A mund të ngelet Kosova në dorë të Evropës (1)

23 prill 2025 | 12:33

Nga Agron Hoti

Ndonëse SHBA mund të ketë humbur ndonjë betejë të caktuar luftarake nëpër vende euroaziatike, e vërteta është se ajo i ka fituar të gjitha luftërat dhe i ka arritur qëllimet afatgjata strategjike.
Por, çfarë ka fituar SHBA në Evropë dhe Azi:
1) Ajo (SHBA) ia ka dalë që përmes kontrollit të Evropës ta parandalojë çfarëdo fuqie aziatike, me theks të veçantë BRSS-së/Rusisë, që të dalë e lirë në Oqeanin Atlantik që shtrihet në lindje të SHBA-së. Për këtë arsye ajo (SHBA) ka formuar BE-në dhe NATO-n. Por, ajo njëkohësisht ka parandaluar edhe çfarëdo fuqie evropiane që të futet në aleancë me BRSS/Rusi, nga ku pastaj SHBA do të mund të rrezikohej në të dy krahët e saj, në Oqeanin Atlantik dhe në Oqeanin Paqësor;
2) Ia ka dalë që përmes kontrollit të Azisë Lindore, Juglindore, Australisë, Zelandës së Re dhe Oqeanisë ta parandalojë daljen e lirë të BRSS-së/Rusisë dhe Kinës në Oqeanin Paqësor (Pacifik) që shtrihet në perëndim të SHBA-së. Për këtë arsye SHBA ka ndërtuar dhe po vazhdon të ndërtojë e mirëmbajë aleanca e partneritete të fuqishme me këto rajone e shtete, duke i përdorur ato si mburojë frenuese kundrejt BRSS-së/Rusisë dhe Kinës, që këto të fundit të mos dalin të lira në Oqeanin Paqësor;
3) Ia ka dalë që përmes kontrollit të trajektores nga ish-Jugosllavia, Turqia, Kaukazi, Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Azia Jugore ta parandalojë BRSS-në/Rusinë dhe Kinën që të mos dalin të lira në Detin Mesdhe, nga ku pastaj do të mund të dilnin në Oqeanin Atlantik si dhe në jug të globit, pra në ujërat e Oqeanit Indian, që është urë lidhëse mes Oqeanit Atlantik dhe Oqeanin Paqësor (Pacifik). Prandaj, SHBA ka mbështetur dhe futur në NATO Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, në mënyrë që Serbia e mbështetur nga Rusia të mos ia arrijë të dalë e lirë në Detin Adriatik, nga ku pastaj Rusia do të mund të dilte e lirë në Detin Mesdhe dhe më pas në Oqeanin Atlantik, ku do të rrezikohej siguria në krahun lindor të SHBA-së;
Me fjalë të tjera, SHBA ia ka dalë që t’i kontrollojë të tri oqeanet kryesore në glob (Atlantik, Indian dhe Paqësor). Janë pikërisht këtë tri oqeane që rrethojnë pothuajse tërë masën tokësore të Euroazisë (Evropës dhe Azisë), pra masën tokësore më të madhe dhe më të pasur në glob. E SHBA – duke i mbajtur nën kontroll këto tri oqeane – ia ka dalë që ta mbajë të rrethuar me diplomaci, politikë, ekonomi dhe ushtri tërë masë tokësore Euroazisë duke parandaluar, kështu, çfarëdo aleance mes tyre, e cila do ta rrezikonte pastaj supremacinë e saj në glob.
Njëra nga arsyet kryesore se pse SHBA ka hegjemoni mbi tri oqeanet në glob, është fakti se shumica e kabllove globale të telekomunikimeve dhe internetit shtrihen poshtë në shtratin e këtyre tri oqeaneve. Prandaj, SHBA mban luftëra vetëm në tokë, duke dekurajuar, kështu, shtetet që të mos investojnë në flota ushtarake detare, të cilat do ta rrezikonin lirinë e navigimit detar të saj, do ta rrezikonin transportin detar bashkë me kabllot e shumta nënujore, nga të cilat varet siguria globale.
Të njëjtën gjë vazhdon ta bëjë SHBA edhe sot në Euroazi. Dhe si po e bën këtë:
1) Përmes luftës në Ukrainë, SHBA ka parandaluar dhe po parandalon çfarëdo aleancë ruso-evropiane që do ta rrezikonte krahun lindor të saj në Oqeanin Atlantik dhe krahun perëndimor të saj në Oqeanin Pacifik. Lufta e Parë Botërore (L1B), Lufta e Dytë Botërore (L2B), Lufta e Ftohtë (LF) e deri te lufta në Ukrainë kishin dhe kanë këtë qëllim për SHBA-në, që asnjë fuqi evropiane mos t’ia dalë ta pushtojë Evropën, asnjë fuqi aziatike mos t’ia dalë ta pushtojë Azinë si dhe asnjë fuqi euroaziatike mos t’ia dalë ta pushtojë Euroazinë (Evropën dhe Azinë të marra së bashku);
2) Përmes tensioneve dhe luftërave në Kaukaz, Lindje të Mesme, Azi Qendrore dhe Azi Jugore, SHBA ka parandaluar dhe vazhdon të parandalojë çfarëdo aleance ruso-islame, ruso-indiane, sino-indiane, apo sino-ruse, të cilat aleanca pastaj do të mund të dilnin të lira në jug të globit, pra në Oqeanin Indian, nga ku kalojnë rrugët kryesore detare lindje-perëndim;
3) Përmes mbështetjes së Japonisë, Koresë Jugore, Tajvanit, Azisë Juglindore, Australisë, Oqeanisë dhe Zelandës së Re, SHBA ka parandaluar dhe po parandalon çfarëdo aleance sino-ruse, sino-koreane, sino-japoneze apo ruso-japoneze, të cilat do të mund të dilnin të lira në Oqeanin Paqësor, nga ku do të rrezikohej pastaj krahu perëndimor i SHBA-së;
Duke qenë se zhvillimi ekonomik global është duke u zhvendosur në rajonin e Indo-Pacifikut, më konkretisht në Azi Jugore, Lindore, dhe Juglindore, atëherë gjasat që SHBA të përqendrohet kryesisht aty janë më se reale. Duke qenë se ekonomia është ndër shtyllat kryesore të sigurisë, atëherë ky zhvillim i hovshëm ekonomik në Indo-Pacifik do të mund të ngjallë dhe tensione gjeopolitike e gjeostrategjike që do të mund ta tërhiqnin pas vete përqendrimin e SHBA-së shumë më shumë në Azi sesa në Evropë. Pyetja që i intereson çdokujt është se a do të kishte ndikim në Kosovë një zhvendosje e tillë e SHBA-së nga Evropa në Azi? (vazhdon).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bisedimet e nivelit të lartë për Ukrainën, të cilat ishin…