A mund të shkojë Kosova drejt zgjedhjeve të reja?

08 janar 2020 | 10:52

Nga Bedri Islami

Kushdo që e ka menduar se koalicioni mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, pra mes Lëvizjes VV dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të ishte diçka e thjeshtë, e zakonshme dhe që do të kalonte shpejt, tani do të ketë filluar të ndjejë zhgënjimin.

Si është thënë prej kohësh, hesapet e shtëpisë nuk dalin kurrë në pazar e aq më pak dalin hesapet e partive politike kur fjala është për pushtetin.

Votimet e parakohshme të 6 tetorit treguan se njerëzit në Kosovë nuk donin të jetonin më nën një bashkësi qeverisje, të cilës, jo vetëm i kishte mbaruar koha, por as që ishin në gjendje të thërrisnin një kohë të re. Por ata treguan edhe se besimi tek të paprovuarit ishte ende i pasigurt dhe se, më se besim ndaj tyre do të ishte ndëshkim ndaj pushtetit. Tingulli i fitores së 6 tetorit është shuar prej kohësh, trumbetarët i bien borive duke dashur ringjalljen e vetvetes më shumë se e të tjerëve dhe ajo që ishte dukur e lehtë, joshja ndaj pushtetit, tregoi se do të ishte shumë më e vështirë nga sa pritej.

Isa Mustafa është një njeri i rrahur me politikë që nga fundi i viteve 80, kur do të merrte edhe pagëzimin e parë politik në një qeveri hije të Kosovës, nën sundimin e Millosheviçit.

Në atë kohë Albin Kurti dhe vetëvendosësit e tjerë pranë tij ishin gjimnazistë të viteve të para, apo edhe më tej, filloristë.

Isa Mustafa e di politikën, jo si artin e të mundshmes, por si artin e përfitimit maksimal dhe nuk ia ndjen fort për programe politike dhe idealistë të një kohe që nuk është e tij. Ndryshe nga të rinjtë e mbledhur rreth Kurtit, ai ka pranë vetes një grup politikanësh që kanë pragmatizmin si shenjë dhe kompromisin përfitues si qëllim.

Diferencat mes dy grupimeve, që i ndan veç një deputet më shumë, janë shumë më tepër se një; ata nuk kanë të bëjnë vetëm me drejtimet politike apo ideologjitë që mund të bartin, por me gjithçka që ka të bëjë me politikën. Kurti, që e di fare mirë këtë përdallim idesh dhe vizioni, mendoi se ishte një ngushticë lehtësisht e kalueshme, dhe që do të mjaftonte të tundje flamurin e pushtetit për t’u hedhur të gjithë pas tij. Jo rrallë herë ai e ka sulmuar Isa Mustafën, kryeministër, e jo pa të drejtë, e më shumë se kaq e ka sulmuar si njeriu që vendosi përmes kompromisit Hashim Thaçin në zyrën presidenciale, njeriun që nuk e njeh si president, që nuk e do si president dhe që do të përpiqet që sa më shpejt ta largojë nga zyra presidenciale.

Në duke, pikërisht kjo zyrë është molla e sherrit mes dy partive politike, fituese në zgjedhje, por që nuk kanë pasur një fitore spektakolare që ndjell një fillesë të re. Si duket, LDK dhe Isa Mustafa, kaq furishëm duket se po kapen pas postit presidencial, sa që gjithë të tjerat janë të parëndësishme. Mjegulla e krijuar, paqartësitë, deklaratat kontradiktore, mesazhet vizive dhe sociale, mungesa e kontaktit, zgjedhja e kryetarit të parlamentit, si një alibi e fitores, rreshtimi i njërës palë në Pol Position dhe e tjetrës në pritje të nisjes, flamurët që sillen e përcillen, zëdhënës që futen në lojë, bashkë me analistë që tunden nga era e pushtetit, mbledhje kryesish dhe grupe parlamentarësh, kur gjithçka është në duart e liderëve, pastaj deklarata të tjera, takime dhe pritje pa fund, të gjitha këto kanë sjellë mjegullën që nuk po do të largohet.

Ndasitë e deritashme dhe sidomos kërkesa ngulkëmbëse e Lëvizjes VV për të numëruar votat e manipuluara të ardhura nga Serbia, që rritnin numrin e deputetëve të tyre artificialisht dhe linin jashtë parlamentit partinë NISMA të Limajt, mosmarrëveshjet për ndarjen e posteve, rendja pas cic-miceve politike dhe pasiguria për të ndërtuar një qeveri të përbashkët, që, edhe nëse krijohet, do të jetë nga më të ndryshmet dhe të pasigurtat në Kosovë, të gjitha kanë krijuar një enigmat e tyre, disa nga të cilat, jo shumë larg, do të jenë të njohura.

