A mund të kufizohen tiranët?
Nga: Tim Judah / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala
Ngazëllim, shpresë, frikë. Këto janë emocionet, kur diktatori përmbyset. Në Bukuresht, në javët pas rënies së Nicolae Ceaușescut në dhjetor të vitit 1989, rumunët luhateshin mes entuziazmit për të folur lirshëm me një të huaj – pas dekadave të tiranisë komuniste – dhe frikës se kjo ende mund të shkaktojë telashe.
Në Bagdad, në prill të vitit 2003, marinsat amerikanë ndihmuan në rrëzimin e statujës së madhe të Saddam Husseinit, e cila qëndronte në disharmoni mu në mes të një rrethrrotullimi në trafik. Ishte fundi i regjimit të Saddamit – por, kur një grua e quajtur Mey pa se amerikanët janë duke u afruar, ajo më tha: “Ky nuk është fundi, është vetëm fillimi”.
Rendi dhe ligji u prishën brenda disa orëve dhe ajo me të drejtë kishte frikë, si e krishterë, se tani do të çliroheshin forcat e islamizmit radikal dhe se komuniteti i saj i lashtë do të kishte fatin e keq.
Pikërisht mënyra se si përmbysen burrat e tillë, si Ceaușescu dhe Saddami, është tema e Si bien tiranët: Dhe, si mbijetojnë kombet [How Tyrants Fall: And How Nations Survive], një libër interesant nga politologu gjerman Marcel Dirsus. Megjithatë, kur ai flet për tiranët, është e qartë se kryesisht mendon për njerëzit proverbialë mbi kalë. Është thelbësore njohuria se çfarë i motivon këta burra (dhe të gjithë ata janë burra), nëse duam të dimë se si t’i luftojmë ata. Megjithatë, siç argumenton Anne Applebaum te Sipërmarrja e autokracisë: Diktatorët të cilët duan ta sundojnë botën [Autocracy, Inc.: The Dictators Who Want to Run the World], autokracitë moderne kanë evoluar dhe për këtë arsye kjo luftë tani është shumë më e ndërlikuar sesa më parë.
Në librin e saj të shkëlqyeshëm, autorja amerikane fituese e çmimit Pulicer [Pulitzer], argumenton se ndryshimi kryesor midis autokracive të sotme dhe atyre që vranë dhjetëra-miliona vetë në shekullin XX, është se despotët e sotëm nuk kanë asnjë raison d’être ideologjik për të justifikuar ekzistencën e vet. Përkundrazi, ata u ngjajnë perandorëve dhe monarkëve të historisë, puna e të cilëve ishte të mbanin popullin e vet poshtë vetes, të ndanin pasuri të mjaftueshme përreth për t’ua dhënë elitave arsyen për mbijetesë dhe për të rritur feudet e veta.
Interneti dhe pasuria të cilën autokratët e sotëm kërkojnë të investojnë në vendet tona, atyre gjithashtu ua ka ofruar mënyrat shumë më tinëzare për t’u infiltruar dhe për t’i dobësuar shoqëritë tona nga brenda, shumë më shumë sesa kishin mundësi gjeneratat e mëparshme të diktatorëve.
Në këtë aspekt, Francisco Macias Nguema, i cili sundoi Guinenë Ekuatoriale nga viti 1968 e deri në përmbysjen dhe ekzekutimin e tij më 1979, ishte më shumë tiran i stilit të vjetër. Dirsusi, libri i të cilit është i mbushur me nuanca të tmerrshme, shkruan se Nguema ka thënë se “në politikë fituesi fiton dhe humbësi vdes”. Ai nuk ishte thjesht gjakatar, por psikotik. Vrau anëtarët e familjes së vet përpara se të përmbysej përfundimisht nga i nipi. Rëndësia e kësaj, për studiuesit e diktatorëve, është se Nguema është ndër 473 udhëheqësit autoritarë të cilët e humbën pushtetin midis viteve 1950 dhe 2012, 65 prej të cilëve për qind u hoqën nga të brendshmit e regjimit.
Dirsusi është i mirë në të dhënat. Ai thekson se 57 përqind e fushatave të suksesshme jo të dhunshme, kundër despotëve ose udhëheqësve autoritarë, kanë çuar në demokraci. Ndërkohë, për ata për të cilët përfshihej dhuna, ky numër ishte më pak se gjashtë për qind. Mirëpo, ndërmjet viteve 1950 dhe 2012, vetëm 20 për qind e autokratëve të përmbysur pasohen nga demokracia. “Nuk ka asnjë përgjigje të vetme për tiraninë, asnjë buton për të shtypur e për ta zgjidhur problemin”, thotë ai i trishtuar.
