A mund t’i merret Nobeli që iu dha, adhuruesit të Millosheviqit?
Në Kosovë dhe më gjerë kanë vazhduar reagimet kundër vendimit që Nobeli t’i jepet Peter Handkes.
Një ditë më parë u bë nobelist. Por shkrimtari Peter Handke mori një varg kritikash ndërkombëtare.
E kritikave nuk i shpëtoi as vet Akademia Suedeze e cila i ndau këtë çmim Handkes, raporton “T7”.
Pos reagimeve ndërkombëtare, organizatave e mediave prestigjioze, reagim pati edhe në Kosovë.
Madje këtu edhe ka nisur iniciativa për një peticion që i drejtohet akademisë, që të tërheq çmimin për shkrimtarin që mbështeti kriminelin serb, Sllobodan Millosheviqin.
Por, gjithë kjo iniciativë nuk do të ketë asnjë efekt.
Kjo pasi që bazuar në statutin e komitetit të Nobelit, një vendim i tillë nuk mund të kontestohet as të revokohet.
Kjo gjë precizohet në nenin 10 të këtij statuti.
Madje theksohet se ankesat nuk merren parasysh.
Njëjtë pohon edhe akademiku Bardh Rugova. Profesori universitar thotë se pavarësisht vlerës letrare që mund të ketë, qëndrimet e tij njerëzore lënë shumë dyshime.
Edhe dega në Kosovë e rrjetit të organizatave të shkrimtarëve PEN, të premten ka dërguar një letër reagim në Komitetin e Nobelit.
Fushatë të zëshme kundër vendimit të Nobelit dhe qëndrimeve të tashmë nobelistit Handke kanë bërë edhe zyrtarë kosovarë, përfshirë këtu ambasadoren e Kosovës në SHBA Vlora Citakun dhe ish ministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi.
Handke njihet si autor kontrovers për shkak të përkrahjes së vazhdueshme që i ka bërë Millosheviqit dhe veprimeve të tij.