A mund të jetë komandant i UÇK-së ai që e quajti organizatë terroriste?!

08 shtator 2020 | 11:33

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Shtrembërim i së vërtetës përmes protagonizmit virtual: Gjatë luftës madhështore të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, në krye me Komandantin Politik, Bacën e Madh Adem Demaçi dhe Komandantin Ushtarak, Komandantin Legjendar Adem Jashari, shqiptarët, për herë të parë në histori e bënë luftën për vete, për liri, për çlirim dhe për bashkim kombëtar. Gjatë përpjekjeve për çlirim, shqiptarët e papërgatitur ushtarakisht, të vogël në numër, pa aleatë dhe në kushte të robërimit permanent, gjithmonë kanë qenë nën flamur të shteteve të tjera dhe, përmes tyre, janë munduar t’i realizojnë aspiratat shekullore. I kanë shërbyer Perandorisë Romake, asaj Bizantine, Perandorisë Osmane, nja 300 vjet bullgarëve, mbi 100 vjet serbëve, turqve, italianëve dhe gjermanëve. Pikërisht këta që iu kanë shërbyer serbëve kanë qenë kundër lirisë të shqiptarëve e sidomos kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilën e kanë sulmuar dhe luftuar çdoherë kur iu ipej rasti. Frymën liridashëse dhe zjarrin e luftës për liri, të trashëguar nga rezistenca shekullore e ruajtën, mbrojtën dhe mbajtën gjallë të gjithë ata që sakrifikuan çdo gjë që patën për popullin dhe lirinë. Ishte Hasan Prishtina, truri, mendja dhe shpirti i lëvizjes shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar. Isa Boletini ishte pjesëmarrës dhe udhëheqës i të gjitha betejave shqiptare për liri duke e vendosur një xhevahir në Kurorën e Pavarësisë në Vlorë. Pabesisht u ekzekutua në një pritë në Mal të Zi, së bashku me shumë familjarë, nga gjyshi i komunistit Milovan Gjilas që ishte edhe vetë pjesë e persekutimit të shqiptarëve para, gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në ish-Jugosllavi.  Azem Bejta dhe Shotë Galica, Ahmet Delija dhe Ukshin Kovaçica, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, Shyt Mareci dhe Hoxhë Idriz Gjilani, Gjon Serreqi dhe Marie Shllaku, Jahja Fusha dhe Bec Bajçinoci, Fazli Grejçevci dhe Shaban Shala, Tahir dhe Nebih Meha,  Ukshin Hoti, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj si dhe të gjithë heronjtë që e dhanë jetën për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar e që numri i tyre është i madh.

Epiqendra e luftës për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar ishte Drenica, prandaj Prekazi është kryeqytet i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dukagjini bëri luftë të jashtëzakonshme sikur që as Llapi nuk e ndali luftën asnjëherë sikur edhe Karadaku. Kontribut të madh dhanë ish të burgosurit politikë shqiptarë, që pshurrën dhe dhjenë gjak nga torturat e  paraardhësve të këtyre që ishin kundër UÇK-së e që edhe sot bëjnë përpjekje të marrin merita, ndonëse mendimin e kishin kriminal, kurse veprimin edhe më kriminal. Kthesa e madhe dhe vendimtare u bë me paraqitjen e Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës e udhëhequr nga komandantët, Baca Adem Demaçi dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari. Dihet fort mirë qëndrimi i politikanëve të atëhershëm shqiptarë, në Kosovë si dhe në Shqipëri për luftën e UÇK-së, kush e ndihmoi dhe kush e sabotoi atë. Në atë periudhë dy persona e kanë cilësuar UÇK-në terroriste: Ibrahim Rugova që ishte president i një shteti që nuk e kishte pranuar askush e që ishte plotësisht i robëruar nga regjimi jugosllav që ishte nën urdhrat e regjimit serb dhe Gelbart, që ishte personalitet që angazhohej për një autonomi brenda Serbisë, por që pazarin ua prishi lufta e UÇK-së. Në atë kohë i vetmi personalitet që e kundërshtoi Gelbardin ishte i Pavdekshmi Bacë Adem Demaçi, kurse të tjerët që pretendonin se merreshin me politikë, në Kosovë dhe Shqipëri, ia mbanin zhagun Gelbardit. Thuhej se po t’ua zhvishnin pantallonat ushtarëve të UÇK-së do të shihnin se nuk ishin bërë synet duke i identifikuar me serbë që e flasin mirë gjuhën shqipe. Gjithashtu, ishte fshehtësi publike se pikërisht krerët e LDK-së së atëhershme filluan një fushatë denigruese kundër ish të burgosurve politikë shqiptarë duke i konsideruar më të rrezikshëm (për LDK-në) se vetë Serbia. Kjo kishte ndodhur në disa mbledhje të degës së LDK-së në Besianë!