Duke pasur parasysh gjerësinë e studimit të tij, ky përfundim nuk është befasues. Por, a është pastaj gjë e duhur që të diskutohet Nguema, të fortët e Gjirit dhe Viktor Orbáni i Hungarisë – që të gjithë këta në të njëjtin libër? Në bazë të çdo liste të kontrollit që mund të dëshironi të krijoni për atë që ju nevojitet për të drejtuar një vend, duke përfshirë opsionet për zgjedhje të lira, respektimin e të drejtave të njeriut e kështu me radhë, si tiran mund të llogaritet Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Në librin e Dirsusit, ai nuk ia vlen që të përmendet, megjithëse Arabia Saudite përshkruhet si vend ku regjimi ka punuar shumë për të “rezistuar ndaj grushtit të shtetit”.
Orbáni, përkundrazi, nuk është despot vrastar i opozitës. Por, megjithatë, Freedom House – një institut amerikan i cili përpilon listën vjetore se ku qëndrojnë vendet për sa i përket të drejtave politike dhe civile – tani e rendit Hungarinë vetëm “pjesërisht të lirë”. Kjo falë konsolidimit të kontrollit të Orbánit mbi gjyqësorin, mbi median e kështu me radhë.
Orbáni sot ka pak miq në qeveritë e tjera perëndimore dhe ka bërë gjithçka që mundet për të penguar dhe ngadalësuar ndihmën për Ukrainën. Këtë muaj, ai u prit si mysafir i nderit në Moskë, në Pekin dhe në Mar-a-Lago. Pra, pse jemi miq me sauditët dhe Emiratet – të cilat “nuk janë të lira” sipas Freedom House-it – dhe të cilat e bëjnë Hungarinë të duket si model i demokracisë?
Applebaum është e qartë për këtë. Ndryshe nga rusët dhe kinezët, iranianët, koreano-veriorët dhe sundimtarët e Venezuelës, ata “kryesisht nuk synojnë të minojnë botën demokratike”. Bota mbase po ndryshon, por kjo është e vërteta e shekullit XX që ndërlidhet me vërejtjen ndoshta apokrife të Franklin D. Rooseveltit, se diktatori i atëhershëm i Nikaraguas, Anastasio Somoza, “mund të jetë bir kurve, por ai është biri ynë i kurvës”.
Sa i përket Hungarisë, Applebaum e përshkruan atë si një nga “autokracitë më të buta dhe një nga demokracitë hibride” – krahas Singaporit, Indisë, Turqisë dhe Filipineve. Ato “ndonjëherë rreshtohen me botën demokratike dhe ndonjëherë jo”. Kjo është kategoria që përfshin shumë më shumë vende, veçanërisht në jugun global ku liderët perëndimorë në veçanti kanë dështuar që t’i bashkojnë ato në kauzën e vlerave demokratike.
Derisa Dirsusi është kryesisht i interesuar për tiranitë klasike me një njeri, Applebaum nuk është. Në të vërtetë, ajo thotë se “në ditët e sotme, autokracitë nuk drejtohen nga një djalë i keq, por nga rrjetet e sofistikuara të cilat mbështeten në strukturat kleptokratike financiare, nga një kompleks i shërbimeve të sigurisë – ushtarake, paraushtarake, policore – dhe nga ekspertët teknologjikë të cilët ofrojnë mbikëqyrje, propagandë dhe dezinformim”.
Në një masë të madhe kështu ishte gjithmonë, por sot, argumenton ajo, ka një ndryshim të madh nga e kaluara. “Ky grup nuk funksionon si bllok, por më tepër si aglomerat i kompanive të cilat lidhen jo nga ideologjia, por nga vendosmëria e pamëshirshme e mendjes së vetme për të ruajtur pasurinë dhe fuqinë personale: Sipërmarrjen e autokracisë [Autocracy, Inc].
Këta njerëz, thotë ajo, “kanë të njëjtën qasje brutale pragmatike ndaj pasurisë”, “e shfaqin lakminë e vet” dhe “shpeshherë mbajnë vendbanime të pasura dhe e strukturojnë pjesën më të madhe të bashkëpunimit si sipërmarrje fitimprurëse”.
