së funksionuari. Disa nga konvencionet e ngulitura në letërsinë tonë filli­misht ishin rrjedhojë e kushteve fizike të cilat tani nuk ekzistojnë. Një shembull është kulti i pranverës.

Në mesjetë, pranvera nuk nënkuptonte para së gjithash dallëndyshe dhe lule të egra. Do të thoshte perime të gjelbra, qumësht dhe mish të freskët pas disa muajsh jetese me mish derri të kripur në kasolle pa dritare dhe me tym. Këngët e pranverës ishin gazmore: Mos bëj asgjë tjetër veçse ha dhe gëzoju, dhe falëndero Parajsën për vitin e gëzuar kur mishi është i lirë dhe vashat e dashura, dhe djem epshorë bredhin andej-këndej aq me qejf, dhe gjithmonë kaq hareshëm! – sepse kishte diçka për të qenë kaq gazmor. Dimri mbaroi, kjo ishte gjëja e mrekullueshme. Vetë Krishtlindja, një festë parakri­stiane, ndoshta filloi sepse herë pas here duhej të kishte një shpërthim të tepruar dhe të pirë për të bërë një pushim në dimrin e padurueshëm verior.

Paaftësia e njerëzimit për ta imagjinuar lumturinë, përveçse në formën e lehtësimit, qoftë nga përpjekjet apo dhimbjet, u nxjerr përpara socialistëve një problem serioz. Dikensi mund të përshkruajë një familje të varfër duke ngrënë një patë të pjekur dhe mund ta bëjë të duket e lumtur; nga ana tjetër, banorët e universeve të përsosura duket se nuk kanë gëzim të vetvetishëm dhe zakonisht janë disi të neveritur nga ujditë. Por është e qartë se ne nuk synojmë llojin e botës që për­shkroi Dikensi as, ndoshta, ndonjë botë që ai ishte në gjendje ta imagjinonte. Objektivi socialist nuk është një shoqëri ku në fund çdo gjë është si duhet, ngaqë zotërinj të moshuar dhe të sjellshëm dhurojnë gjela deti. Çfarë synojmë, nëse jo një shoqëri në të cilën “bamirësia” do të ishte e panevojshme? Ne duam një botë ku Skruxhi, me pasurinë e tij, dhe Tajni Tim, me këmbën e sëmurë nga tuberkulozi, të ishin të paimagjinueshëm. Por a do të thotë kjo se ne po synojmë një Utopi pa dhimbje dhe pa mundim.

Duke rrezikuar të them diçka që redaktorët e Tribunës mund të mos e mbështetin, unë sugjeroj që objektivi i vërtetë i socializmit nuk është lumturia. Lumturia deri tani ka qenë një nënprodukt dhe, me sa dimë, mund të mbetet gjithmonë e tillë. Objektivi i vërtetë i socializmit është vëllazëria njerëzore. Mendohet gjerësisht se është kështu, megjithëse zakonisht nuk thuhet, ose nuk thuhet me zë të lartë. Njerëzit e përdorin jetën e tyre në beteja politike që ta thyejnë zemrën, ose vriten në luftëra civile ose torturohen në burgjet sekrete të Gestapos jo për të krijuar një Parajsë me ngrohje qendrore, me ajër të kon­dicionuar, me ndriçim, por sepse duan një botë në të cilën qeniet njerëzore e duan njëri-tjetrin në vend se ta mashtrojnë dhe vrasin njëri-tjetrin. Dhe ata e duan atë botë si hapin e parë. Se ku shkojnë prej andej nuk është aq e sigurt dhe përpjekja për ta parashikuar atë në detaje thjesht e ngatërron çështjen.

Mendimi socialist duhet të merret me parashikimin, por vetëm në terma të përgjithshëm. Njeriu shpesh duhet të synojë në objektiva të cilat mezi mund t’i shohë. Në këtë çast, për shembull, bota është në luftë dhe dëshiron paqe. Megjithatë, bota nuk ka përvojë paqeje dhe nuk e ka pasur kurrë, vetëm nëse i egri fisnik ka ekzistuar dikur. Bota dëshiron diçka për të cilën është pak e vetë­dijshme se mund të ekzistojë, por nuk mund ta përcak­tojë me saktësi. Këtë ditë të Krisht­lindjes, mijëra njerëz do të derdhin gjak deri në vdekje në borën ruse, ose do të mbyten në ujërat e akullta, ose do të mbyten në ishujt moçalorë të Paqësorit. Fëmijët e pastrehë do të kër­kojnë ushqim mes rrënojave të qyte­teve gjermane. Për ta bërë këtë lloj gjëje të pamundur është një objektiv i mirë. Por të thuash me detaje se si do të ishte një botë paqësore është çështje tjetër.

Pothuajse të gjithë krijuesit e Utopisë i ngjajnë njeriut që ka dhimbje dhëmbi, dhe për këtë arsye mendojnë se lumturi është të mos kesh dhimbje dhëmbi. Ata donin të krijonin një shoqëri të përsosur me një vazhdim të pafund të diçkaje që kishte qenë e vlefshme vetëm sepse ishte e përkohshme. Një këndvështrim më i gjerë do të ishte të thuash se ka disa rrugë nëpër të cilat njerëzimi duhet të lëvizë, strategjia e madhe është hartuar, por profecia e detajuar nuk është puna jonë. Kushdo që përpiqet ta imagjinojë përsosmërinë, thjesht zbulon zbrazëtinë e tij. Ky është rasti edhe me një shkrimtar të madh si Suifti, i cili mund të fishkëllejë një peshkop ose një politikan kaq bukur, por që, kur përpiqet të krijojë një supernjeri, thjesht të lë me përshtypjen se gjëja e fundit që mund të ketë menduar ishte që Yahoo-të e qelbur kishin brenda vetes më shumë mundësi zhvi­llimi sesa Houyhnhnmët e shkolluar.

 

Tribune, 20 dhjetor 1943.

Botuar me emrin “John Freeman”

Përktheu: Granit Zela.

Marrë nga libri Ese II.

©Armagedoni

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MUSA RAMADANI Isha përmbushur me diç që nuk di as…