
A mund të ndalen kusarët e ZRrE-së?!
Reagim i KMDLNj-së
Nëse dikush i ka dëmtuar më së shumti qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe nuk është dënuar janë piratët grabitës të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), që nga paslufta e sidomos sot.
Qeveria Kurti 1 dhe 2 deti më tani i ka rritur faturat e rrymës mbi 130 për qind kurse po kjo qeveri po e shfrytëzon një vakum të krijuar duke e lejuar strukturën zhvatëse ZRrE të rrisë rrymën së paku për 15 për qind shtesë.
Para zgjedhjeve qeveria e Kosovës thoshte se rryma nuk do të shtrenjtohet që ishte deklaratë politike mashtruese kurse ZRrE-ja deklaronte gjithashtu se nuk do të ketë rritje të faturave të rrymës e që ishte vetëm alibi për krimin e radhës ekonomik dhe social.
Po kjo ZRrE-ja, thuaja për 15 vite i ka vjedhur qytetarët shqiptarë dhe joserbë duke ua fryrë faturat për të kompensuar rrymën e papaguar nga serbët e veriut dhe vendeve tjera në Kosovë. Përkundër një vendimi të gjykatës përkatëse për kompensim kjo është mjegulluar nga ZRrE-ja me disa shifra qesharake dhe as ato nuk janë kompensuar. Pasi u vërtetua se ZRrE-ja gjatë 15 viteve kundërligjshëm ka plaçkitur qytetarët e Kosovës, Prokuroria e Shtetit është dashur të ndjekë sipas detyrës zyrtare keqbërësit apo strukturat kriminale në ZRrE-ja. Nuk mund të arsyetohet hajna me situata apo ambalazhime politike. Është vjedhje flagrante tarifa fikse prej 2 eurove me të cilën ngarkohen mbi 470.000 njehsorë e që kjo vjedhje nuk po hetohet.
Plaçkitja më e madhe bëhet në kohën e dimrit kur manipulohet me tarifa që askush nuk ka mundësi t’i kontrollojë . Pse do të duhej të paguajnë çmime ndëshkuese qytetarët apo bizneset që shpenzojnë mbi 800 Kw ?! Shpenzuesit e mëdhenj duhet të jenë status të privilegjuar e jo trajtim diskriminues. Është në kundërshtim me të drejtat e njeriut për trajtim të barabartë dhe jodiskriminues.
KMDLNj-ja në vazhdimësi ka kundërshtuar veprimet e ZRrE-së dhe qeverive mandatore për shpërdorim të çmimeve të rrymës e që janë në shpërputhje të madhe me mundësitë materiale të qytetarëve të Kosovës. ZRrE-ja , që nga përfundimi i luftës ka qenë në shërbim të mafies energjetike dhe strukturave të korruptuara qeveritare prandaj ka qenë dhe është përjashtuar nga çdo përgjegjësi penale. KMDLNj-ja ka thirrur qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë në mënyrë të organizuar këto keqpërdorime nga ZRrE-ja dhe Qeveria e Kosovës përmes organizimit të protestave dhe mënyrave tjera të kundërshtimit demokratik dhe paqësor siç janë bllokimi i zyrave të ZRrE-së apo ministrive përkatëse.
Paralajmërimi për kundërshtim përmes nënshkrimit të peticionit nuk do të prodhojnë asnjë efekt parandalues , më shumë i përshtatet strukturave kriminale të ZRrE-së dhe strukturave të korruptuara të qeverisë. Vetëm protestat masive dhe jashtë çdo ndikimi politik mund të parandalojnë veprimet shpërforuese të ZRrE-së dikur edhe t’i rikthejnë të drejtat e mohuara të qytetarëve të Kosovës që nga përfundimi i luftës duke ua kompensuar mjetet e vjedhura nga ZRrE.
KMDLNj-ja tërheq vërejtjen se pas rritjes eventuale të çmimit të energjisë elektrike që ka paralajmëruar pirateria e ZRrE-së, do të rriten në mënyrë zinxhirore dhe të pakontrolluar çmimet e artikujve tjerë dhe të gjitha shërbimeve duke rritur tej mase varfërinë e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës.
Asnjë qeveri e më së paku kjo e tashmja nuk e ka bërë indeksimin e pagave, pensioneve, skemave sociale, kredive studentore në përputhje me shkallën e inflacionit si pasojë e rritjes së çmimeve.
KMDLNj-ja përkujton qytetarët e Kosovës se ata kanë përgjegjësi t’i mbrojnë të drejtat e njeriut në rast se këtë nuk e bën ligji që e ka detyrim ta bëjë këtë. Në rastin konkret ligji ka dështuar t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve , pa asnjë dyshim.
Ndryshe ZRrE-ja do të ishte institucion që mbron të drejtat e qytetarëve – konsumatorëve e jo institucion që mbron të drejtat e mafies energjetike dhe strukturave të korruptuara qeveritare.