A mund të ndodhë koalicioni parazgjedhor AAK, Nisma, PSD dhe AKR, tregon analisti Baraliu
Analisti politik, Ramadan Baraliu, ka vlerësuar se me dorëheqjen nga posti i kryeministrit, Ramush Haradinaj ka vendosur një standard të ri në kulturën politike të Kosovës, por e ka shfrytëzuar edhe si momentum mes parimeve dhe përfitimeve politike për subjektin e tij.
“Me këtë veprim të Haradinajt, në rrethana të një ftese nga Gjykata Speciale, por edhe me disa veprime sa ishte kryeministër, shpesh duke qenë edhe opozitë e temave të mëdha, Ramushi ka marrë popullaritet dhe AAK-ja është rritur mjaftë”, ka theksuar Baraliu në një prononcim për gazetën “Epoka e re”, duke shtuar se Haradinaj është treguar lojtar i madh sa ishte kryeministër. “Dëmin që ia bëri vetës e subjektit me demarkacionin e ka rikuperuar mjaftë me veprimet e fundit, vendosja e taksës dhe kundërshtimin e skenarëve të ndarjes”, ka thënë ai.
Mirëpo Baraliu konsideron se Haradinaj duhet të mos veprojë si kryeministër në largim, por ta lë zyrën, pasi që çdo vendim i tij do të kontestohet dhe mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. “Rrethanë tjetër është dorëheqja e parevokueshme e tjetër votëbesimi në parlament”, vlerëson analisti Baraliu.
Baraliu ka shtuar se rezultati i zgjedhjeve të LDK-së, se kush do të jetë kryetar i këtij subjekti, mund të jetë determinues për veprimet që do t’i ndërmerr presidenti, por sipas tij, do të sqarohen edhe kornizat e konfiguracionit të ri të skenës politike para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, por edhe rezultati i LDK-së në zgjedhje.
Po ashtu, ai thekson se ideja që të shmangën zgjedhjet duke mandatuar një kandidat për kryeministër nga radhët e LDK-së, apo duke fshehur një koalicion PDK-LDK përmes një qeverie teknike, në emër të përmbylljes të disa temave të mëdha, do të marrë përgjigje pas zgjedhjeve në LDK më 3 gusht.
Baraliu ka vlerësuar se vendet e Quint-it mund të përpiqen që të dalin me një qëndrim të përbashkët rreth situatës së krijuar pas dorëheqjes së Haradinajt, porse ky do të jetë i vështirë, pasi që edhe ata janë të ndarë sa i përket disa temave të mëdha.
“Disa miq ndërkombëtarë të Kosovës mund ta shohin si momentum për kthim në dialog dhe përfundimin e disa temave të madha, ndërsa disa tjerë si mundësi e mirë për t’i shtyrë këto tema deri në një afat tjetër, pas zgjedhjeve dhe pasi që të defragmentohen qëndrimet e disa miqve tanë karshi këtyre temave të mëdha që rëndojnë mbi supet e Kosovës. Në mesin e miqve tanë ndërkombëtarë ka dallime të mëdha për mënyrën si do të sigurohet njohja e Serbisë dhe si do të përmbyllet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës. Qeveria e ardhshme do të ketë këtë barrë mbi vete”, ka potencuar ai, duke shtuar se mënyra më e mirë është që vendi të shkojë në zgjedhje në muajin shtator ose tetor më së largu.
Baraliu mendon se parashikimi i koalicioneve eventuale parazgjedhore dhe rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë është i vështirë pasi që veprimet e secilit subjekt varen nga veprimet e tjerëve dhe se në minutat e fundit para përfundimi të afatit ligjor, do të dihet saktësisht se cilat janë koalicionet, pasi që edhe e kaluara e ka vërtetuar brishtësinë e skenës politike të Kosovës.
“Në rast se Haradinaj mbledh afër vetës Nismën, PSD-në, AKR-në dhe subjektet e tjera të vogla në një koalicion parazgjedhor me një mandatar kompromisi, dhe në rast se LDK, VV dhe PDK garojnë ndaras, atëherë projekti i Haradinajt me partnerët mund të dalë i pari në këto zgjedhje”, ka theksuar Baraliu, duke shtuar se gara në tri taborë, njëri nga LDK-VV, tjetri nga AAK-Nisma-PSD-AKR dhe PDK-ja në anën tjetër, do të ishte mjaftë interesant, por vështirë i realizueshëm si skenar.
Ai ka përfunduar se nëse të gjitha subjektet garojnë vetë, atëherë gjasat më të mëdha i ka LDK-ja që të dalë e para në këto zgjedhje, nëse mbahen, por kjo do të varet shumë se kush do të jetë mandatar i LDK-së, dhe sigurisht se këtë e vendosë populli në ditën e votimit.