Pra, Koreja e Veriut dhe Irani sot shesin armë për të vrarë ukrainasit, por jo gjithçka që bëjnë së bashku këto regjime të ndryshme, ka të bëjë me paratë. Për shembull, ushtarët kinezë ushtrojnë në kufirin polak së bashku me bjellorusët, ndërsa në X-in e Elon Muskut mund të gjesh idiotë të dobishëm britanikë të cilët punojnë për PressTV-në e Iranit dhe të cilët lexojnë vargjet e rusëve se pse Ukraina thjesht duhet të dorëzohet.
Në vitet 1970 dhe 1980, kur trupat komuniste kubane u dërguan për të luftuar për guerilët marksistë-leninistë në Angolë, të cilët nga ana e vet luftonin kundër guerilëve të mbështetur nga ShBA-ja dhe nga trupat e aparteidit të Afrikës së Jugut, kishte të paktën një arsyetim ideologjik për këtë.
Por, fakti se duket se autokratët modernë janë më të interesuar për pasurinë, kjo nuk do të thotë se ata nuk e kanë asnjë besim. Putini qartazi beson, thellë në shpirtin e vet, se Ukraina nuk ka të drejtë për një ekzistencë të pavarur.
Ndërkaq, Dirsusi është i mirë në atë se pse për tamam tiranët të cilët bien, rënia në të vërtetë është diçka si tërheqje nga shteti: “Në fund, qoftë përmes vdekjes natyrore apo largimit të dhunshëm, çdo tiran bie”. Meqenëse njerëzit si Stalini, Mao dhe Franko vdiqën që të gjithë nga sëmundjet e pleqërisë, do të ishte mirë të dinim se pse disa nga tiranët më të këqij mbijetojnë në vend që t’i fshehim ata nën tapetin autokratik.
Ndoshta përgjigja është se “shtypja e pamëshirshme mund të funksionojë, por kërkon angazhim të përgjithshëm ndaj brutalitetit të tmerrshëm”, thotë Dirsus. Prandaj, Partia Komuniste kineze siguroi mbijetesën e vet me masakrën në Sheshin Tiananmen në vitin 1989, por Viktor Yanukovychi i Ukrainës dështoi të shtypte revolucionin e vitit 2014, sepse mbi 100 protestuesit e vdekur shërbyen vetëm për ta radikalizuar dhe jo për ta mundur opozitën.
Megjithatë, nuk është gjithçka e zymtë! “Mund t’i ndalojmë ata”, thotë Applebaum. Sot kemi nevojë për një koalicion ndërkombëtar për të luftuar themelet ndërkombëtare kleptokratike të autokratëve, si dhe për të punuar me aktivistët nga vendet që janë nën kontrollin e tyre, thotë ajo. Ata dinë më shumë se ne se si vidhen paratë e tyre dhe se “si ta komunikojnë atë informacion”.
Gjithashtu, shton ajo, ne kemi nevojë për reforma të platformave të mediave sociale të cilat përhapin dezinformata, si X-i, të cilat janë plot me “narrativa ekstremiste, antisemite dhe proruse”. Duhet ta zvogëlojmë varësinë tonë nga tregtia me Rusinë dhe me Kinën, thotë ajo, sepse këto marrëdhënie biznesi po “i korruptojnë vetë shoqëritë tona”.
Ajo që Applebaum dëshiron është një kërkesë e vështirë. Por, të mos dorëzohemi ndaj disfatizmit, thotë ajo, duke vënë në dukje se deri në pushtimin e plotë të Rusisë në vitin 2022, fillimisht nuk kishte asnjë koalicion ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën. E, duke pasur parasysh ngritjen e liderëve miqësorë të Putinit në të gjithë Perëndimin, kjo do të jetë e vështirë.
Mbi të gjitha, libri i Applebaumit është thirrje për armë, për të mbrojtur shoqëritë tona të cilat, siç e thotë ajo qartë, mund të shkatërrohen jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda – nga përçarjet dhe nga demagogët. Megjithatë, ato mund të mbrohen. Me fjalë të tjera, “Luftoni! Luftoni! Luftoni!” për demokracitë liberale. Përndryshe, jemi në rrugën e rrëshqitshme për të humbur liritë tona. /Telegrafi/