1.A do të ketë një qeveri të përbashkët VV – LDK dhe mbi cilat baza do të ngrihet ajo? Do të jetë në qendër të saj programi politik i VV, i cili, në thelbin e tij ndryshon thellësisht nga ai i LDK-së, apo do të ketë një kompromis për të gjetur një mesore të artë, që nuk mund të gjendet? Do të jetë ende agresiviteti i justifikuar ndaj korrupsionit një prioritet qeverisës dhe a do të lejojë LDK që tehu i kësaj lufte të bjerë edhe mbi ish drejtuesit e saj, apo, mos më keq, edhe në këtë rast do të ketë një kompromis, përmes të cilit do të ketë alibi politike për qeveritarët lëdëkëistë dhe e gjitha do të jetë rreth strukturës politike, të njohur si PAN? A do të ishte ky kompromisi më i madh i një lëvizje politike që nuk e njeh kompromisin, të paktën si shpallje tani për tani dhe si veprim në ditët e qeverisjes.

Janë shumë mundësi që, të joshur nga pushteti, përfitimet prej tij dhe alibia e së nesërmes, LDK, pasi të ketë marrë më shumë nga sa kërkon të afrojë VV, të jetë në qeveri, por, a do mjaftojë kjo ndarje postesh, të jep pesë, më jep pesë, sikur të ndahen kallëp byrekësh? Po sikur LDK të afrojë për ministra figura të lidhura me të shkuarën dhe sidomos me klanet serbe në Kosovë, a do të kishte pranuar, ta zëmë, ministra e planifikuar e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbesa e veprimtarit të shquar, Ahmet Haxhiu, të jetë rreth një tryeze me të dhe të kenë një udhë të përbashkët politike? Po me një kabinet ku mund të delegohen figura të vjetra qeverisëse, të cilat VV i ka sulmuar shpesh herë?

A duan të qeverisin? Ka një zvarritje të ndjeshme, më shumë se 3 mujore, për krijimin e qeverisë së re. Ka rreth 6 muaj që Kosova ka një qeveri kalimtare, të dorëhequr. Është pritur që kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë njeriu që do të bëjë sa më shpejt kalimin e qeverisë nga një gjendje amorfe nw një qeveri efikase. Zemërimi i Kurtit me Hashim Thaçin, një zemërim i vjetër politik që më shumë ka lidhje me të djeshmen se me të sotmen, përplaset në një institucion që nuk është as i Kurtit dhe as i Thaçit, në presidencë. Takimi formal, pak minutash, një përpjekje për të hedhur ujë në një zjarr që e kanë vetëndezur, sarkazma politike e një shoqwruesi të tij, platformat e munguara, takimi për një shtrëngim duarsh pas një refuzimi të trefishtë, caktimi i datës nga njeriu që pritet të sendërtojë të plota institucionet e Kosovës, si në një garë inatesh, se kush është më i fortë, mëria presidenciale 48-orëshe, që fut Kosovën në një rreth pafund, heshtja e shefave partiakë dhe hezitimi, të sjell ndër mend pyetjen: duan apo nuk duan të qeverisin?

Të sillesh si çunak në politikë, pavarësisht se je pjesë e saj prej më shumë se 20 vitesh; të sillesh si padroni i politikës, kur në fakt, për vetë të shkuarën në një regjim antishqiptar, nuk duhej të ishe fare njeri i politikës dhe aq më tepër drejtues i forcës së dytë politike; të mos takohesh veçse në momentin e fundit, kur gjërat duket se mund të dalin jashtë kontrollit, kanë dy shkaqe themelore: ose nuk e do këtë qeverisje, tashmë loja ka kaluar nga vizioni dhe idealizmi tek loja pragmatike, e cila bëhet e padurueshme, sidomos kur në skakierë janë njerëz të afishuar si idealistë, të vetmit idealistë të Kosovës.

