A mund të lirohet Kadri Veseli nga paraburgimi?
Avokati i tij ka deklaruar që Prokuroria nuk ka prova për ta mbajtur në paraburgim, gjasat për lirimin e tij, të vogla.
Është i vetmi nga të akuzuarit në Hagë që u lirua përkohësisht nga paraburgimi.
Ish-kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, erdhi në Kosovë dy herë për pak kohë për motive familjare.
E lirimin e tij për një kohë më të gjatë e kërkoi avokati mbrojtës i tij në seancën paragjyqësore në Dhoma e Specializuara në Hagë.
Madje sipas Ben Emmerson Prokuroria kishte deklaruar që nuk kanë prova ndaj klientit të tij.
Këto deklarata u quajtën të pasakta nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Por, sa janë gjasat që të lirohet nga paraburgimi Kadri Veseli bazuar në deklaratat e avokatit të tij mbrojtës.
Kjo masë e sigurisë sipas avokatit Artan Qerkini, mund të ndryshojë masën e paraburgimit në atë të arrestit shtëpiak apo në masën e paraqitjes në stacion policor.
Krejt kjo mund të ndodhë nëse ekipi mbrojtës i Kadri Veselit mund të gjejë prova të reja që do t’i rrëzonin ato të Prokurorisë.
Seanca e radhës statusore ndaj Kadri Veselit, por edhe të akuzuarve të tjerë Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të mbahet në shtator.