Po a kemi reaguar mirë ne, ish të burgosurit politikë: Baca Adem, sa ishim në llogorin e Stara Gradishkës kishte përkrahje pa asnjë rezervë për Ibrahim Rugovën dhe, ndonëse kishte popullaritet të jashtëzakonshëm, nuk deshi ta rivalizonte, pas daljes nga burgu. Po në këtë frymë na udhëzoi edhe ne që ta përkrahnim Ibrahim Rugovën e që pjesa më e madhe edhe e bëri duke votuar në zgjedhjet e para pikërisht për Rugovën. Me këtë Baca Adem e shmangu një çarje të madhe brendashqiptare. Baca Adem ishte kundër çdo hakmarrjeje, prandaj të burgosurit politikë shqiptarë u sillën me urtësi dhe butësi ndaj ish atyre që i keqtrajtuan, deri në vdekje, politikisht dhe fizikisht. Nëse shihet në retrospektivë mbase kemi gabuar  që nuk kërkuam, e kemi mundur shumë lehtë, përgjegjësi nga persekutuesit tanë  mirëpo, nëse kemi parasysh interesin kombëtar, Baca Adem kishte të drejtë. Me “nënshtrimin” tonë ndaj atyre që na nënshtruan, e evituam një luftë vëllavrasëse (ndonëse nuk ishin vëllezër tanë në asnjë aspekt), e eliminuam përçarjen e madhe. Këta, në vend se të ndiejnë një brejtje ndërgjegjeje, së bashku me ndërkombëtarët, ish-hetuesit, ish-prokurorët, ish-gjykatësit dhe me individë të kriminalizuar që kishin luftuar në Padesh dhe Kukës për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, sajonin dosje duke e vazhduar persekutimin, tash me mjete të tjera. Më së paku që është dashur të bëjnë ish të burgosurit politikë shqiptarë ka qenë të kërkojmë të hapen dosjet tona ose t’i dorëzojmë aktakuzat dhe aktgjykimet në Shoqatën e ish të Burgosurve Politikë (po të ishte shoqatë si duhet e jo një shoqatë oportuniste dhe klienteliste) dhe nuk e kemi bërë këtë. Kështu, u krijua një hapësirë për rikthim dhe sistemim në të gjitha nivelet në Kosovë e atyre, ose të pasardhësve të tyre biologjikë dhe politikë për të kalëruar sërish mbi vuajtjet dhe persekutimin tonë. Po të kishim një Shoqatë për të Burgosur Politikë që mbron të gjithë ish të burgosurit politikë, pa bërë asnjë dallim, sot do ta kishim një gjendje tjetër në Kosovë. Asnjë proces apo vendim nuk do të zhvillohej apo të merrej në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore. Po, për shkak të klientelizmit, ish të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë nuk paraqesin asnjë fuqi dhe kemi mbetur vetëm të takohemi në varrime të shokëve dhe bashkëvuajtësve. Një numër i vogël u shkri në karrierën korruptive politike, kurse pjesa më e madhe mbeti kategori sociale. E dhimbshme, por e vërtetë.