Megjithëse Albin Kurti ka deklaruar disa herë se jemi të gatshëm për qeverisje, ai e di fare mirë se nuk mjafton vetëm gatishmëria e tij për të qeverisur dhe as deputetët e tij. Duhet të shohë përtej gardhit, ku ata që mund të vendosin, pak herë mendojnë me kokën e tyre dhe ku dinjiteti politik është i nëpërkëmbur. A do i nënshtrohet edhe Kurti kësaj “gatishmërie” për qeverisje? Nisur nga deklaratat e tij politike – kjo nuk do të ndodhë kurrë; nisur nga ajo që po ndodh në pasvijën e politikës, gjithçka është e mundur, megjithëse e padëshiruar! A do të mund të çmontohet mafia politike dhe financiare që ka zaptuar Kosovën në shumë sektorë të saj…nëse në qeveri do të jenë njerëzit e saj? A ka ndikim mafia politike dhe financiare, lobi serb në Kosovë, në zvarritjen e ndërtimit të qeverisë, për të shkulur nga Kurti gjithçka që mund të shkulet dhe për të krijuar idenë e mosdashjes së qeverisë së re?

A mund të shkojë Kosova drejt zgjedhjeve të reja, po ashtu të jashtëzakonshme, thjeshtë nga mungesa e një qeverie të sotme ose nga një rrëzim i saj në një ditë tjetër?

Si shënova, fitorja e dy forcave politike opozitare, VV dhe LDK, nuk ishte as spektakolare dhe as e jashtëzakonshme. Pas një qeverisje kaq të gjatë, kaq problematike dhe aspak të njësuar, gjëja më e zakonshme është rotacioni politik dhe në qeverisje. Nuk ndodhi asnjë përmbysje dhe, më shumë se nga jashtë, qeverisja e deridjeshme, u dëmtua nga brenda. Ata që u ngutën të thërrasin “urra” dhe të tjerët që u dëshpëruan, tani do të jenë qetësuar. Jam i bindure se VV ka pritur shumë më tepër se kaq dhe tani, kur lojrat politike po synojnë të mos bëjnë një qeveri, e aq më tepër një qeveri parimesh dhe vizionesh, dëshira duhet të jetë për zgjedhje të reja, ose, të paktën, shtyrjen e mandatimit të një kryeministri të ardhshëm, deri sa kompromisi të jetë i plotë, por, tashmë jam i bindur, në dëm të Lëvizjes VV.

Rikthimi në zgjedhjet të parakohshme do të jetë dëmi i Kosovës dhe koha e humbur e saj. Edhe pas tyre, ndryshimet në mendësinë e votuesve do të jenë të vogla dhe jo përmbysëse. Të dy liderët e dinë këtë.

4.Në deklaratat e herë pas hershme të Kurtit objekt kanë qenë edhe liderët e LDK-së, sidomos në krijimin e qeverisë Mustafa dhe vendosjen e Thaçit në postin presidencial. Asaj kohe VV i lëshoi të gjitha bateritë ndaj kësaj force politike, e cila bëri kompromisin më të papritur dhe ende enigmë politike.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Mustafës kanë qenë gjithnjë të tendosura dhe herë-herë deri në kufirin e armiqësisë. Të ardhur nga rryma të kundërta politike, nga vizione të ndryshme e shpesh herë të kundërta, njëra palë e provuar dhe e dështuar në qeverisje dhe, tjetra, ende e paprovuar ,por shpresëdhënëse, ata e kanë partë njëri tjetrin jo si bashkëpunëtorë në rrëzimin e qeverisë, e as si rivalë potencialë, por si dy njerëz që duan të zhbëjnë figurën politike të njëri tjetrit.

Duke iu referuar figurës së Isa Mustafës, Kurti , jo shumë kohë më parë, ka cilësuar se, „Unë nuk mund të ofendohem prej dikujt ndaj të cilit s’kam respekt. Unë nuk kam respekt për të.”

Më 26 shkurt 2016, në ditën kur Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës dhe Isa Mustafa ishte shefi i qeverisë, opozita e asaj kohe, Lëvizja VV, protestoi dhe hodhi bomba molotovë mbi shtëpinë e liderit të LDK-së.

Mustafa atëherë deklaroi se: “Unë jam Kryeministër i vendit, nuk jam shenjë që kujt t‘i teket të gjuajë në mu dhe mendoj që këtë s’duhet ta lejojnë organet e drejtësisë, që të më sulmohet shtëpia. S’kam dashur që të deklarohem publikisht, por në qoftë se një shtëpi e Kryeministrit sulmohet me koktej molotovi, atëherë këtu diçka nuk është në rregull”.

Edhe ditët e tashme tregojnë se akulli ndërmjet tyre nuk është shkrirë dhe se akullimi mund të vazhdojë gjatë. Askush nuk do të jetë i fituar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se Forcat e…