A mund të lëshohet urdhër arrest për Kurtin?

01 mars 2025 | 18:00

Kryeministrit në detyrë i Kosovës, Albin Kurtit mund t’i shqiptohet gjobë dhe të burgoset në rast se nuk i përgjigjet urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale më 4 mars të këtij viti.

Ndërkaq, për të njëjtin nuk mund të lëshohet urdhër arrest zyrtar, për shkak se ai kërkohet ta japë deklaratën e tij në cilësinë e dëshmitarit.

Kështu thonë njohës të ligjit, derisa potencojnë se në rast burgimi, mund të zgjasë derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë.

Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhër që obligon kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për KosovaPress komentoi aludimet se edhe në të kaluarën kryeministrave në Kosovë iu është marrë deklarata në zyrat e tyre brenda Qeverisë.

Sipas tij, ani se zyrtarisht nuk është konfirmuar një gjë e tillë, edhe nëse ka ndodhur më parë por, edhe rasti i Kurtit, është praktikë jo e mirë.

Bajraktari potencoi se mundësia e dëshmitarit që të japë dëshminë e jashtë zyrave të prokurorisë është rrethanë përjashtuese, duke përmendur e gjendjen e rënduar shëndetësore.

Bajraktari potencoi se në rast se dëshmitari nuk paraqitet në prokurori pas urdhrit të obliguar nga gjykata, të njëjtit mund t’i shqiptohet gjobë deri në 250 euro dhe mund të burgoset, por jo më shumë se 30 ditë.

Sipas tij, në rastin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk mund të ketë urdhër arrest, pasi ai është i thirrur në cilësinë e dëshmitarit.

Të njëjtën gjë në një përgjigje me shkrim e potencon edhe avokati Arbër Jashari. “Në rast se edhe pas urdhrit të gjykatës, dëshmitari nuk paraqitet serish, atëherë gjykata mund ta dënoj atë deri ne 250 euro, sa herë që nuk paraqitet. Dhe nëse serish dëshmitari refuzon t’i përgjigjet drejtësisë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij behet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë së një muaj”, tha Jashari.

Ndërkaq, sipas ekspertit politik Dritëro Arifi refuzimi i Kurtit që të dëshmojë në organet e drejtësisë, është e papranueshme.

Sipas tij, Kurti me këto veprime po tenton që të viktimizohet.

Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asaj që ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme, shkruan KosovaPress.

Të premten e 28 shkurtit, Zyra e Kryeministrit i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.

Kurti është ftuar si dëshmitarë në rastin e rezervave shtetërore, ku prokuroria po zhvillon hetime për keqpërdorime të mundshme nga disa zyrtarë të qeverisë.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz dha një intervistë për…