A ishin Ibrahim Rugova komandant i UÇK-së dhe Fatmir Sejdiu komisar politik i UÇK-së:  Fatmir Sejdiu, që ka një përvojë të gjatë politike, që nga koha e Titos e deri më sot, në një intervistë deklaroi se Ibrahim Rugova me Kushtetutë paska qenë komandant suprem i forcave të armatosura të Taxhikistanit sepse realisht në Kosovë nuk e ka pranuar UÇK-në, madje e ka quajtur terroriste, sikur të ishte vëlla i Gelbardit. Tash Fatmiri po thotë, me gojën plotë se Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti paskan qenë ushtarë të Ibrahim Rugovës dhe se listat për ushtrime ushtarake në Shqipëri i paska bërë LDK-ja. Deklaratë e denjë për datën 1 prill, Ditën Ndërkombëtare e Bishtërimit të së Vërtetës. Edhe unë, së bashku me gruan time Fexhrije Shala kam qenë në listë për ushtrime në Shqipëri por se këtë listë nuk e ka bërë as “komandanti” Ibrahim Rugova apo “komisari politik” Fatmir Sejdiu por se e ka bërë Patrioti i Madh i Çështjes Kombëtare, Ahmet Haxhiu. Kjo listë dështoi për faktin se pati shumë arrestime në atë kohë, kryesisht të veprimtarëve të LPK-së. Asnjëherë nuk kam thënë se Ibrahim Rugova ka qenë njeri apo shqiptar i keq por gjithmonë kam thënë dhe e them se atij, si intelektual dhe si të gjithë intelektualëve të kohës së Titos, i ka munguar guximi të marrë përgjegjësi për diçka që ia rrezikon jetën. Intelektualët kurrë nuk e kanë bërë luftën por i kanë zhvatur rezultatet e luftës, qoftë materialisht apo përmes ndërtimit të karrierës politike. Sa për Ibrahim Rugovën e Fatmir Sejdiun në Kosovë në 1000 vjetët e ardhshëm nuk do të kishte luftë por e vërteta është se luftën e organizuan dhe e bënë LPK, LKÇK, ish të burgosurit politikë shqiptarë, ata që kurrë nuk u pajtuan me robërinë dhe e luftuan në të gjitha regjimet (Drenica, Dukagjini, Llapi, Karadaku etj.). Luftuan edhe anëtarë të LDK-së që ishin patriotë të vërtetë kurse këta që i përmend Fatmir Sejdiu, si alfa dhe omega e UÇK-së organizonin vizita në terren dhe kërkonin dorëzimin e armëve sikur edhe ndërprerjen e luftës së armatosur. Po të ishte ashtu siç thotë Fatmir Sejdiu, Gjykatat për Krime Lufte që gjykojnë dhe dënojnë sipas përgjegjësisë komanduese, politike dhe ushtarake filluar nga Tribunali i Hagës, Ibrahim Rugovën do ta ftonin si të akuzuar si dhe Fatmir Sejdiun. E kjo Gjykata Speciale, po të ishte gjallë Ibrahim Rugova, në vend të Agim Çekut, si komandant të UÇK-së do ta ftonte Rugovën e në vend të Hashim Thaçit, si drejtor politik, do ta ftonte Fatmir Sejdiun, komisar politik, si të dyshuar, natyrisht. Edhe për vrasjet e pasqaruara pas luftës, si të anëtarëve të LDK-së por edhe të UÇK-së, Fatmiri fajëson gjykatat ndonëse LDK-ja, që nga përfundimi i luftës kishte ministër të Drejtësisë apo të Punëve të Brendshme dhe as që e ka lëvizur prapanicën për ndriçim të këtyre rasteve përveç se i ka keqpërdorur për qëllime elektorale, marrje të pushtetit dhe mbajtje të pushtetit. Në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtat qëllime kanë manipuluar dhe po manipulojnë me emrin e Ibrahim Rugovës. Keqbërës kanë qenë, keqbërës kanë mbetur. Të tillë sot edhe po e vendosin për fatin e Kosovës! Të politikës “paqësore” si dhe ata të luftës, pa asnjë dallim. Janë bërë një!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…